1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bisedime midis Ukrainës dhe Rusisë në Abu Dhabi

4 Shkurt 2026

Bisedime të reja kanë filluar në Abu Dhabi midis Ukrainës dhe Rusisë mbi mënyrën e arritjes së një armëpushimi në luftën e nisur nga Rusia. SHBA gjithashtu po marrin pjesë në negociata si ndërmjetëse.

Bisedime trilaterale për siguri midis SHBA-së, Rusisë dhe Ukrainës (arkiv) - palet te ulura ne tryeze ne forme U-je
Bisedime trilaterale për siguri midis SHBA-së, Rusisë dhe Ukrainës (arkiv)Fotografi: SNA/IMAGO

Në fillim të raundit të dytë të bisedimeve mbi Ukrainën në Abu Dhabi, Rusia përsëriti  kërkesën e saj maksimale dhe kërcënoi se përndryshe do të vazhdojë luftën. "Derisa regjimi i Kievit të marrë vendimet e duhura, operacioni special do të vazhdojë", u tha gazetarëve të mërkurën zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov. Rusia kërkon dorëzimin e të gjithë Donbasit, në Ukrainën lindore, megjithëse forcat e armatosura ukrainase ende kontrollojnë pjesë të rajonit. Informacione për sulme të mëtejshme me disa viktima kanë ardhur nga Ukraina.

Negociatat filluan në një format tripalësh

Bisedimet e drejtpërdrejta midis përfaqësuesve të Rusisë dhe Ukrainës filluan të mërkurën në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe, sipas kryenegociatorit ukrainas, Rustem Umerov. Qëllimi i delegacionit të Kievit ishte "të arrinte një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme" në përputhje me udhëzimet e Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenski, shkroi Umerov në internet.

Negociatat "filluan në një format trepalësh" dhe u pasuan nga diskutime në grupe pune mbi tema të ndryshme, shtoi ai. Bisedimet dyditore fillimisht ishin planifikuar për të dielën, por u shtynë për të mërkurën. Negociatat në vazhdim pritet të zgjasin deri të enjten.

Një javë e gjysmë më parë, negociatorët nga Moska dhe Kievi folën drejtpërdrejt për herë të parë rreth planit të SHBA për t'u dhënë fund luftimeve. Sipas informacioneve nga qarqet negociuese, të dyja palët kanë arritur një marrëveshje për disa pika. Megjithatë, pika kryesore e ngecjes mbetet kërkesa e Moskës për një tërheqje të plotë të Ukrainës nga rajoni i rëndësishëm industrial i Donbasit.

Takimi i planifikuar është lënë në hije nga sulmet e reja ruse. Për shembull, dy persona u vranë në rajonin e Dnipropetrovskit.

Zelenski: Rusia shkel armëpushimin e pjesshëm

Presidenti ukrainas Zelenski e akuzoi Moskën për shkelje të armëpushimit të pjesshëm të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara. Ai kërkoi një përgjigje nga Uashingtoni. Rusia kishte nisur sulme masive ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, duke shkelur marrëveshjen. Sipas autoriteteve, qindra mijëra familje janë pa energji elektrike ose ngrohje, me temperatura që luhaten rreth -20 gradë Celsius.

Zelenski deklaroi në një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Rutte, në Kiev se Moska po përdorte ditët më të ftohta të dimrit për të terrorizuar popullin e Ukrainës. Rutte theksoi gjithashtu se sulmet e fundit nuk pasqyronin dëshirën e Rusisë për paqe.

dlf/afp

 

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW