1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bisedimet e trojkës: Burimi i miliardave për Greqinë nuk shteron

Reinhard Baumgarten/Lindita Arapi6 Gusht 2012

Troika e ekspertëve të Komisionit Evropian, të Bankës Qendore Evropiane (ECB) dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar përfundon me sukses bisedimet e saj mbi zbatimin e programeve greke të konsolidimit.

Fotografi: dapd

"U regjistruan hapa përpara. Gjithçka shkoi mirë." Poul Thomsen, përfaqësuesi i FMN-së, nxori me këto fjalë një bilanc të shkurtër të raundit vendimtar të bisedimeve midis Athinës dhe të ashtuquajturës troikë, të Dielën. Përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar, të Komisionit Evropian dhe të Bankës Qendrore Evropiane janë me sa duket të kënaqur me programin e ri të parashtruar. 11,5 miliardë euro do të kursehen shtesë në 2013-n dhe 2014-n. Grekët nuk kanë alternativë, thotë Ministri i Zhvillimit Kostis Hatzidadis. "Prioriteti ynë është mbajtja e Greqisë në eurozonë, mbajtja e saj në këmbë. Ne duhet të çojmë përpara reformat strukturore. Kjo është tani parësore. Do të kemi sukses me këto përpjekje."

Poul Thomsen, shefi i misionit të FMN-së në AthinëFotografi: AP

Shkurtimet të dhimshme, por të nevojshme

Se ku do të kursehet saktësisht, këtë qeveria në Athinë vazhdon ta lërë të hapur. Hollësitë do të bëhen të ditura në shtator. FMN-ja, BE-ja dhe ECB-ja duhet të japin njëherë dritën e gjelbër për pagesa të reja nga paketa e shpëtimit me vëllim 130 miliardë euro. Sipas informacioneve të shtypit grek, që përputhen njëri me tjetrin, programi i kursimit parasheh një reduktim të aparatit shtetëror (domethënë shkurtime nga puna) dhe ulje të konsiderueshme në pensione si dhe në sektorin social. Nëpunësja nga Athina Anna Kakava mendon në lidhje me këtë: "Ka për të qenë e dhimbshme për njerëzit. Mirëpo, ç'duhet bërë, duhet bërë. Nuk mund të rrimë ngeshëm dhe të flasim për këtë. Kjo duhet të marrë fund."

I këtij mendimi është edhe pensionistja Soula. "Po të mos bëjnë gjë, nuk përmirësohen dot gjërat. Vendimi është dashur të merret."

Alexis Tsipras përgatitet për vjeshtë të nxehtëFotografi: Reuters

Shkurtimet - ushqim politik për opozitën e majtë

Opozita e majtë i sheh gjërat krejt ndryshe. Shefi i saj, Alexis Tsipras, ka paralajmëruar protesta dhe rezistencë të fortë për në vjeshtë. Rrezikon të bëhet një vjeshtë e nxehtë, beson Giorgos Kouveos në Athinë, jo vetëm për shkak të kursimeve të reja, prej të cilave ai nuk pret kalimin e pengesave. "Nuk besoj që me këto 11,5 miliardë të mund të gjehet një zgjidhje. Nuk besoj as që reduktimet e shërbimeve sociale do të zbatohen dhe dhe gjërat të shkojnë përpara."

Për momentin papunësia është rreth 24 për qind. Deri në fund të vitit ajo rrezikon të ngjitet në 30 për qind. Përfaqësuesit e troikës duan të kthehen në shtator në Athinë, për të marrë një vendim përfundimtar mbi zbatimin e direktivave në kursime dhe reforma. Në rast se gjykimi është pozitiv, helenët do të vazhdojnë të marrin para.