1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bisedimet e Vjenës: Reagime nga Kosova

Bekim Shehu8 Gusht 2006

Udhëheqësi i partisë më të madhe serbe në Kosovë, "Lista Serbe për Kosovë e Metohi", Oliver Ivanoviq, mbështet qëndrimin e Beogradit. Serbët e Kosovës nuk duhen trajtuar si pakicë etnike, por si bashkësi etnike, thotë ai.

Salla e bisedimeve
Salla e bisedimeveFotografi: AP

Udhëheqësi i "Listës Serbe për Kosovë e Metohi" Oliver Ivanoviq, mbështetë qëndimin e Beogradit se Kosova akoma është pjesë e Serbisë dhe në këtë linjë, serbët e Kosovës nuk mund të trajtohen si pakicë, por, si bashkësi entike. Duke komentuar bisedimet e sotme në Vjenë për të drejtat e pakicave, Oliver Ivanoviq, thotë se pozita e serbëve në Kosovë duhet garantuar me kushtetutë në mënyrë që serbët të kenë të drejtën e vetos në çështjet që kanë të bëjnë me të drejtat e serbëve dhe kjo mundëson që edhe serbët e Kosovës të kenë të drejtën e vendimmarrjes.

Oliver Ivanoviq, thotë se, pozita kushtetuese e serbëve duhet të garantohet me disa instrumente plotësuese në kushtetutën e re të Kosovës, ose përmes të drejtës së vetos në kuvend në çështjet e ndryshimeve kushtetuese sidomos në fushat që kanë të bëjnë me të drejtat e serbëve. Ai thotë se, fjala pakicë siç përmendet për serbët në bisedimet e Vjenës nuk është fjalë e përshtatshme sepse automatikisht kufizon të drejtat që serbët e Kosovës, të ndihen si komuniteti i dytë në numër në Kosovë.

Ivanoviq pret që nga bisedimet e Vjenës të vendosen mekanizmat për mbrojtjen e serbëve në Kosovë. Nga ana e tyre, ndërkaq, përfaqësuesit kosovar në bisedimet e Vjenës thonë se, bisedimet me palën sebe për të drejtat e pakicave janë hyrje në kontekstin real që ka të bëjë me rregullimin e marrëdhënieve ndërmjet shumicës dhe popujve pakicë në Kosovë.

Veton Surroi i cili është udhëheqës i këshillit konsultativ për komunitete, thotë se, pala kosovare ka shkuar në disa aspekte edhe përtej normave evropiane, të vetëdijshëm se kjo është e nevojshme për të krijuar një mirëbesim në Kosovën e ardhme të pavarur, po ashtu është përpjekur të racionalizojmë disa nga zgjidhjet, të cilat nuk kanë funksionuar, ose kanë funksionuar jo aq sa duhet, zgjidhje nga korniza kushtetuese, të cilat nuk do të ishin normale në një shtet normal demokratik.

Sidoqoftë, analistët në Kosovë, thonë se, nëse shikohen deklarimet e deritashme të autoriteteve të larta të Serbisë, Beogradi, nuk është shumë i interesuar për të drejtat e serbëve në Kosovë, por më shumë mbron pozicionin e Serbisë karshi bashkësisë ndërkombëtare. Ata thonë se qëndrimi i bashkësisë ndërkombëtare është i qartë, statusi final i Kosovës duhet të përcaktohet gjatë këtij viti dhe në këtë linjë, kërkojnë nga autoritetet serbe që ta njohin realitetin e ri të krijuar në Kosovë dhe në këtë mënyrë të kontribuojnë në linjën që serbët e Kosovës të ndihen si qytetarë të barabartë në Kosovë.


Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW