Bisedimet Kosovë-Serbi në Bruksel
8 Mars 2011Negociatat në Bruksel do të fillojnë në mbrëmje për shkak të vonesës së delegacionit kosovar, i cili ka pritur, që të hënën (07.03. 2011) parlamenti në Prishtinë të miratojë një rezolutë për bisedimet. Mirëpo rezoluta e qeverisë për dialog me Serbinë nuk u miratua në parlament, pasi opozita paraqiti një dokument të sajin. Harmonizimi i këtyre dokumenteve pritet realizohet në seancën e ardhshme të parlamentit ditën e enjte (10.03.2011). Megjithatë Bashkimi Evropian insiston që palët të takohen këtë të martë duke iu përmbajtur marrëveshjes së mëparshme. Brukseli do të jetë ndërmjetësuesi kryesor në këto bisedime. E ngarkuara e BE-së për politikën e Jashtme, Chaterine Ashton, vlerëson se tani është koha optimale për fillimin e dialogut, me qëllim përmirësimin e raporteve mes Beogradit dhe Prishtinës, si dhe zgjidhjen e problemeve të qytetarëve, pohon zëdhënësja e saj Maja Kocijançiq. "Ne besojmë se është shumë me rëndësi që dialogu të fillojë dhe që Prishtina dhe Beogradi të bisedojnë për çështjet praktike. Qëllimi i dialogut është përmirësimi i kushteve për qytetarët, afrimi i Ballkanit me BE-në dhe harmonizimi me standardet evropiane. Për të dy palët është me rëndësi që të përmirësohen kushtet e jetësës për njerëzit."
Brukseli pret konstruktivitet
Bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel do të kryesohen nga këshilltari i shefes së diplomacisë evropiane, Robert Cooper. Bazë për këtë dialog pritet të jetë rezoluta e Bashkimit Evropian e harmonizuar me Beogradin dhe e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme të OKB-së në shtator të vitit të kaluar. Atëherë palëve u është sugjeruar që të hapin një kapitull të ri në raportet mes tyre me qëllim realizimin e një të ardhmeje evropiane. Dialogu mes palëve është vlerësuar në këtë seancë si kontribut shumë i rëndësishëm për paqen, stabilitetin dhe sigurinë e rajonit. Në Bruksel shpresojnë që palët do të jenë konstruktive: "Zgjidhja e problemeve me dialog është një rrugë evropiane, e cila ka për qëllim promovimin e bashkëpunimit, si dhe të afrimit mes Prishtinës dhe Beogradit me Bashkimin Evropian. Presim që të bisedohet për tri fusha kryesore: bashkëpunimin rajonal, lirinë e lëvizjes dhe sundimin e ligjit. Këto janë edhe bazat për perspektivën evropiane të rajonit", pohon Maja Kocijançiq.
Zgjidhja e çështjeve praktike
Problemet në funksionimin e organeve të drejtësisë në veri të Kosovës dëshmojnë se sa e rëndësishme është marrëveshja për çështjet e së përditshmes. Meqëse në këtë rajon serbët nuk pranojnë gjykatësit shqiptarë dhe shqiptarët nuk i pranojnë gjykatësit serbë, këtë detyrë e kanë marrë përsipër juristët ndërkombëtarë. Christine Lindemann nga Gjermania, e cila punon në veri të Kosovës vëren: „Ne nuk mund të zëvendësojmë gjykatësit vendas. Ajo që mund të bëjmë është trajtimi i rasteve, që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut, që për Mitrovicën është shumë me rëndësi, sepse njerëzit mbeten një kohë tepër të gjatë në burg nën masa arresti, duke pritur procesin gjyqësor."
Edhe Chaterine Ashton është e mendimit se për Prishtinën dhe Beogradin është shumë me rëndësi të zgjidhen problemet praktike dhe që palët të mos merren me çështjen e statusit. BE-ja është vetëm ndërmjetësues dhe do të ndihmojë arritjen e marrëveshjeve, por Prishtina dhe Beogradi janë ato, që duhet merren vesh, thuhet në Bruksel, ku theksohet se perspektiva e Kosovës dhe e Serbisë është në BE.
Autor: Marina Martinovic/Bahri Cani
Redaktoi: Angjelina Verbica