Bisedimet me kampin e Gadafit kanë dështuar
5 Shtator 2011Negociatat, për t'ia dorëzuar në mënyrë paqësore qeverisë së re të Libisë fortesën e Gadafit, Bani Valid, kanë dështuar. Luftëtarët e tyre, të cilët mbajnë të rrethuar qytetin 140 kilometra në juglindje të Tripolit janë duke pritur tani urdhërin për të sulmuar, tha zëdhënësi i tyre Abdullah Kanshil të dielën (2011/09/04 ).
Rrethimi i i Bani Valid
Bani Valid është një nga bastionet e fundit të diktatorit të përmbysur libian Muammar al Gadafi. Për dështimin e bisedimeve zëdhënësi rebelëve Kanshil bën përgjegjës përkrahësit e regjimit Gadafi. Këto kishin kërkuar, që rebelët të ulin armët e tyre, para se të hyjnë në qytet.
Qeveria e përkohshme libiane të dielën e ngushtoi rrethimin e Bani Validit. Ajo pranoi gjithashtu se përkrahësit e Gadafit nga jugu kanë hyrë në qytet. "Ne kemi kërkuar, që të veprojmë pa gjakderdhje, por ata kanë shfrytëzuar ultimatum tonë, për të mbrojtur veten," tha komandanti i rebelëve, Mohammed al Fassi. Rebelët u kishin dhënë përkrahësve të Gaddafit një ultimatum që të dorëzohen. Nëse Gaddafi dhe i biri i tij Saif al-Islam qëndrojnë në Bani Valid, është e paqartë. Si një vendndodhje të mundshme konsiderohen edhe Sabha në shkretëtirën libiane dhe qyteti i lindjes së Gadafit, Sirte.
Ujë për Tripolin?
Në kryeqytetin Tripoli së shpejti do të rrjedhë përsëri ujë i pijshëm. "Në ditët e ardhshme," furnizimi me ujë do të rregullohet, tha një zëdhënës ushtarak i këshillit të tranzicionit. Shumica e dy milionë banorëve të Tripolit nuk kanë më ujë të rrjedhshëm prej ditësh.
Arsyeja është se luftëtarët e Gaddafit kishin shkatërruar tubacionet. Këto sjellin ujë të pijshëm nga nëntoka në shkretëtirë për në kryeqytetin e vendit. Qeveria e përkohshme thotë së ka riparuar sërish të paktën një pjesë të tubacioneve për furnizimin me ujë. "Ne kemi marrë informacion se revolucionarët tanë, kanë venë nën kontroll sistemin artificial të ujit," tha zëdhënësi.
Autor: DW Agenturen /A Verbica
Redaktoi: E. Xhani