1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bisedimet në Vjenë – shqiptarët të pakënaqur

22 Tetor 2007

Në dokumentin e Trojkës nuk përmendet pavarësia

Përfaqësuesi i BE-së në Trojkë, Volfgang IshingerFotografi: AP

Në Vjenë u zhvillua të hënën (22.10) raundi i tretë i bisedimeve direkte mes serbëve dhe shqiptarëve. Mediatorët në negociatat për të ardhmen e Kosovës i prezantuan delegacioneve nga Kosova dhe Beogradi një listë propozimesh e destinuar për të gjetjen e një kompromisi për të ardhmen e Kosovës. Pala shqiptare u shpreh e pakënaqur në përfundim të takimit.

Ndërmjetësi i BE-së Volfgang Ishinger bashkë me kolegët e tij rusë dhe amerikanë kanë paraqitur një listë prej 14 pikash të mundshme kompromisi. Në dokumentin e paraqitur nga Trojka stipulohet se Beogradi nuk do të qeverisë Kosovën dhe se autoritetet e Beogradit nuk do të jenë fizikisht të pranishëm në Kosovë. Por dokumenti eviton të gjitha aludimet ndaj çështjes themelore të pavarësisë me ose pa mbështetjen e Kombeve të Bashkuara.

Pas takimit delegacioni shqiptar ka kritikuar ashpër qëndrimin e Serbisë në bisedime. "Ky ishte ndoshta një nga takimet më të këqija që kemi patur deri tani" tha anëtari i delegacionit shqiptar Veton Surroi pas bisedimeve disa orëshe me përfaqësuesit e Beogradit. Më parë përfaqësuesi i BE-së në Trojkë, gjermani Volfgang Ishinger kishte folur për përparime pasi sipas tij është kaluar nga "faza e parrullave në fazën e bisedimeve substanciale".

Në reagimet pas përfundimit të takimit me përfaqësuesit e Trojkës ministri serb për Kosovën Sllobodan Samarxhiç kritikoi faktin që rezoluta e Kombeve të bashkuara 1244 nuk është e përfshirë në dokumentin që ka paraqitur Trojka. Në të mungon edhe konteksti i së drejtës ndërkombëtare të bisedimeve, tha Samarxhiç:

"E vetmja gjë me të cilën jemi të kënaqur është që të gjithë anëtarët e Trojkës kanë deklaruar se nuk do të lëvizin jashtë kornizës së rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara. Kështu çështja mbetet brenda rezolutës së OKB-së. Mbetet për të diskutuar mbi statusin dhe jo mbi marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës. Ne jemi të kënmaqur më këtë por duam që këto fjalë të bukura të jenë edhe në dokument."

Takimi me Trojkën zgjati rreth një orë më shumë nga sa ishte planifikuar pasi delegacioni i Beogradit ka trajtuar njëri pas tjetrit të 14 pikat e dokumentit. Pyetjes nëse pala serbe është dakort me pozicionin e Trojkës, pra që Beogradi nuk do të qeverisë Kosovën, ministri serb për Kosovën Sllobodan Samarxhiç iu përgjigj:

"Ne do të ishim të kënaqur me shprehjen: 'Beogradi nuk do të qeverisë punët e brendshme të Kosovës'. Këtë pozicion kemi mbrojtur ne edhe në Londër dhe Nju Jork. Sa i takon kompetencave mbi punët e jashtme dhe kontrollin e kufijve mendojmë se ky është minimuni i kompetencave që duhej të kishte Serbia në kuadër të sovranitetit dhe integritetit të saj territorial."

Një takim i ri mes përfaqësuesve të Trojkës dhe delegacioneve nga Kosova e Beogradi do të mbahet më 5 nëntor në Vjenë. Ndërkohë ministri i mbrojtjes i SHBA Robert Gates i cili ndodhet për një vizitë në Kiev ftoi të hënën vendet anëtare të Nato-s të jenë të pregatitura edhe për dështim të bisedimeve.

"Ne i japim një shans diskutimeve të Trojkës por jemi realistë. Duhet të jemi të pregatitur për atë të që do të ndodhë pas 10 dhjetorit. Nato duhet të hartojë tani planet e saj për të vënë në jetë rekomandimet e planit të Ahtisarit" tha Gates.