Ekonomia gjermane dhe Iraku
20 Mars 2013Kur Ernst-Joachim Trapp shkoi për herë të parë në Irak ai ishte 17 vjeç. "Atëherë firma jonë mori porosinë e parë në Irak. Babai im, që drejtonte atëherë firmën, nuk dinte anglisht. Kurse unë kisha mësuar gjashtë vjet anglisht në shkollë. Kështu më morën si përkthyes."
Ishte viti 1952. Iraku u bë një klient i rëndësishëm i firmës: "Ne kemi ndërtuar qindra kilometra rrugë, diga, zona industriale dhe shumë të tjera në Irak." Bizneset e mira atje morën fund me vendosjen e sanksioneve të OKB-së dhe luftës së parë kundër Saddam Hussein-it, në fillim të viteve '90.
Ernst-Joachim Trapp është sot 77 vjeç. Sipërmarrjen familjare të themeluar në 1872 në Wesel, landin e Rinit Verior - Vestfalisë, ai e drejton ndërkohë bashkë me të birin. Por Iraku kurrë nuk u kthye në libër të mbyllur për Trapp, i cili është edhe zv/president i Shoqatës Gjermano-Arabe.
Pas një ndërprerjeje të gjatë, firma tani guxoi sërish të rifillojë aktivitetin në Irak: "Bëhet fjalë për zgjerimin e një fabrike për prodhimin e lëndëve fertilizuese." Trapp e pati ndërtuar fabrikën në vitet '80 së bashku me kompaninë Hochtief.
Nevoja e përparimit në Irak
"Potenciali i Irakut si vend ekonomik është shumë i madh", deklaron Steffen Behm, ekspert për Irakun në Dhomën e Industrisë dhe Tregtisë. "Ajo është ekonomia me rritjen më të fortë në Afrikën e Veriut, Lindjen e Afërme dhe të Mesme." Vendi ka nevojë të madhe për të ecur përpara, pas viteve të embargos dhe dy luftërave. Në sektorin e naftës dhe gazit, infrastrukturë apo teknologjinë e mjedisit, të shumtë janë sektorët ku ka prapambetje të madhe në modernizim. "Mundësi ka thuajse në të gjithë sektorët, duke filluar nga mallrat e konsumit, tek paisjet elektroteknike dhe mjekësore e deri te teknika e ndërtimit", thotë Steffen Behm.
Edhe sipërmarrjet gjermane po rikthehen ngadalë por me hap të sigurt në tregun irakian: "Në pesë - gjashtë vitet e fundit shohim një tendencë pozitive", thotë Behm. Vitin e kaluar ekonomia gjermani eksportoi mallra dhe shërbime për rreth 1,3 milionë euro në Irak. Pas hyrjes së trupave amerikane dhjetë vjet më parë volumi i eksporteve ishte "ende në nivelin e ulët prej 100 milionë eurosh". Por ka endde vend për përmirësim. Këtë e tregon një krahasim me kohën para lufte. Në fillim të viteve '80, eksportet gjermane arrinin vlerën e rreth 4 miliardë eurove.
Behm nuk beson se firmat amerikane apo britanike janë të favorizuara në Irak në sajë të pjesëmarrjes së tyre në rrëzimin e Saddam Husseinit. Britania e Madhe për shembull gjatë vitit 2012 eksportoi mallra në vlerë rreth 350 milionë euro në Irak, shumë më pak se Gjermania.
Treg i vështirë
"Interesi i firmave gjermane për Irakun është shumë i madh por ka ende shumë pengesa", thotë Behm. Situata e vështirë e sigurisë bën që shumë firma të kenë rezerva për investime në Irak. Shumë sipërmarrje përqendrohen për këtë arsye tek veriu me shumicë kurde i vendit, pasi atje situata është relativisht e qetë. "Kjo është një mundësi e mirë për të lidhur kontaktet e para në kushte pak e shumë të qendrueshme."
Një tjetër problem i madh është paqendrueshmëria politike. Që prej zgjedhjeve parlamentare në 2010 shiitët, sunitët dhe kurdët luftojnë me njëri-tjetrin. Lufta e vazhdueshme për pushtet, pengon angazhimin ekonomik privat nga jashtë, thotë Behm. Edhe miratimi i ligjeve dhe reformave të rëndësishme pengohet. Një shembull i rëndësishëm është ligji për naftën, i cili duhet të sqarojë shitjen e burimeve të naftës, miratimi i të cilit bllokohet prej vitesh.
Nevojitet durim
Iraku në masë të madhe është një ekonomi me drejtim të centralizuar, thotë Behm. Rreth 90 për qind e ekonomisë irakiane, vlerëson eksperti i IHK-së, kontrollohet dhe ndikohet nga shteti. Për këtë arsye rrugët e vendimmarrjes janë të gjata.
Edhe sipërmarrësi Ernst-Joachim Trapp ankohet për zvarritjet administrative. Negociatat për porosinë e re në Irak për firmën e tij, filluan në 2011. Porosia u dha më në fund një vit e gjysmë më vonë, në shtator 2012, por ndërtimi ende nuk ka filluar. Shkaku: Trapp ende është në pritje të sigurimit të nevojshëm financiar të biznesit nga autoritetet irakiane dhe një bankë rajonale. Kohëzgjatja e procedurës "nuk është e pazakontë për Irakun", tregon Trapp. Kolegë të tjerë sipërmarrës i kanë treguar për probleme të ngjashme.
Kohët kanë ndryshuar
Më parë ka qenë ndryshe: "Situata ka ndryshuar shumë, para së gjithash këto zvarritje dhe pasiguria. Më parë irakianët quheshin 'prusianët e Lindjes'. Respektimi i kontratave ishte absolut, nuk kishte aspak korrupsion, gjithçka kryhej në mënyrë shumë të rregullt, shumë pedante. E gjitha kjo është zhdukur. Sot është shumë, shumë e vështirë të mbarosh punë."
Por edhe Trapp beson në potencialin e Irakut: "Kur raportet politike të jenë rregulluar disi, do të ketë sërish një shpërthim të madh ekonomik." Dhe atëherë sipërmarrjet gjermane duhet të jenë të pranishme.
Autor: Nils Naumann/ Eliana Xhani
Redaktoi: Auron Dodi