1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bizneset me Iranin gjithnjë e më të vështira

18 Maj 2018

Kompanitë perëndimore që bëjnë biznes me Iranin janë të pasigurta pasi Donald Trumpi anuloi marrëveshjen bërthamore me Iranin.

Symbolbild Kündigung Atomabkommen mit Iran durch USA
Fotografi: Imago/Ralph Peters

Andreas Buxbaum di si të reagojë ndaj krizave dhe problemeve. Sipërmarrësi nga Darmstadt-i shet internet të shpejtë përmes satelitit. Klientët e tij janë në vende si Afganistani, Pakistani, Arabia Saudite. Dhe gjithashtu në Iran. Atje, thotë ai, ka shumë interes për shërbimet e tij: për shembull, linjat ajrore si IranAir dhe Mahan Air, që dëshirojnë t'u ofrojnë pasagjerëve internet edhe në aeroplan - ashtu siç është prej kohësh praktikë standarde ndërkombëtare.

Pengesa të shumëllojshme

Megjithatë, realizimi i një oferte të tillë është utopike, thotë Buxbaum. Për shumë arsye. Nga njëra anë, sistemet satelitore moderne amerikane gjithmonë përmbajnë dhe komponentë amerikanë. Dhe ato thjesht nuk mund t'i blesh kur është fjala për Iranin.

Andreas BuxbaumFotografi: DW/D. Hirschfeld

Ose prodhuesit ta ndalojnë eksportin e tyre. Mbi të gjitha, financimi i porosive po bëhet gjithnjë e më i vështirë. Pajisja e një avioni me internet satelitor dhe sistemin e argëtimit të lidhur me të kushton 6-8 milion euro. Për një flotë të tërë avionësh për fluturime të mesme ose të gjata, kjo shumë shkon shpejtë në 100 ose 200 milionë euro. Dhe klientët iranianë nuk mund t'i marrin shuma të tilla në portofol.

Bankat nuk duan ta pësojnë

Por sidomos bankat e mëdha kanë frikë nga bizneset në ose me Iranin si djalli nga temjani. Për shkak se shumica e institucioneve financiare kanë degë në SHBA, ato kanë frikë se mund të humbasin bizneset atje. Por nëse një bankë duhet të zgjedhë midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, zakonisht nuk ka nevojë të mendohet dy herë. Tregu i Shteteve të Bashkuara është shumë më i rëndësishëm, se sa Irani me 80 milionë banorë që është tepër i parëndësishëm. Kjo për të keqen e shumë kompanive gjermane apo evropiane.

Jo problem i ri

Financimi i porosive apo pagesave e mallrave apo shërbimeve që dërgohen në Iran ështe prej kohësh faktori frenues nr. 1 gjatë viteve të fundit: Prandaj pritshmëritë e ekonomisë nga të dyja palët ishin të mëdha, kur në korrik të vitit 2015, u nënshkrua marrëveshja bërthamore me Iranin JCPOA ("Plani i Përbashkët i Veprimit"). Ky pasoi nga kontakte të shpejta, diskutime dhe plane për investime dhe sipërmarrje të përbashkëta.

Këmbimi i monedhës iraniane rial me euro ose dollarë nuk funksionon si duhet Fotografi: Reuter/R. Homavandi

Por edhe pasi sanksionet ndaj Iranit u hoqën zyrtarisht, sektori financiar mbeti i tërhequr, sepse sistemi ndërkombëtar i pagesave SWIFT që dominohet nga SHBA-ja nuk qe vërtet në dispozicion për këmbime me Iranin. Po ashtu edhe këmbimi i monedhës iraniane rial me euro ose dollarë nuk funksiononte si duhet. 

E ardhmja e pasigurtë

Se sa e vështirë është për kompanitë iraniane që të bëjnë biznes në skenën ndërkombëtare e ka përjetuar edhe Hesam Ganjavian. Sipërmarrësi iranian shet teknologji dhe softuer mjekësor. Produktet e tij, sikurse ka dëgjuar ai në mënyrë të përsëritur në panairet tregtare, mund të konkurrojnë me lehtësi me ato të konkurrentëve nga Evropa apo SHBA. Por atij i duhet vazhdimisht të përballet me frikën e partnerëve të biznesit në vitet e fundit, se biznesi me kompanitë iraniane mund të sjellë disavantazhe diku tjetër.

Pasi Presidenti i SHBA, Donald Trump hoqi dorë nga marrëveshja bërthamore mes komunitetit ndërkombëtar dhe Iranit dhe futi në fuqi sanksione të reja, Hesam Ganjavian pret kushte  kornizë edhe më të vështira. Por, thotë ai, situata është edhe një mundësi. Sepse pas disa vitesh shpresash të zhgënjyera, kompanitë iraniane do të kuptonjnë së shpejti  se cilët janë partnerët e tyre të vërtetë.