1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Biznesi gjerman në Shqipëri - kompania gjermane WILO ndihmon në modernizimin e infrastrukturës në ujësjellës kanalizime

1 Tetor 2009

Kompania gjermane WILO operon në Shqipëri prej tri vitesh përmes përfaqësisë zyrtare. Ajo ofron sisteme dhe makineri që përdoren ndër të tjera në rrjetet e ujësjellës kanalizimeve për komunat dhe bashkitë e vendit.

Fotografi: AP

Një nga prioritetet e mbështetjes së Gjermanisë për Shqipërinë, janë dhe projektet në fushën e përmirësimit të infrastrukturës të ujësjellës kanalizimeve, në disa bashki e komuna. Ky sektor konsiderohet si dhe ndër nevojtarët për thithjen e investimeve, duke ndikuar drejtpërdrejt në plotësimin kërkesave të komunitetit, të sipërmarrjeve, por dhe në zhvillimin industrisë së turizmit.

Biznesi gjerman ofron pajisje dhe sisteme të standartizuara për infrastrukturën e ujësjellës kanalizimeve

Pikërisht modernizimi i infrastrukturës në ujësjellës kanalizime, dhe rritja e kërkesës për aplikimin e sistemeve të pajisjeve të standartizuara në këtë aspekt, ka tërhequr dhe vëmendjen e biznesit gjerman, për prani të fuqishme në tregun shqiptar.

Kompania WILO ka një përvojë 136 vjeçare në tregjet botërore

Një prej këtyre bizneseve është kompania gjermane WILO, e cila ka themeluar përfaqësinë e saj zyrtare në Shqipëri para gati tri vjetësh. Me një eksperiencë 136 vjecare në tregun botëror, kjo kompani gjermane me qendër në Dortmund, ka depërtuar në tregun shqiptar rreth një dekadë më parë. Por me rritjen e interesit për produktet e saj nga operatorët publikë dhe privatë në Shqipëri, WILO prej shkurtit të vitit 2007 “ngriti flamurin” e përfaqësimit zyrtar dhe në Tiranë.

Klientët i plotësojnë më lehtë dhe shpejt nevojat e tyre

Kjo ka dhënë efekte të menjëhershme. Klientët dhe çdo i interesuar, nuk kanë më nevojë të kontaktojnë dhe të hyjnë në marrëdhënie kontraktuale me filialet në vendet fqinjë, por gjithçka e kryejnë në Shqipëri. Gjithashtu lehtësohet procedura e furnizimit me produktet e WILO-s, dhe shkurtohet maksimalisht koha e gatishmërisë për shërbimet dhe asistencën.

Drejtori i përfaqësisë së WILO-s në Shqipëri, Rajf Murataj, thotë për Deutsche Welle-n, se sistemet dhe pajisjet e kësaj kompanie gjermane kanë rritje në tregun shqiptar. Ai përmend Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, “Nënë Tereza”, terminalin e trageteve në portin detar të Durrësit, godinat luksoze shumëkatëshe, por dhe sistemet e ujësjellës kanalizimeve të disa prej bashkive dhe komunave të vendit. “Për ujësjellësat p.sh., pompat tona janë të një cilësie shumë të mirë, për impiantet e përpunimit të ujërave të zeza, që mund të bëhen në zonat turistike të Shqipërisë. Kjo është një domosdoshmëri dhe kërkesë e kohës. Sepse rritja e numrit të turistëve ka sjellë nevojën e përpunimit të mbetjeve urbane dhe ujërave të zeza”.

WILO ofron produkte cilësore dhe që garantojnë përdorim ekonomik të energjisë

Shefi i departamentit të energjetikës në Universitetin Politeknik të Tiranës, Dr. Ramadan Alushaj, shikon efektin ekonomik të përdorimit të sistemeve të pompimit. “Konsumi i energjisë sot është një nga problemet e rëndësishme dhe i lidhur në mënyrë të integruar me ndotjen e mjedisit dhe ngrohjen globale. Kështu që secila prej makinave që konsumon energji duhet të ketë eficencë të lartë në kursimin e energjisë. Pompat janë numër i madh makinash që përdoren në ndërtesa dhe janë konsumatore të energjisë elektrike për shkak të vënies në punë të energjisë mekanike”, shpjegon Dr. Alushaj. Sipas Dr. Alushaj tani për një pajisje a sistem që përdor nuk shihet vetëm rendimenti, por dhe kursimi i energjisë. Ndaj dhe opcionet që ofron WILO në tregun shqiptar janë jo vetëm cilësore, por dhe garantojnë përdorim ekonomik të energjisë. Shpesh në gjuhën e klientëve ato konsiderohen dhe si “pompa inteligjente” për natyrën fleksibël të përballimit të ngarkesave gjatë punës.

Partneritet me Universitetin Politeknik të Tiranës

WILO ka një partneritet dhe me Fakultetin e Ndërtimit në Universitetin Politeknik të Tiranës. Rajf Murataj thotë, se kjo i shërben njohjes dhe familjarizimit të trupës akademike, por dhe të studentëve, me standartet dhe veçoritë teknologjike të sistemeve të pompimit. “Ne ju kemi ofruar laboratorëve të këtij fakulteti produktet e kompanisë si një inventar didaktik në funksion të zhvillimit të kurikulës studimore e shkencore”, thotë Murataj.

Kjo kompani prej dy viteve është anëtare e shoqatës kombëtare të ujësjellës kanalizimeve në Shqipëri. Zhvillimi i veprimtarive me natyrë profesionale, hapja e panaireve, por dhe shkëmbimi i informacionit më të fundit shkencor e teknologjik, janë disa nga aspektet e këtij partneriteti.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Eliana Xhani