Bjellorusi: Tsikhanuskaja hedh poshtë videon e Prataseviçit
4 Qershor 2021Liderja e opozitës së Bjellorusisë, Sviatlana Tsikhanuskaja u tha përfaqësuesve të mediave të premten në Varshavë se blogeri i ndaluar, Raman Prataseviç është torturuar nga autoritetet bjelloruse për të bërë deklaratën e tij të fundit të rrëfimit me video, e cila u transmetua të mërkurën mbrëma.
"Të gjitha videot e tilla bëhen nën presion," u tha Tsikhanuskaja gazetarëve. Ajo vuri në dukje se qëllimi i të gjithë të burgosurve politikë ishte të mbijetonin dhe se "përmes përdorimit të dhunës ju mund ta bëni një person të thotë çfarë të doni".
Cilës video i referohet Tsikhanuskaja?
Tsikhanuskaja i kërkoi komunitetit ndërkombëtar ta shpërfillë të gjithë përmbajtjen e"rrëfimit"90-minutësh që Raman Prataseviçi bëri në kanalin televiziv shtetëror bjellorus ONT, të mërkurën në mbrëmje.
Në video, ai bën akuza të ndryshme kundër figurave të tjera të opozitës me një zë të pashtruar dhe shpreh admirim për diktatorin bjellorus Aleksander Lukashenko.
Anna Krasulina, një zëdhënëse e Tsikhanuskajas, i tha agjencisë së lajmeve AP se Prataseviçi duhet të konsiderohet peng. "Ai i bëri deklaratat e tij nën presion të ashpër fizik dhe psikologjik dhe, ndoshta nën drogë," tha ajo.
Natalia Prataseviçi, 46 vjeç, nëna e blogerit të ndaluar që jeton në Poloni, i tha agjencisë gjermane të lajmeve dpa, "Unë nuk mund t'i përfytyroj metodat e torturës - si psikologjike ashtu edhe fizike - të cilave po u nënshtrohet djali im në këtë moment," dhe shtoi, "ti ndoshta nuk mund të vuash një torturë më të madhe si nënë".
Si kanë reaguar zyrtarët evropianë?
Zëdhënësi i kancelares gjermane Angela Merkel, Steffen Seibert i quajti deklaratat e imponuara të Prataseviçit që u transmetuan në televizionin shtetëror të Bjellorusisë "të turpshme dhe të papranueshme".
"Kjo është e turpshme për transmetuesin që e transmetoi atë dhe për udhëheqjen bjelloruse, e cila tregon edhe një herë shpërfilljen e saj të plotë për demokracinë dhe - me të vërtetë, duhet ta thuash këtë - mungesën e respektit për njerëzimin," tha Seibert.
Ministri i Jashtëm Britanik, Dominic Raab gjithashtu e dënoi videon dhe përdori Twitter për të kërkuar llogari për ata që janë përgjegjës.
Si po reagon BE ndaj situatës së vazhdueshme në Bjellorusi?
Të premten, BE bëri një veprim përfundimtar për ta ndaluar Belavia-n, shoqërinë ajrore shtetërorë bjelloruse, që të ulet në aeroportet evropiane dhe të ndalojë linjat ajrore evropiane të fluturojnë mbi Bjellorusin.
Rregullat e reja janë vendosur të hyjnë në fuqi në mesnatën e së premtes, me kusht që të mos ketë kundërshtime nga vendet anëtare. Tre diplomatë i thanë agjencisë Reuters se kundërshtim nuk pritej nga askush.
Veprimi vendimtar nga BE vjen më pak se dy javë pasi qeveria bjelloruse përdori pretekstin e një kërcënimi me bombë për të ngritur në ajër një avion luftarak MiG dhe për të devijuar një fluturim të Ryanair me destinacion Vilniusin nga Athina, për të ndaluar blogerin dhe të dashurën e tij, Sofia Sapega.
aud (AFP, AP, dpa, Reuters)