1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bjellorusi: Një vend në kryengritje

18 Gusht 2020

Që pas akuzave për manipulim të zgjedhjeve presidenciale të dielën e kaluar (09.08) Bjellorusia është përfshirë nga protestat. Policia i kundërvihet më forcë opozitarëve, por ka edhe policë që po distancohen nga dhuna.

Minsk Kundgebung Gefängnis Opposition
Fotografi: DW/A. Boguslavskaya

Çdo ditë njerëzit protestojnë kundër presidentit prej shumë vitesh në post Lukashenko dhe kërkojnë zgjedhje të reja.

Në zgjedhje sipas rezultateve zyrtare Lukashenko ka marrë mbi 80 përqind të votave, ndërsa kandidatja e opozitës tashmë e arratisur në Lituani, Svetlana Tichanovskaja ka marrë vetëm 10 përqind. Policia i kundërvihet ashpër opozitarëve. Ndërkohë janë arrestuar 7000 protestues. Disa syresh janë liruar sërish, por vetëm pak demonstrues besojnë se regjimi do të bëjë lëshime.

Protestat po intensifikohen e po ashtu edhe veprimet kundër protestuesve të urdhëruara nga regjimi i Lukashenkos. Në rrjetet sociale po qarkullojnë video nga nata e  zgjedhjeve në Minsk, por edhe ditëve në vazhdim që tregojnë skena të dhunshme, se si policia godet dhe u kundërvihet me gjithë fuqinë demonstruesve.

Fotografi: Getty Images/AFP/S. Gapon

Dhuna si rregull

Janë vetë policët që e dëshmojnë, se përdorimi i dhunës nuk është përjashtim, por rregull në demonstrata. Brutaliteti arrin kulmin, aq sa nuk durohet më as prej vet punonjësve të policisë, që gjatë shërbimit u duhet të kundërvihen ndaj qytetarëve të vendit të tyre. Këto imazhe qarkullojnë në mbarë botën. Por edhe më e rëndësishme është, që këto imazhe arrijnë tashmë në secilin fshat, në secilën familje në Bjellorusi. Edhe tek familja Jemeljanov. Jegor Jemeljanovi, një ish- polic, preket thellë tek sheh këto video. „Të rrjedhin lotët nga këto skena. Ata i lejojnë që t'i rrahin njerëzit në këtë mënyrë. E pas kësaj asgjë nuk ndodh me ta".

Jegor Jemeljanov ka qenë polic deri më 11 gusht. Vetëm dy ditë pas zgjedhjeve, ai e dorëzoi librezën e punës si polic. Ai ka ruajtur vetëm spaletat, si kujtim. Gjithësesi ka punuar 15 vjet si polic. Të heqësh dorë nga një punë e sigurtë nuk është e thjeshtë. Me Marinën, gruan e tij, ai e konsultoi një vendim të tillë. Kur në demonstrata u derdh për herë të parë gjak, thotë Jegor, e mora këtë vendim. "Unë kisha frikë, që mund të na dërgonin në çdo kohë në protesta. Urdhëri vjen kur je  nën uniformë. Ndaj m'u desh të heq dorë paraprakisht. Një urdhër nuk do të mund ta refuzoja, kjo konsiderohet si dezertim. E si burrë nuk mund ta bësh një gjë të tillë t'i lesh shokët diku e të zhdukesh vet. Kur ndodhemi në vendngjarje ne jemi aty për njeri-tjetrin. Ndaj mendova më mirë të largohem përpara”.

Fotografi: imago images/ITAR-TASS/V. Sharifulin

Policia është me popullin

Por ai nuk është i vetmi, thotë Jegor, që është larguar nga radhët e policisë. "Në sektorin tim llogaritet përafërsisht jemi dhjetë përqind që kemi hequr dorë nga puna aktualisht. Dhjetë përqind e policëve".

Megjithatë gruaja e tij, Marina, është e shqetësuar, se tani Jegorin mund ta dënojnë. "Kam frikë, që ai kur të çojë fëmijët në kopësht ndoshta papritur nuk do të kthehet më. Unë nuk e di ku mund ta degdisin atë. Por ne tani nuk mund ta kthejmë pas hapin e ndërmarrë. Ne sërish do ta bënim një hap të tillë". Masa protestuese e njerëzve kërkon solidarizimin e policëve duke thirrur: „Policia është me popullin". Por derisa të arrihet vërtetë kjo do të zgjasë ende.

 

 

Ina Ruck/Ilja Kusnetsow