"Bllokimi" i buxhetit në SHBA
1 Tetor 2025
CNN tregonte vazhdimisht një numërim mbrapsht deri në 1 tetor në orën 00:01 të mëngjesit. Tani dihet: Prej këtij momenti Shtetet e Bashkuara janë në "Shutdown", një lloj "mbylljeje", që është e para në gjashtë vjetët e fundit. Dhe nuk duket se do të përfundojë së shpejti.
"Mbyllja" do të thotë që qeveria federale ka pezulluar pjesërisht pagesat, sepse Kongresi nuk e ka miratuar buxhetin për vitin tjetër. Tani ata mund të bien dakord deri në mesnatë për një buxhet të përkohshëm. Por edhe për këtë, republikanët dhe demokratët kanë dallime shumë të mëdha.
"Shutdown" në SHBA
Republikanët aktualisht kontrollojnë të dy dhomat, Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin. Por ata nuk e kanë shumicën e duhur prej 60 votash për të votuar projektligjin e buxhetit në Senat. Prandaj, ata do të duhet të bindin të paktën shtatë anëtarë demokratë të Senatit që t'u bashkohen atyre në miratimin e buxhetit.
Por demokratët po e bllokojnë buxhetin, sepse duan të heqin shkurtimet e planifikuara në programet e kujdesit shëndetësor për njerëzit me të ardhura të ulëta. Ndërkohë që këto shkurtime janë pjesë e "Projektligjit të Madh të Bukur" të Trumpit, që e ka paralajmëruar kaq shpesh.
Dy votime të tjera dështuan të martën në mbrëmje. Ato vetëm sa thelluan përçarjen midis dy kampeve dhe nuk u pranua asnjëri propozim i palëve. Tani autoritetet e shtetit mund të kryejnë vetëm punët e detyrueshme, ato që janë thelbësore ose pjesë e funksioneve të detyrueshme të qeverisë.
Patrulla kufitare, policia dhe kontrolli i trafikut ajror, si thelbësore, vazhdojnë të funksionojnë, ashtu si dhe gjykatat federale. Personeli ushtarak mbetet në detyrë, por jo punonjësit civilë të Pentagonit. Duhet të punojnë edhe disa shërbime shëndetësore dhe ato të kujdesit për kafshët. Por mbetet të shihet si do të paguhen dhe kur.
Kjo "mbyllje" mund të zgjasë më shumë
A do të ketë pushime nga puna për shkak të mbylljes? Mbyllja e fundit në vitin 2018/2019, ka zgjatur 35 ditë. Që atëherë, ka qenë në fuqi një ligj që u garanton të gjithë punonjësve federalë të prekur pagesën automatike të prapambetur sapo të miratohet një buxhet.
Por nëse ky ligj do të zbatohet në të gjitha rastet këtë herë është e dyshimtë. Administrata Trump ka udhëzuar disa agjenci federale të rishikojnë planet për pushime të përhershme nga puna. Qëllimi është të përdoret mbyllja për të zvogëluar më tej aparatin shtetëror.
Shumica fajëson republikanët
Ky shqetësim është sigurisht i justifikuar. Një deklaratë nga një kongresmen republikan në kanalin konservator Fox News e bëri të qartë se eksziton shqetësim i madh. Ai kishte mbështetur shkurtimet e vendeve të punës sepse shumica e të prekurve jetojnë në Uashington, D.C. - "dhe votimi atje është ekskluzivisht demokrat gjithsesi". Megjithatë, çështja nuk duket të jetë aq e thjeshtë. Sipas një sondazhi të fundit, 53 përqind e amerikanëve fajësojnë republikanët për izolimin. Vetëm 32 përqind fajësojnë demokratët për ngërçin. Prandaj, situata aktuale mund të jetë shumë e dëmshme për republikanët.