1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bllokimi i arbitrit Poll - A mund të ndalohen gabimet me kartelat e ndëshkimit në futboll?

Matias Merget25 Qershor 2006

Edhe gjatë Kampionatit Botëror të Futbollit në Gjermani arbitrat po japin shkas për diskutime. Në qendër të kritikës është tani arbitri britanik Graham Poll.

Ndeshja Brazil-Argjentinë, arbitri gjerman Markus Merk
Ndeshja Brazil-Argjentinë, arbitri gjerman Markus MerkFotografi: AP

Në kuartierin sportiv në Frankfurt stërviten rreth 30 arbitra dhe asistentët e tyre. Por më i rëndësishmi si për indinjatën e të gjithëve mungon, sepse të gjithë dëshironin të flisnin me Graham Poll. Njeriu që i ka krijuar probleme shefit të FIFA-s Sep Blater:
"Një gabim i tillë, nuk duhet të ndodhë. Madje as në një situatë të tensionuar s´duhet të ndodhë një gjë e tillë."

Bllokimi i Graham Poll në ndeshjen Kroaci-Australi përbën skandalin më të madh deri më sot në një Kampionat Botëror. Lojtari kroat Simunic u dëbua nga fusha pas kartelës së tretë të verdhë dhe jo sipas rregullit pas të dytës. A është në gjendje të numërojë arbitri Poll, apo si mundi të ndodhë një lapsus i tillë? Vetë Poll hesht, ndaj ai dha vetëm një deklaratë zyrtare përmes zëdhënësit të FIFA-s Markus Siegler: "Arbitri deklaroi përpara komisionit të arbitrave, se tek ka lëshuar kartelën e dytë të verdhë kundër Simunicit gabimisht ka shënuar emrin e lojtarit australian me numrin 3 dhe as gjatë vazhdimit të ndeshjes s´ka arritur ta vërë re këtë ngatërresë."

Ajo që është e pabesueshme në këtë vendim të gabuar është fakti, se as Poll dhe as dy asistentët e tij nuk e kanë kapur këtë gabim: pra kemi të bëjmë me një dështim kolektiv? Si rrjedhojë Poll dhe dy asistentët e tij janë të dëshpëruar, thotë Andreas Verz, mbikqyrës i arbitrave të FIFA-s: "Ata kuptohet që janë jashtëzakonisht të dëshpëruar dhe të zhgënjyer. Në fakt ata s´mund ta kuptojnë, se si ka ndodhur kjo. Ndaj Poll dhe ekipi i tij janë prekur thellë."

Si mund të shmangen në të ardhmen të tilla gabime? Kësaj është e vështirë t´i përgjigjesh. Sepse nëse pesë persona përgjegjës s´janë në gjendje të numërojnë deri në dy, atëherë s´mund të ndihmojë as përzgjedhja më e mirë në konkursin e vështirë dhe të sterholluar të arbitrave. Andreas Verz: "FIFA s´ka përse ta ndjejë veten ngushtë. Gabime do të ketë gjithmonë, do të ketë edhe pas katër vjetësh në Afrikën e Jugut edhe në turne të tjera. Por kuptohet që gabime të tilla të krijojnë shqetësime."

Për Graham Poll dhe ekipin e tij tashmë Kampionati Botëror ka marrë fund. Vendimin do ta japë komisioni i arbitrave të mërkurën (28.06). Në atdheun e tij qysh tani kanë nisur të ironizojnë ndaj Pollit, në Angli po tregohet barsaleta: se "cili është ndryshimi mes Graham Pollit dhe një baterie? Edhe bateria ka një anë pozitive." Por vështirë se Polli mund të habitet prej këtij humori therës.