1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bllokohet buxheti - Gjermania shkel me urgjencë frenat

21 Nëntor 2023

Qeveria gjermane merr seriozisht vendimet e Gjykatës Kushtetuese që e quajti jo ligjor përdorimin për qëllime të tjera të 60 miliardë eurove nga buxheti 2021. Fondet e parashikuara për Coronën do kalonin për modernizim.

Ministri i Ekonomisë, Robert Habeck dhe kancelari, Olaf Scholz  duhet të gjejnë zgjidhje për 60 miliardat që mungojnë në buxhet
Ministri i Ekonomisë, Robert Habeck dhe kancelari, Olaf Scholz duhet të gjejnë zgjidhje për 60 miliardat që mungojnë në buxhetFotografi: Jens Krick/Flashpic/picture alliance

Ministria gjermane e Financave e ka zgjeruar bllokimin e buxhetit për fondin e klimës dhe transformimit gati tek të gjithë parametrat buxhetorë federalë. Detyrimet në fuqi do të vazhdohen të respektohen edhe më tej, thuhet nga qarqet e Ministrisë së Financave, sipas një kërkese të studios së ARD. Ministria ndal edhe kompetencat e administratës për të marrë përsipër detyrime pagese për vitet e ardhshme, si për shembull për projekte disavjeçare, kjo për të mënjanuar barrën financiare për vitet e ardhshme. Më tej thuhet, se vetëm në raste të veçanta do të ketë përjashtime.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese

Javën e kaluar Gjykata Kushtetuese vendosi se përdorimi për qëllime të tjera i kredive prej 60 miliardë eurosh nga buxheti i vitit 2021 nuk është konform ligjit. Këto fonde ishin parashikuar atëherë për tejkalimin e krizës së Coronës, por më pas u vendos që të ndërronin qëllim e të shpenzoheshin në një fond për mbrojtjen e klimës dhemodernizimin e ekonomisë. Tani këto miliarda nuk janë më në dispozicion për të ashtuquajturin fondi i klimës dhe transformimit.

Qeveria gjermane reagoi duke ngrirë projekte të caktuara, që duhej të financoheshin me këtë fond. Prej ditësh qeveria e koalicionit përpiqet të gjejë një rrugëdalje pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese në Karlsruhe. Socialdemokratët e SPD ka ngritur zërin për perzullimin e përkohshëm të frenës së borxheve, për të mbushuar boshllëkun e 60 miliardë eurove. Ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habeck e mbështet pezullimin e frenës së borxheve po nuk shikon se ka një mazhorancë për këtë ndryshim.

Ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habeck parashikon ditë të vështiraFotografi: Hannes P. Albert/dpa/picture alliance

Nga do të vijnë paratë e munguara?

Sekretari i Përgjithshëm i SPD; Kevin Kühnert tha për ARD-Morgenmagazin, se nuk ka ndryshuar edhe pas vendimit emergjenca për mbrojtjen e klimës dhe transformimin e ekonomisë. Duhet të gjejmë burime të tjera financimi, nuk duhet që 60 miliardët të kursehen me "korrëse", sipas tij.

Kurse politikani i majtë, Dietmar Bartsch kërkoi për shkak të emergjencës financiare në Gjermani "tatim klime për të pasurit". "Pas vendimit të Karlsruhes nuk duhet të ketë shkurtime sociale për të mbushur boshllëkun e 60 miliardë eurove." FDP, partia liberale është kundër ndryshimit të ligjit për frenën e borxheve dhe kërkon shkurtime sociale.

Ministria gjermane e FinancaveFotografi: Jürgen Ritter/imago images

Të martën ekspertët do të ndihmojnë qeverinë dhe parlamentin në një takim të posaçëm për të interpretuar si duhet vendimin buxhetor të Gjykatës Kushtetuese. Komisioni Parlamentar Buxhetor zhvillon një seancë dëgjimi me ekspertët që janë emëruar nga grupe të ndryshme parlamentare. Në një njoftim të publikuar paraprakisht ata janë të mendimit, se vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të ketë pasoja jo vetëm për fondin e klimës por edhe fonde të tjera të posaçme.

la/ard

 

Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë