1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Blogerët e Turqisë kundër censurës në internet

Senada Sokollu11 Shkurt 2014

Në Stamboll ka pasur përplasje të reja mes forcave të sigurisë dhe demonstruesve për më shumë liri në internet. Por blogerët janë të bindur se do të gjejnë rrugë për evitimin e censurës.

Fotografi: picture-alliance/dpa

"Interneti apo apokalipsi!" Me këtë sllogan marrshuan mbi 2000 demonstrues këtë fundjavë në Stamboll. Policia turke reagoi duke përdorur gaz lotësjellës, pompa uji dhe shkopinjtë e gomës. Demonstruesit u kundërpërgjigjën duke sulmuar me gurë dhe me mjete piroteknike.

Shkaku i konfrontimeve ishte miratimi i ligjit për kufizime në internet. Me këtë ligj qeveria do të mund ta kontrollojë internetin dhe të ndalojë botimin e faqeve, pa vendim gjykate. Botuesit në internet detyrohen t'i memorizojnë edhe të dhënat për përdoruesit e këtyre faqeve dhe t'ua vënë në dispozicion autoriteteve. Kryeministri Recep Tayyip Erdogan i ka hedhur poshtë kritikat për censurë dhe kufizim të lirisë së mendimit. Qeveria e tij do t'i mbrojë të rinjtë: "Këto rregulla nuk paraqesin censurë të internetit. Përkundrazi, ato e bëjnë internetin më të sigurtë dhe më të lirë", citohet Erdogan me deklaratën për gazetën Hürriyet. Që ligji të hyjë në fuqi ai duhet të nënshkruhet nga presidenti Abdullah Gül. Kritikët kanë kërkuar prej tij veto.

"Do të gjejmë rrugë të tjera"

Kritiku Ogulcan Ekiz, një student 22-vjeçar, është një blloger aktiv në "140journos". Në këtë platformë mund të raportojë secili për ngjarjet e ndryshme. "Ne jemi aktiv në Twitter, Soundcloud, Facebook dhe Storify. Njerëzit si për shembull demonstruesit nga e shtuna e kaluar, dërgojnë fotografi, video dhe inçizime për ngjarjet, të cilat ne i vëmë në internet", thotë Ekiz për DW. Në veçanti pengon mundësia e bllokimit të faqeve të internetit. "Qeveria nuk do ta ndalojë Twitter, të cilin e shfrytëzon për qëllimet e veta. Por edhe faqet me Twitter mund të bllokohen."

Ogulcan EkizFotografi: DW/Senada Sokollu

Studenti dhe kolegët e tij kanë përvoja me ndalimin e internetit në Turqi. Rreth 250 intervista, të cilat i kishin memorizuar në Soundcloud, janë bllokuar javën e kaluar. "Ne kemi gjetur një faqe ku mund t'i përdorim këto intervista. Nëse qeveria e kufizon edhe Twitter, ne do të kërkojmë rrugë të tjera", thotë ai. "Por çdo hap që lehtëson cesurën është një hap kundër lirisë së shprehjes së mendimit".

Qeveria i ka frikësuar njerëzit, thotë Ekiz. Ai kujton Mahir Zeynalovin, një gazetar i huaj i cili është dëbuar nga vendi për shkak të mesazheve me tweeter. "Ky rast tregon se sa lehtë e ka qeveria me zbatimin e masave të censurës për kritikë."

"Interneti nuk mund të bllokohet tërësisht"

Deniz Ergürel, bloger dhe sekretar i përgjithshëm i Shoqatës së Mediave e sheh këtë ligj si një problem të madh. "Ligji i ri definon krime të reja, si për shembull "parullat e urrejtjes". Por ku vendos për këto parulla? Ku është kufiri?", pyet Ergürel në bisedë me DW. Problemi tjetër i madh është ndërhyrja në sferën private të njerëzve, sepse komunikimi me internet do të memorizohet për një periudhë deri në dy vite. Në këtë mënyrë të githa gjërat bëhen publike, pra edhe gjërat private.

Deniz ErgürelFotografi: DW/Senada Sokollu

Por Ergürel mendon se do të gjenden rrugë të tjera për përdorimin e internetit. "Nuk mund të kufizohen dhe të mbikqyren në tërësi të dhënat në internet", thotë ai. Censura ëshë një mjet shumë i veçantë për propagandë, sepse nëse diçka ndalohet i kushtohet edhe më shumë vëmendje."