1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BMW në Mynih vetëm me automobilë elektrikë nga viti 2027

14 Janar 2024

Fabrika kryesore e BMW në Mynih së shpejti do të prodhojë vetëm automobilë elektrikë. Për këtë koncerni po investon qindra milionë euro në mënyrë që fabrika të mund të konvertohet pa ndërprerjen e prodhimit.

BMW-Werk Leipzig
Fotografi: picture-alliance/dpa/J. Woitas

BMW dëshiron të ndërtojë vetëm automobilë elektrikë në fabrikën e saj në Mynih në katër vjet. Grupi bavarez po investon disa qindra milionë euro në mënyrë që fabrika të mund të konvertohet pa ndërprerjen e prodhimit.

BMW ka vendosur ta konvertojë plotësisht fabrikën e saj kryesore në Mynih në fabrikë për prodhimin e automjeteve elektrike. "Ne po investojmë 650 milionë euro këtu dhe për këtë arsye do të prodhojmë ekskluzivisht automjete plotësisht elektrike në fabrikën tonë kryesore nga fundi i vitit 2027," tha anëtari i Bordit të Prodhimit, Milan Nedeljkovic. Ky do të shënojë fundin e epokës së automjeteve me motorë me djegie, 75 vjet pas prezantimit të BMW 501.

Fotografi: Action Pictures/imago images

Aktualisht, çdo ditë nga linja e prodhimit të Mynihut largohen pothuajse 1000 automjete, duke përfshirë BMW Serinë 3 dhe i4 tërësisht elektrike, të gjitha në të njëjtën linjë prodhimi. Prodhimi i automjeteve në platformën e re elektrike të Klasit të Ri në fabrikën kryesore është planifikuar të fillojë në vitin 2026. Një vit më vonë, fabrika do të jetë fabrika e parë e BMW, që do të kalojë plotësisht nga motorët me djegie në automjetet me bateri (BEV). 

Konvertimi pa e ndërprerë prodhimin

Investimi prej 650 milionë eurosh do të shpenzohet për ndërtimin e një fabrike të re të montimit të automobilëve, që do të përfshijë hapësira logjistike dhe ndërtimin e një karrocerie të re. Për të krijuar hapësirën e nevojshme në uzinën qendrore të Mynihut, prodhimi i motorëve u zhvendos në Hams-Hall (Angli) dhe Steyr (Austri). 1200 punonjës këmbyen vendet e punës ose u transferuan. Sipas kompanisë, riorganizimi po bëhet pa e ndërprerë prodhimin.

Fotografi: Jens Niering/picture alliance

Sipas Nedeljkovicit, BMW nxorri në treg gjashtë modele të reja tërësisht elektrike vetëm vitin e kaluar. Kështu dëshiron të "formësojë të ardhmen” Grupi BMW, deklaroi anëtari i Bordit Drejtues të BMW. Vetëm dje, Grupi raportoi një rritje të konsiderueshme të kërkesës për automobilë elektrikë: BMW u dorëzoi klientëve 330.596 automjete elektrike në vitin 2023, një rritje prej 92.2% krahasuar me vitin e kaluar. Vetëm në tremujorin e katërt, kjo shifër ishte 113.458.

500.000 automjete elektrike do të dorëzohen në vitin 2024

Automjetet elektrike përbënin 15% të shitjeve totale të BMW-së në vitin 2023 dhe parashikohet të rriten në një të pestën këtë vit. "Ne vazhdojmë të kemi kërkesa të larta për produktet tona plotësisht elektrike," shpjegoi Jochen Goller, anëtar i Bordit Drejtues të BMW. Grupi BMW synon të shesë më shumë se gjysmë milioni automjete plotësisht elektrike deri në vitin 2024.

Megjithatë, BMW nuk ka caktuar një datë fikse për braktisjen graduale të motorëve me djegie, siç ndodh te Audi apo Mercedesi, për shembull. Motorët me djegie do të prodhohen "për aq kohë sa ka nevojë për to", ka thënë në disa raste Drejtori Ekzekutiv i Grupit, Oliver Zipse, i cili ka kritikuar BE për braktisjen e imponuar politikisht të motorëve me djegie nga viti 2035.

Në të ardhmen, motorët me benzinë dhe naftë për modelet e BMW-së do të vijnë nga fabrikat në Mbretërinë e Bashkuar dhe Austri. Në tregje të tjera, si në SHBA apo Kinë, motorët do të prodhohen në vend.

Investuesit reaguan me kujdes në bursë, ku çmimi i aksionit për BMW ra lehtë pak pas njoftimit. Ai ra minimalisht me 0.3%, në 100.48 euro.

 

 

aud (dpa, ag)