1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Braktisja e shkollës nga fëmijët - Fenomen në Shqipëri

13 Shtator 2011

Megjithëse shifrat janë ulur nga viti në vit fenomeni është prezent sidomos në zonat e Fierit, Korçës, Elbasanit, Durrësit, Shkodrës, pjesës periferike të Tiranës etj.

Ka vendime të qeverisë që librat për fëmijët romë të jenë falas. Author: Arben Muka /DW Correspondent in Albania Time: 03.03.2011 Place: Community center in Durres / ALBANIA
Ka vendime të qeverisë që librat për fëmijët romë të jenë falas.Fotografi: DW

Elmir T. 11 vjeç banon në periferi të Tiranës. Për të dytin vit rradhazi Elmiri nuk shkon në shkollë. Ndërpreja e mësimeve sipas tij është bërë për shkaqe ekonomike, pasi nëna dhe dy motrat e tij më të vogla presin që të ushqehen nga puna e tij. “Unë shes çdo ditë paketa me cigare, çakmakë dhe sende të lira. Njerëzit nëpër klube m'i blejnë dhe unë fitoj lek, që të hamë bukë në shtëpi. Në shkollë dua të shkoj, por çfarë të bëj? Na duhen lekë.”

Në zonën e quajtur Kombinati Tekstil në Tiranë edhe Ramush M. me origjinë nga Kuçova nuk e ka filluar këtë vit shkollor. Ai ka mbaruar klasën e gjashtë dhe prej disa muajsh punon në një lavazh makinash. “Do ta bëj natën shkollën. Daja do më regjistrojë në shkollën e natës, që të mos humb punën”.

Por Elmiri dhe Ramushi nuk janë të vetmit, që nuk janë ulur në banka me shokët në këtë vit shkollor, që sapo ka nisur. Diku për arsye ekonomike, diku për neglizhencë të prindërve, diku për gjakmarrje e hakmarrje, diku për mungesë të një shkolle afër qëndrës së banimit, apo për shkaqe te tjera, fenomeni i braktisjes së shkollës është prezent në Shqipëri. Shifrat vijnë duke u ulur, por gjithsesi autoritetet zyrtare të arsimit nuk janë të kënaqur dhe e kanë shpallur si prioritet reduktimin e numrit drejt zeros.

"Drejtoritë arsimore nëpër rrethe nuk duhet të fshehin realitetin"

Nora Malaj, zëvëndësministrje e ArsimitFotografi: DW

Nora Malaj, zëvëndsministre e Arsimit, thotë për DW se treguesi për braktisjen e shkollës nga femijët në sistemin publik mësimor është në nivelin 0.26 përqind nga 1.23 përqind, që ka qënë pak kohë më parë. Por organizatat, që punojnë në fushën e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve flasin për një shifër disa herë më të lartë se sa ajo, që shpallin autoritetet. Altin Hazizaj, drejtor i Qendrës për të Drejtat e Fëmijëve, CRCA, thotë për DW se drejtoritë arsimore nëpër rrethe nuk duhet të fshehin realitetin, pasi kjo është një kosto për shoqërinë: “E drejta e arsimit është një e drejtë bazë dhe kjo e drejtë nuk mund të shkelet nga kompromiset, që shkolla dhe drejtoritë arsimore mund të bëjnë me mësuesit dhe me vetë prindërit e fëmijëve. Një pjesë e mirë e fëmijëve nuk shkojnë në shkollë, sepse nuk i lejojnë prindërit, por nga ana tjetër ligji i ngarkon mësuesit e drejtoritë arsimore të bëjnë verifikime se përse një fëmijë nuk vjen në shkollë, cili është rasti konkret, çfarë specifikash ka etj etj.”

Hazizaj thotë se aktivistët e qëndrës kanë monitoruar për disa muaj rresht gjendjen në shumë shkolla të vendit në zonat rurale e urbane dhe kanë vënë re raste, kur orët e mësimit bëhen të shkurtuara dhe kur nën justifikimin e mungesës së trupës pedagogjike programi bëhet i cunguar, duke motivuar sipas tij braktisjen e shkollës.

Programe mbështetëse të Ministrisë së Arsimit kundër braktisjes së shkollës

Altin Hazizaj, drejtor i Qendrës për të Drejtat e Fëmijëve, CRCA.Fotografi: Altin Azizaj

Zëvëndësministrja e Arsimit Nora Malaj tregon se në vitin e ri shkollor, që ka nisur, janë afruar në mjediset shkollore afër 3200 fëmijë nga familjet në vështirësi familjare, që më parë nuk ishin në skemat e ndjekjes së shkollës. Sipas saj ka vendime të qeverisë që librat për fëmijët e komunitetit rom të jenë tërësisht falas, ndërkohë që në marrëveshje me komunat e bashkitë bëhen përpjekje për sigurimin e transportit falas. Ne do të nxisim sistemin profesional për këtë kategori, thotë Malaj për DW: “Të cilët pasi të mbarojnë sistemin e detyrueshëm arsimor t'u krijohet mundësia që të marrin një profil a të specialzohen në drejtime të ndryshme, në mënyrë që nesër të jenë të aftë që t'i dalin për zot jetesës së tyre dhe familjeve. Po mendohet një projekt pilot, që do ta nisim në Tiranë dhe më pas do ta shtrimë në të gjithë vendin, për mundësinë e dhënies së ushqimit për shkollat fillore, si një nevojë e domosdoshme dhe si një mekanizëm i rëndësishëm për të realizuar procesin e të mësuarit dhe mënyrë se si menaxhohet koha.”

Nora Malaj thotë se ka dhe projekte të përbashkëta me UNICEF-in dhe organizata të tjera, siç është organizimi i shkollave verore, apo programe për parashkollorët si mënyra për të mbajtur të integruar fëmijët gjatë gjithë ciklit të arsimit të detyruar.

Programe mbështetëse ka edhe Federata e Sindikatave të Arsimit

Xhafer Dobrusha, kryetar i Federatës së Sindikatave të ArsimitFotografi: DW/Arben Muka

Xhafer Dobrusha, kryetar i Federatës thotë për DW se shifrat, që ka organizata e tij tregojnë për një numër nga 4 deri në 5 mijë fëmijë, që braktisin shkollën në të gjithë vendin. Rajonet më problematike sipas Dobrushës janë Fieri, Korça, Elbasani, Durrësi, Shkodra, pjesa periferike e Tiranës etj: “Roli i sindikatës është që të ngrejë opinionin e mësuesve, që ata përveç punës kryesore, që ka lidhje me mësimdhënien të interesohen për atë kategori nxënësish, që nuk paraqiten në shkollë, të jetojnë me problemet e tyre, t'i mbajnë afër, të bashkëpunojnë me familjet dhe mbi të gjitha këtu është bashkëveprimi i komunitetit: sindikatë, prindër, qeveri e nxënësve dhe drejtori e shkollës e drejtori arsimore”.

Xhafer Dobrusha thotë se Federata në bashkëpunim me partnerë sindikalë europianë dhe botërorë është fokusuar në dy rrethe, që konsiderohen si problematike në këtë aspekt, në Fier dhe në Korçë: “Por duke patur parasysh që dhe organizata e subjekte të tjera janë anagazhuar në zona të tjera të vendit, kjo e zgjeron hartën e sensibilizimit të opinionit, për ta luftuar braktisjen e mësimit nga fëmijët.”

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Angjelina Verbica