Brazil - Jo të gjithë tifozët kanë para
21 Qershor 2014Qilimi jeshil është i mbuluar me çanta shpine. Në jastekë janë ulur tifozë të lodhur nga Kili, Argjentina dhe Kolumbia dhe po flenë. Flamujt u shërbejnë si një batanije. Në një ekran shfaqen ndeshjet për Kupën e Botës. Në mur varet një fotografi e madhe me tifozë brazilianë: "Ne jemi një familje," thuhet në reklamat e Kupës së Botës.
Oazi i gjelbër gjendet në stacionin e autobusëve në Rio de Zhaneiro. Rreth 50.000 dhe 80.000 pasagjerë kalojnë këtu çdo ditë. Gjatë katër javëve të Botërorit atyre u shtohen dhe 1.5 milionë turistë nga jashtë. Por ndërkohë është marrë vesh ndër tifozët e futbollit që aty nuk mund të shikosh vetëm ndeshjet e Kupës së Botës, por edhe mund të kalosh natën.
Stacioni i autobusëve si hotel
"Unë fle prej dy ditësh këtu, sepse nuk e di ku të shkoj tjetër", thotë Juan Sebastian Oviedo. "Në hotel nata kushton të paktën 35-50 euro. Këtu paguaj vetëm për ruajtjen e bagazhit dhe përdorimin e dusheve."
Kolumbiani 26-vjeçar i takon grupit më të madh të tifozëve nga Amerika Latine, që kanë kaluar Andet për ekipin e tyre dhe kanë udhëtuar mijëra kilometra me autobusë. "Vëllezërit" si i quajnë ata brazilianët e kanë ndryshuar pamjen e Rio de Zhaneiros. Ata festojnë në Copacabana, flenë në plazh, apo nëpër qoshe.
Rreth 500.000 latino-amerikanë, ndër ta 150.000 argjentinas kanë ardhur sipas vlerësimeve të Entit të Turizmit Riotur për Botërorin në Copacabana. Qeveria braziliane vlerëson se rreth tre milionë brazilianë dhe 600.000 turistë shkojnë për të parë ndeshjet në dymbëdhjetë qytetet ku zhvillohen ato.
Jo të gjithë tifozët kanë para
Rreth tre miliardë dollarë pritet të sjellin turistët që vijnë për ndeshjet e futbollit në Brazil. Sekretar për turizmin Claudio Magna Vita bën një bilanc pozitiv. "Rreth 50.000 tifozët nga Argjentina, që ishin në ndeshjen e ekipit të tyre kundër Bosnjës në Rio më 15 qershor, kanë shpenzuar rreth 1000 $ për kokë gjatë qëndrimit të tyre," tha ai në një konferencë për shtyp.
Megjithatë, jo të gjithë turistët sjellin dollarë me vete. "Ka një keqkuptim që për Kupën e Botës vijnë vetëm turistët me të holla," sqaron kolumbiani Juan Sebastian Oviedo, i cili studion në Kosta Rika eko-turizëm dhe shkenca mjedisore. "Sepse për latino-amerikanët është shumë shtrenjtë këtu në Brazil. Çmimet janë deri dy herë më të larta se në vendet tona."
Edhe zëdhënësia e Stacionit Qendor të Autobusëve Beatriz Lima , thotë se deri tani nuk ka parë një gjë të tillë, që në stacion të flenë kaq shumë njerëz. "Ne ishim bërë gati që do të vinin shumë turistë, por jo që ata do të flinin dhe në stacion."