Brazil: Mbështetësit e Bolsonaros sulmojnë Kongresin
9 Janar 2023Mijëra mbështetës të ish-presidentit të djathtë brazilian, Jair Bolsonaro, pushtuan Kongresin Kombëtar dhe shkaktuan dëme të konsiderueshme materiale. Siç shihet edhe nga fotografitë e shpërndara shumë nga pushtuesit ishin veshur me të verdha dhe valëvitnin flamurin brazilian. Një fotograf i agjencisë së lajmeve AFP tha se policia kishte përdorur gaz lotsjellës për të zmbrapsur qindra protestuesit.
Pas sulmit ndaj Kongresit mbështetësit e Bolsonaros u drejtuan drejt Gjykatës së Lartë. Portali i lajmeve G1 raportoi se ata shkatërruan dritaret dhe hynë në hollin e gjykatës.
Sipas videove të transmetuara në mediat lokale sulmuesit shkatërruan mobiljet. Gjatë mandatit të Bolsonaros gjyqtarët iu kundërvunë shpesh vendimeve të Bolsonaros dhe për këtë arsye përçmohen nga mbështetësit e tij.
Presidenti Lula i quajti këto veprime "barbarizëm"
Objekt i sulmuesve ishte edhe selia e qeverisë në Palácio do Planalto. Në pamjet e transmetuara nga TV Globo shihen burra me flamuj brazilianë që ecnin nëpër korridoret dhe zyrat.
Në deklaratën e tij të parë rreth këtyre ngjarjeve presidenti Lulai cilësoi sulmet si "barbarizëm” – të kryera nga "vandalë fashistë”. Të gjithë ata që kanë marrë pjesë në to do të përgjigjen para ligjit.
Ai premtoi gjithashtu se do të gjejë edhe mbështetësit që organizuan dhe financuan sulmin ndaj institucioneve demokratike, të cilët do të dënohen po ashtu me forcën e plotë të ligjit.
Paralele me sulmin ndaj Kapitolit të SHBA
Pamjet nga Brasilia të sjellin në mend kujtimet e sulmit ndaj Kapitolit të SHBA në Uashington nga mbështetësit e ish-presidentit Donald Trump më 6 janar 2021.
Qeveria amerikane reagoi me shpejtësi sulmit. "Shtetet e Bashkuara dënojnë çdo përpjekje për të minuar demokracinë në Brazil”, shkroi në Twitter këshilltari i presidentit amerikan Joe Biden për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan. Presidenti Biden po e ndjek gjendjen nga afër . Demokracia në Brazil nuk do të tronditet nga dhuna.
Edhe Presidenti i Këshillit të BE-së, Charles Michel, e dënoi ashpër sulmin ndaj institucioneve demokratike të Brazilit.