1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ulet numri i popullsisë në Shqipëri

30 Janar 2012

Popullsia e Shqipërisë është zvogëluar me 7,7 përqind ose me rreth një gjysmë milioni në dekadën e fundit. Ky pohim vjen nga rezultatet paraprake të censusit 2011, të publikuara nga Instituti i Statistikave.

Numri i shqiptarëve në dhjetë vjet ka rënë
Numri i shqiptarëve në dhjetë vjet ka rënëFotografi: DW

Shqipëria ka 2,8 milion banorë në krahasim me 3, 07 milion që kishte para 10 vitesh ose 7,7 % më pak. Të dyja shifrat janë zyrtare dhe vijnë nga censuset e zhvilluara njëri në vitin 2001 dhe tjetri në fund të 2011-ës. Zvogëlimi i numrit të popullsisë së Shqipërisë në vitin 2011 rezulton të jetë edhe më i madh: 11,1 % nëse i referohemi censusit të vitit 1989. Milva Ekonomi, ekonomiste dhe eksperte e njohur në fushën e statistikave, shkakun kryesor për këtë tkurrje të popullsisë në 10 vitet e fundit e gjen në emigrimin e shqiptarëve.

Numri i njerëzve që mungojnë në Shqipëri në krahasim me vitin 2001 është 472 mijë vetë. Kjo llogaritet duke shtuar numrin e lindjeve, hequr atë të vdekjeve, shtuar njerëzit që kanë hyrë në Shqipëri në këto 10 vite për të jetuar dhe punuar si edhe ata që ata që kanë emigruar. Por ka një numër të konsideruershëm njerëzish që kanë emigruar jashtë, rreth 47 mijë në vit, mendon Milva Ekonomi.

Shqiptarët vazhdojnë ende të emigrojnë

Shifrat zyrtare tregojnë se brenda dy dekadave 1991- 2011, dekada që nisën me përmbysjen e regjimit komunist, kanë emigruar rreth 1,1 milionë shqiptarë, kryesisht në vendet fqinjë Greqi dhe Itali por edhe në vende të tjera të BE si edhe përtej Atlantikut, në SHBA dhe në Kanada. Nga të dhëna krahasuese të Bankës Botërore rezulton që ky tregues të jetë tri deri katër herë më i lartë se në vendet e tjera në zhvillim të botës ose në procese tranzicioni.

Rreth 25-30 për qind e popullsisë së përgjithshme të Shqipërisë dhe 35-40 për qind e popullsisë aktive të saj gjatë periudhës së tranzicionit, kanë qenë emigrantë jashtë. Me këtë nivel emigracioni Shqipëria renditet ndër vendet e para në rajon duke përjashtuar Bosnjë-Hercegovinën ku fluksi emigrator për arsyet e njohura të luftës, u kombinua me fluksin e refugjatëve. Në kushtet kur qëndrimi pa dokumenta në vendet e BE është pothuajse i pamundur, shqiptarët vazhdojnë të plotësojnë çdo vit formularët e llotarisë amerikane apo kanadeze të emigrimit.

Për sociologët vendas arësyeja kryesore e vazhdimit të emigrimit janë vështirësitë ekonomike dhe dëshira për një jetë më të mirë. Por edhe mosbesimi tek elitat politike, përformanca e të cilave në këtë 10 vjeçar të fundit është shoqëruar me kriza politike, ngadalësim të ecurisë demokratike dhe ekonomike, gjë që u shfaq edhe në refuzimin dy herë radhazi nga Komisioni Europian i aplikimit te Shqiperise për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.

Ulje e numrit të lindjeve

Në zvogëlimin e numrit të popullsisë së Shqipërisë me 7,7 % në 10 vitet e fundit ka edhe një shkak tjetër. Në këtë dhjetëvjeçar është ulur edhe numri i lindjeve. Nëse shohim numrin e familjeve për një banesë të zënë rezulton që në vitin 2001, ai ka qenë 1,04 familje për një banesë. Kurse në vitin 2011 kemi 1,02 familje për një banesë. Kjo tregon që në Shqipëri është përmirësuar disi edhe jeta e përditshme. Njëherazi ai është një tregues për të përforcuar mendimin që shkaku kryesor i zvogëlimit të popullsisë vjen nga emigrimi jashtë, thotë Milva Ekonomi.

Shqipëria ka ritmin më të lartë të urbanizimit në rajon. Edhe pse e zvogëluar popullsia në Shqipëri në dhjetëvjeçarin e fundit ka pësuar një ndryshim cilësor: sipas të dhënave paraprake nga Instituti i Statistikave për herë të parë që nga censusi i vitit 1923, shumica e popullsisë jeton tani në qytete: 53.7 % jeton në zonat urbane dhe 46.3 përqind në zonat rurale. Këto të dhëna tregojnë që Shqipëria ka pasur ritmin më të lartë të urbanizimit ndër vendet e rajonit, me rreth 2% në vit, krahasuar me Bosnjë-Hercegovinën me 1,4%, Serbinë 0,5% dhe Kroacinë 0,4 %. Fillimi i tranzicionit politik në vitin 1991 e gjeti Shqipërinë me mbi dy të tretat e popullsisë në zonat rurale.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Lindita Arapi