Brexit do t'i kushtonte shtrenjtë Gjermanisë
22 Mars 2019Gjermania do të vuante nga pasojat e një Brexit-i të pakontrolluar. Prodhimi i brendshëm bruto për banor në Gjermani do të ulej me 115 euro në vit. Vetëm Britania e Madhe do të kishte humbje më të mëdha, konfirmon një studim i Fondacionit Bertelsmann të publikuar të enjten (21.03.). Arsyet për këtë lidhen me afrinë gjeografike dhe lidhjet e shumta të ekonomisë gjermane të orientuar nga eksporti.
Gjermania do të humbiste 10 miliardë euro të ardhura në vit, një vlerë që i përgjigjet 0,3% të prodhimit të brendshëm bruto, thotë bashkautori i studimit, Dominic Ponattu. Vetëm Britania e Madhe do të prekej më rëndë, 57 miliardë euro në vit do të humbisnin britanikët në një rast të një Brexit-i të parregullt, 900 euro për banorë. Londra dhe rajonet më afër kontinentit mund të pësojnë rënie të ndjeshme të të ardhurave, paralajmëron studimi.
Por edhe Franca dhe Italia do të prekeshin nga një Brexit i menjëhershëm me nga respektivisht 8 e 4 miliardë euro. Po ashtu edhe Irlanda fqinje do të kishte humbje të forta, Sipas përllogaritjeve të studimit rreth 720 euro për banor.
Shkaqet
Humbjet janë rrjedhojë e një sërë faktorësh: Nga njëra anë, mallrat dhe shërbimet në tregun e brendshëm do të shtrenjtoheshin menjëherë në rast të një Brexit-i të ashpër. Nga ana tjetër, një tregti më e vogël me Britaninë e Madhe sërish do të rezultonte në rritje çmimesh, sepse në shumë degë europiane do të dobësohej konkurrenca tregtare. Edhe impulset për investime të reja dhe risi do të dobësoheshin, e nga kjo do të vuanin në fund vetë kompanitë - me pasojë mosrritjen e rrogave. Në rast të një Brexit-i të organizuar, dëmet do të ishin më të kufizuara, sipas studimit të fondacionit Bertelsmann ato do të përgjysmoheshin në 5 miliardë euro.
Përfituesit
Por ka edhe disa vende jashtë Europës, që do të përfitonin nga Brexit. Këtu bëjnë pjesë veçanërisht SHBA-të dhe Kina, në një masë më të vogël edhe Rusia. Kjo lidhet me atë që Brexit-i do të kishte pasoja negative në zinxhirin e prodhimit të vlerës në Europë. "Tregtia brenda Europës do të bëhej më e shtrenjtë, kurse lidhjet ekonomike me pjesën tjetër të botës më atraktive", shpjegon Ponattu.
Sipas kreut të Fondacionit Bertelsmann, Aart de Geus, Londra dhe Brukseli duhen që patjetër të rregullojnë me marrëveshje daljen e britanikëve nga BE-ja. Bazamenti i hapësirës ekonomike më të madhe në botë rrezikon të dëmtohet rëndë, tha ai.
Të dy ekonomistët, Dominic Ponattu nga Fondacioni Bertelsmann dhe Giordano Mion nga "University of Sussex" kishin bërë llogaritjet për studimin britanik për vlerësimin e impaktit të Brexit-it në vendet europiane - "Estimating the impact of Brexit on European countries and regions" - bazuar në të dhënat zyrtare për lëvizjet e aktivitetet tregtare të Eurostat-it dhe OKB-së.
la/kle/stu(afp, dpa)