Brexit: Fillon faza e "divorcit"
18 Korrik 2017"Tani do të përqendrohemi në thelbin e temës", thotë negociatori i BE, Michel Barnier në krye të takimit me ministrin e Brexitit, David Davis. Ai përgjigjet "tani është me të vërtetë e rëndësishme, që të arrijmë përparime të mira". Me të vërtetë. Në dritë dalin një sërë detajesh, me pasoja të komplikuara juridike, për të cilat thjesht askujt nuk i kishte vajtur mendja, kur ndoqi pas fërshëllimën e Boris Johnson-it dhe mbështetësve të tjerë të Brexitit. Tek ekonomia britanike, paniku është shtuar.
Kënga e madhe e vajtimit
Dhe papritur, të gjithë nisin të qahen. Për shembull orkestrat sinfonike konstatuan se pas Brexitit turnetë e tyre të leverdisshme në kontinent rrezikohen. Në sajë të direktivës së Parlamentit dhe të Këshillit Evropian për "dërgimin" e punonjësve, si anëtarë të BE ata nuk duhet të paguajnë taksa, prandaj ia vlejnë shfaqje muzikore të tilla në festivale të ndryshme. Pas Brexitit, muzikantëve do t'u duhet të paguajnë të gjitha vendet ku i ftojnë, atëherë udhëtimet do të kushtojnë shumë. Në rastin e muzikantëve britanikë, të cilët vazhdimisht kanë pak para, kjo kthehet në rrezik për ekzistencën. Si nuk i vajti mendja njeriu më parë?
Askush nuk e dinte se lamtumira nga Euratom do të rrezikonte furnizimin me mjekësi bërthamore, ose se me fundin e bashkimit doganor, në dy stacionet doganore franceze Dunquerke dhe LeHavre kolonat me kamionë që presin do të jenë të pafundme. Askush as nuk mund ta merrte me mend, se të gjitha medikamentet britanike duhet të regjistrohen nga e para, po të vazhdojnë të shiten në BE. Gjëra të ngjashme vlejnë edhe për produktet agrare, kimike, për zinxhirin e furnizimit të industrisë automobilistike...Sa keq që nuk e dinte askush.
Çfarë ka brenda në çantë?
Thuhet se është një çantë aktesh e mbrojtur nga spiunimi, ajo që kishte marrë me vete të hënën në Bruksel David Davis. Ajo është e mbrojtur nga rrezet, kështu që edhe gazetarët e teknologjisë së lartë nuk janë në gjendje të filmojnë atë që është brenda. Çfarë kujton se është ky burrë - James Bond? Dhe para së gjithash: kujt i interesojnë dokumentat sekrete britanike, në një kohë kur dihet se në Londër kabineti i disharmonisë nxjerr çdo orë urdhëra të rinj për drejtimin e marshimit. Vetëm këtë fundjavë: ministri i Financave, Philipp Hammond kërkon një periudhë më të gjatë tranzitore, për t'ia kursyer ekonomisë britanike shokun e shndërrimit. Kurse ministri i Tregtisë, Liam Fox kërkon përkundrazi një periudhë të shkurtër tranzitore, sepse atëherë do të mund të hynin shpejt në fuqi marrëveshjet e reja tregtare me të gjithë botën dhe me të gjithë universin.
Por një vështrim në tryezën e negociatave duket se tregon se me përjashtim të një sanduiçi dhe ajrit të nxehtë, Davis nuk kishte asgjë në çantën e tij të akteve. Para palës evropiane ndodhen pirgje me dosje, para britanikëve tryeza është bosh. Ndoshta ata i kanë në mendje të gjitha detajet.
Ngado që ta hedhësh vështrimin, kudo sheh paralajmërime. Shefi i Gjykatës britanike të Llogarive paralajmëron se strategjia e Theresa May-t për Brexit do të shpërbëhet si një portokalle prej çokollate. Duke parë kaosin në vend dhe në mendje, ministri i Brexitit, David Davis ndërkohë gjithsesi ka arritur në përfundimin:"Unë nuk besoj se në këtë rrugë pas nesh do të vijë ndokush tjetër". Si frikësim dhe për të nxitur ndjenjën e përbashkësisë në Evropë, Brexiti deri tani funksionon shkëlqyeshëm.