1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Brexit: Një vend - dy qëndrime

Maximiliane Koschyk12 Qershor 2016

Thuhet se e gjithë Britania e Madhe po debaton për daljen apo qëndrimin në Bashkimin Europian. Por dy komuna e kanë marrë ndërkohë vendimin e tyre.

Fotografi: picture-alliance/dpa/S. Bagnall

Edhe pak javë mbeten, derisa Britania e Madhe të vendosë. Do të mbetet pjesë e BE-së apo jo? Disa britanikë janë të pavendosur, të tjerë janë ndërkohë të sigurtë në vendimin e tyre, fjala është për komunat e Ceredigionit dhe Haverings. Sipas një sondazhi të institutit për demoskopi Yougov-Haverings pranë Londrës është komuna që e do më pak BE-në, ndërsa Ceredigion pranë Uellsit, komuna që ka më shumë simpati. Pse kaq shumë qytetarë të Uellsit janë përkrahës të BE-së? Këtë e kupton, kur këqyr më me vëmendje, marrëdhënien e tyre me vendin mëmë, Anglinë. "Në këtë qytet një anglez, nuk është njësoj si një qytetar nga Uellsi“, thotë studenti, Jean Francois-Poncet. Njerëzit këtu i qëndrojnë më pranë Europës, se Anglisë, thotë ai.

Jean Francois-PoncetFotografi: DW/M. Koschyk

Pa BE, nuk ka internet dhe studime të Erazmit

Francois-Poncet thotë se është gjysmë nga Uellsi, gjysmë francez, por europian i vërtetë. Ai është një nga 11.000 studentët që i japin jetë qytetit Aberisuith (Aberystwyth), e që përfitojnë nga projektet universitare Erasmus. Studenti Francois-Poncet bën fushatë aktualisht për qëndrimin në BE. “BE ka investuar më shumë këtu se qeveria angleze”, thotë ai. Internet i shpejtë, infrastruktura, fonde për universitetet.

Nga ana tjetër qytetarët e Wales janë krenarë për gjuhën e tyre. „BE ka kërkuar edhe mbrojtjen e gjuhës“, thotë studiuesja e Universitetit të Aberisuithit, Anwen Elias. Ndërsa deputeti i demokratëve liberalë në parlamentin, Mark Williams thotë se „tek këto votime nuk bëhet fjalë për atmosferë, por për tregjet, që mund t'i humbasim“.„ Ky rajon është tejet i varur nga subvencionet e Brukselit, sepse nuk merr ndihma financiare nga Londra. „Deri tani Ministria e Ekonomisë na ka harruar“, thotë deputeti.

Sue Connelly në RomfordFotografi: DW/M. Koschyk

Bastioni i kundërshtarëve të BE-së

Ndërkohë në bastionin e kundërshtarëve të BE-së, rreth 300 km larg, në Haverings nuk i kuptojnë dot problemet e qytetarëve të Wales. “Njerëzve këtu u janë acaruar nervat”, thotë Sue Connelly, drejtore ekzekutive e konservatorëve. Të gjithë vijnë këtu dhe na shfrytëzojnë, thotë Connelly, që nuk e sheh si sukses lirinë e lëvizjes brenda BE-së. “Kemi nevojë për kontrolle kufitare dhe një sistem imigrimi si Australia”, thotë ajo. Connelly përgatit në Shtëpinë „Margaret Thatcher“ fushatën anti-BE. Dy pllakate të mëdhenj „Voto për largimin“ qëndrojnë në kopshtin përpara shtëpisë. Ndërsa në qendrën e qytetit, Romfords shihen flamuj anglezë. „Njerëzit në Romford janë shumë patriotë“, thotë Andrew Rosindell. Romford është qarku zgjedhor i parlamentarit anglez. „Askush nuk ka ardhur ndonjëherë në Angli dhe na ka thënë se si duhet t'i bëjmë ne gjërat.“

Kim CrosbieFotografi: DW/M. Koschyk

Edhe mbi tezgat e peshkut të Kim Crosbiet valëviten flamuj anglezë. „Do doja me dëshirë të dilnim“, thotë ajo. Crosbie është e nervozuar me rregulloret e shumta të BE-së për peshkatarët. “Kushdo peshkon në ujërat tanë. Por ne duhet të ruajmë kuotën 24%”, kritikon ajo. Jo vetëm Crosbie, shumë peshkatarë britanikë i refuzojnë këto rregullore. Rosindell bisedon me votuesit në stendën e ngritur për fushatën. „Besoj se atmosfera po anon nga dalja nga unioni“, thotë politikani. „Njerëzit duan që qeveria të bëjë vetë ligje dhe jo t'ia detyrojnë të tjerët.“

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW