1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BREXIT-TOUR Londra: ekonomia dhe rinia duan BE-në

31 Maj 2016

Korrespondnetja e DW-së Stephanie Pieper po zhvillon një tur përmes Britanisë së Madhe, për të hulumtuar qendrimin e britanikëve mbi referendumin për BE-në. Pas Doverit stacioni i dytë është Londra.

Großbritanien Nigel Farage Brexit Bus
Fotografi: Getty Images/J. Taylor

Nëse do të vendosnin vetëm banorët e kryeqytetit, atëherë Brexit (dalja nga BE-ja) do të ishte shmangur lehtësisht: sepse kush jeton në Londër, kështu rezulton në anketi, sheh më shumë avantazhe se sa disavantazhe prej BE-së. Kjo vlen kryesisht për ekonominë, por edhe për shumë të rinj, që jetojnë këtu. Sa e vërtetë është kjo, për këtë Stephanie Pieper foli me londinezë:

Nick Charlier: "Hapim pedalin poshtë majtas, ngrihet shala dhe timoni kthehet..."

Fotografi: Reuters

As 10 sekonda nuk të duhen që ta palosësh apo ta hapësh një biçikletë të markës Brompton, siç e demonstron atë punonjësi Nick Charlier - para hyrjes së fabrikës së re të prodhuesit në Greenford, në periferinë perëndimore të Londrës.

50.000 biçikleta prodhohen këtu çdo vit; rrugët e Londrës nuk i përfytyron dot më pa biçikletat Brompton, por edhe BE-ja është një treg i rëndësishëm - dhe në rritje, thotë shefi i firmës Will Butler-Adams, që na shoqëron në sallën e prodhimit: "35 përqind të biçikletave ne me siguri i shesim në vende të tjera të BE. Dhe natyrisht që këtu kemi një shans të madh për rritje."

Fotografi: Brompton bikes

Tregu i brendshëm e thjeshton eksportin, rregullat janë kudo të njëjta dhe ai ka mundësi të kërkojë punonjës në të gjithë Evropën. Shkurt, për firmën tonë, thotë 42 vjeçari, është fantastike që jemi në BE: "Nga këndvështrimi i sipërmarrësit, përsa i përket rritjes sonë, qenia në BE është madhështore". E qartë, letrat e shumta që duhen plotësuar në Evropë nganjëherë të nervozojnë, thotë Butler-Adams- por si shpërblim është aksesi në një treg gjigand. Një Brexit ndoshta nuk do të ishte dramë, por thjesht budallallëk: ky është mesazhi i tij. Nga diskutimet e nxehta me miqtë e tij, menaxheri i Bromptonit i njeh ndjenjat e nxehta që shkakton referendumi i ardhshëm- tek të dyja palët: "Për njerëzit është një temë shumë e diskutueshme dhe emocionale".

Fotografi: Brompton bikes

Shumë studentë në Londër udhëtojnë me biçikleta për në universitet, rrallë me biçikleta që palosen, më shumë me biçikleta sportive. Ashtu si dhe pjesa më e madhe e ekonomisë, edhe pjesa më e madhe e londinezëve dhe e të rinjve është pro qendrimit në BE- edhe 19 vjeçari Eliot: "Mendoj që ne duhet të qendrojmë me çdo kusht në BE. E konsideroj shumë të rëndësishme."

Ai ndjek studimet për filozofi në University College London, një universitet me emër dhe i pëlqen që BE u jep mundësi pikërisht të rinjve të studiojnë ose të punojnë në kontinent: "Për mua është e rëndësishme që dikur të kemi mundësi të jetojmë në shtetet e tjera të BE-së, ndoshta për disa vjet në Berlin."

Kjo, druhet Elioti, në rastin e një Brexit mund të vështirësohet. Edhe shoqja e tij India, e cila studion arkeologji, do të votojë pro mbetjes në BE. 21 vjeçares i pëlqen që Londra është bërë më e larmishme, prej shumë migrantëve nga BE: "Rrit diversitetin, që kemi ne në Londër - dhe në Angli. Mendoj që duhet të mësojmë ende shumë për kulturat tona të ndryshme."

Përgatitja e votuesve të rinj për referendumin e BE, për këtë kujdeset "Bite the Ballot", një organizatë jofitimprurëse, te e cila angazhohet 24 vjeçari Joshua: "Fushata jonë aktualisht synon, në radhë të parë të regjistrojmë të rinj dhe së dyti, të sigurohemi që ata dinë sa duhet, për të marrë një vendim të argumentuar."

Ata duhet t'i njohin argumentat pro dhe kundër - dhe të mobilizohen e të shkojnë të votojnë, në 23 qershor.