1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Brexiti ka përkeqësuar mungesën e mjekëve

28 Nëntor 2022

Edhe para Brexit-it, Britania ishte e varur nga punonjësit e kujdesit shëndetësor nga shtetet evropiane.

Symbolbild I Großbritannien zeigt sich besorgt über die neue COVID-Variante
Fotografi: Daniel Leal-Olivias/AFP

Sipas një studimi të fundit, Brexit-i e ka bërë mungesën e madhe të mjekëve në Britani më të rëndë se sa pritej. Sipas një studimi të grupit të ekspertëve Nuffield Trust, në Mbretërinë e Bashkuar punojnë aktualisht më shumë se 4000 mjekë evropianë më pak sesa pritej përpara Brexit-it. Këtë studim e pati porositur gazeta Guardian.

Sipas studimit, rritja e numrit të personelit nga vendet e BE dhe Shoqatës Evropiane të Tregtisë së Lirë (EFTA) është 'ngadalësuar' dhe ndodhet "nën rritjen e pritur'. Vendet e EFTA-s përfshijnë Norvegjinë, Zvicrën, Islandën dhe Lihtenshtajnin.

Mungesë më e madhe në personelin infermieror

Vitin e kaluar, në Mbretërinë e Bashkuar punuan rreth 37.000 mjekë nga vendet evropiane. Pa Brexit-in, numri i tyre do të kishte qenë rreth 41300, thuhet. Specialitetet më të prekura janë anestezia, pediatria, kardiokirurgjia dhe psikiatria.

Sipas raportit, Brexit-i ka një ndikim edhe më të madh tek infermierët që vijnë në Britani nga vende të tjera evropiane. Aktualisht ka 29.000 infermierë - por pa Brexit do të ishin 87.000 sipas parashikimeve. Në vitin financiar 2021/22, vetëm një e katërmbëdhjeta e stafit evropian hynë në Britaninë e Madhe në krahasim me 2015/16. Megjithatë, numri i profesionistëve nga vende të tjera, si India dhe Filipinet, është rritur ndjeshëm.

Kosto të larta dhe burokraci

Studiuesit e shohin "arsyen më të dukshme për ndryshimin e tendencës në 2015 dhe 2016" në rezultatin e referendumit të Brexit-it. Për shkak të daljes së Britanisë nga BE, profesionistët tani kanë nevojë për viza pune, e cila kërkon kosto të larta dhe shumë burokraci.

Rezultatet e studimit tani do të tregojnë se "stanjacioni i numrit të mjekëve në BE" ka përkeqësuar mungesën ekzistuese në zonat ku Shërbimi Shëndetësor Kombëtar (NHS) nuk ka qenë në gjendje "të gjejë personel të mjaftueshëm të kualifikuar".

Fotografi: Hesther Ng/Zumapress/picture alliance

Studimi vjen në një kohë kur NHS, në krizë, po përballet me shumë mosfunksionime pas viteve të nënfinancimit. Përveç mungesës së personelit mjekësor, kujdestarëve dhe infermierëve, pjesë e kësaj janë edhe pritjet e gjata për trajtime të caktuara spitalore për shkak të pandemisë korona.

Në këtë rënie ka kontribuar edhe "përkeqësimi i kushteve të punës” në sistemin shëndetësor. Shërbimi shëndetësor NHS i Britanisë është i financuar keq dhe me staf të pamjaftueshëm. Vetëm në Angli ka një mungesë prej më shumë se 10.000 mjekësh. Prandaj, sistemi shëndetësor britanik ishte i varur nga stafi i BE përpara Brexit-it.

Ministria britanike e Shëndetësisë kundërshton

Megjithatë, Ministria e Shëndetësisë e Britanisë së Madhe i hodhi poshtë rezultatet e studimit. "Kjo analizë është e pasaktë dhe ne nuk i njohim apo pajtohemi me përfundimet e saj kryesore," tha një zëdhënës i ministrisë, cituar nga Guardian. Nga ana tjetër, "është bërë përparim i dukshëm në trajnimin dhe rekrutimin" e personelit mjekësor. Madje sipas Ministrisë tani ka më shumë personel sesa në vitin 2016.

 

aud (dpa, faz, tgsch)