1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Moskovitët e rinj

Geert Groot Koerkamp/ Elona Elezi25 Korrik 2012

Një politikan i ri rus numëron automjetet që qarkullojnë në kryeqytet për t`i dhënë më shumë vend këmbësorëve. Gert Groot Koerkamp foli me të kur ndodhej në rrugët kryesore të Moskës..

Maksim Kats, politikan i ri rus
Maksim Kats, politikan i ri rusFotografi: DW/Geert Groot Koerkamp

“Ne kemi pushtetin këtu“ është një nga sloganet më popullore në demonstratat masive kundër qeverisjes së Vladimir Putin që janë mbajtur në Moskë që nga dhjetori i kaluar, një prej të cilave pak ditë pas zgjedhjeve presidenciale në muajin mars.

27-vjeçari Maksim Kats ishte një nga folësit e mbledhjes. Ai sapo u zgjodh deputet në këshillin vendor në një distrikt të Moskës. Maksim pranon se kishte drojë të fliste para mijëra njerëzve, për herë të parë në jetën e tij. Ai tha që parafolësit prekën çështje të rëndësishme dhe kritikuan regjimin. Por historia e tij, thotë ai, ishte ndryshe. Ai ishte një sipërmarrës i ri, me flokë të gjatë, që kishte vënë pasuri të madhe duke luajtur poker të një niveli profesionist dhe tani donte të futej në politikë. Miqtë e këshilluan që as mos ta provonte, duke parashikuar se ai nuk kishte asnjë shans që të zgjidhej, të paktën nëse nuk priste flokët, të vishej me kostum dhe të bënte një sërë premtimesh boshe. Por ata gabuan. “Mora pjesë në zgjedhje kështu siç jam. Shkruajta në fletëpalosjen time vetëm gjërat që mendoja. Po përpiqesha që të zgjidhesha në një institucion të padobishëm, dhe po e bëja këtë sepse ishte hapi im i parë drejt politikës. Dhe unë fitova! Me shumë distancë nga konkurrentët e tjerë, përfshirë këtu edhe ata me pamje autoritare dhe që veshin kostume“.

“Ne kemi pushtetin këtu“ ishte një nga sloganet në demonstratat anti- Putin në MoskëFotografi: picture-alliance/dpa

Dhe meqë unë u zgjodha, thotë ai, atëherë kushdo mund ta provojë dhe të bëjë të njëjtën gjë. Dhe atëherë do të ishte e mundur për të fituar shumicën në këshillet vendore, çka do të sillte ndryshim në nivel vendor.

Kjo ndodhi tre muaj më parë. Sot, deputeti i ri Maksim Kats po përpiqet të sjellë ndryshimin në mënyrën e tij të pazakontë. Me një grup të vogël vullnetarësh, ai endet rrugëve me një grup numëruesish…për të numëruar njerëzit dhe makinat. Siç bën këtu në në Tverskaya, rrugën kryesore të dyqaneve në Moskë. “Kjo është diçka e ngjashme me mbikqyrjen e jetës publike. Ne po numërojmë njerëz, sa këmbësorë janë në trotuar në rrugën Tverskaya. Dhe pastaj numërojmë sa automjete janë të parkuara aty. Pastaj krahasojmë sa hapësirë zënë makinat, dhe sa hapësirë përdorin këmbësorët. Nga kjo vërejmë se 100 automjete zënë 60 ose 7o % të hapësirës së trotuarit, dhe 20 mijë këmbësorë zënë 30 %. Kështuqë mund të përpiqemi të bëjmë diçka për këtë“.

Arseyja, shpjegon Maksimi, është se qeveria e Moskës i ka kthyer trotuaret e qytetit në parkingje. Të ecësh në Moskë sot, përplasesh më automjete të parkuara kudo që të shkosh. “Ata lejuan parkimin parkimin në sheshe, në trotuare, tani në të gjithë Moskën ka shumë automjete në trotuare, dhe kjo sigurisht që është përdorim i habitshëm i hapësirës publike. Jo vetëm që njerëzit nuk mund të ecin aty, por s´mund të bëjnë asgjë. Nuk mund të ulen, nuk mund të rrinë, sepse ka një parking. Kështuqë ne po përpiqemi të tregojmë me shifra se kjo nuk është rruga më e mirë për përdorimin e hapësirave“.

Kështuqë Maksimi dhe ekipi i tij po mbledhin të dhëna të vështira, me shpresën se do të vërtetojnë diçka të dukshme. Ata publikojnë progres-raporte në internet, duke tërhequr shumë e më shumë mbështetës. “Përdor Twitterin dhe Livejournal dhe gjithashtu një partner ka një blog shumë popullor në Livejournal. Unë kam 150 mijë lexues dhe ai ka më shumë se 1 milion. Dhe ne shkruajmë, ftojmë njerëz të na ndihmojnë, dhe ata thjesht vijnë dhe e bëjnë këtë“.

Protesta të opozitës në MoskëFotografi: AP

Vullnetarët qëndrojnë në pozicionet e tyre në rrugë, numërojnë dhe mbajnë shënim çdo gjë që u duket e dyshimtë apo e çuditshme. Si për shembull Antoni, një i ri që jeton në lagjjen ku Maksimi është anëtar i këshillit vendor.

“U stimulova duke lexuar blogun dhe Twitterin e Maksim Kats. Ai është shumë pozitiv, thjesht të infekton me idetë e tij. Unë vetë jam një këmbësor, eci shumë në Moskë, dhe me të vërtetë më pëlqen ideja që ta bëjmë Moskën më të rehatshme për këmbësorët, dhe është interesante të punosh për këtë gjë. Mund të them se Maksimi më hapi sytë. Më parë mendoja se nuk ishte e mundur për të bërë ndonjë gjë rreth kësaj. E morëm qytetin mbarë. Nuk mendoja se do të ndryshonim diçka. Por mesa duket, është e mundur. Dhe unë jam shumë i lumtur për këtë.

Masha është 26 vjeç. Ajo sapo i është bashkuar ekipit dhe po bëhet gati të dalë në rrugën Tverskaya me numëratorin e saj. “Lexova rreth këtij projekti në internet. Këto projekte po diskutohen në Livejournal, në Twitter, dhe që kur i lexova ato vendosa të ndihmoja. Sepse ideja më duket vërtet interesante. Dua që në qytetin tim gjërat të ndryshojnë për mirë. Atëherë përse qytetarët të mos ndihmojnë për këtë projekt?

Por a do të ndihmojë kjo gjë? Maksimit nuk i pëlqen kjo pyetje. Nëse jo, thotë ai, ai do të vazhdojë të përpiqet, mbase pasi të zgjidhet në një nivel më të lartë. Në çdo rast, është një punë e tmerrshme për t´u bërë, dhe numri i moskovitëve të rinj të cilët janë të gatshëm për të trajtuar problemet e tyre është gjithnjë e në rritje.

Rrugët e Moskës vetëm për makinatFotografi: picture-alliance/dpa

“Ky është një problem që mund të zgjidhet shumë lehtë. Mund të përpiqemi të bindim qeverinë që të mos lejojë parkimin në trotuare. Çdokush e kupton: këtu ka 20 mijë njerëz përkundrejt 100 automjeteve. Në vende të tjera ka 5 mijë njerëz përkundrejt 50 makinave. Por gjithsesi, nuk duhet të përdoret hapësira në këtë mënyrë. Po përpiqemi tá tregojmë këtë me shifra. Pastaj do t´a printojmë këtë material dhe do t´ua shpërndajmë njerëzve që ecin në rrugët e Tverskayas. Pastaj sigurisht që do t´i drejtohemi qeverisë dhe shpresojmë se diçka do të ndodhë.

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW