1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëMbretëria e Bashkuar

Britani e Madhe: Burgjet plot dhe përtej kapaciteteve

Birgit Maaß Londër
11 Dhjetor 2024

Burgjet në Britani në krizë. Anglia dhe Uellsi kanë për frymë popullsie numrin më të lartë të të burgosurve në Europën Perëndimore dhe qeverisë britanike i është dashur të lirojë të burgosur para afatit.

 Porta me kangjella brenda një burgu në Britani dhe dy burra që qendrojnë në këmbë
Kushte të vështira burgimiFotografi: Anthony Devlin/PA Wire/picture alliance

Tejmbushja e burgjeveBritaninë e Madhe bën që të mos mbetet kohë për t'u ndihmuar të burgosurve. Shpesh atyre u mbetet si mundësi që të dalin vetëm një orë në ditë nga qelia. Atyre u jept fare pak ndihmë psikopterapie si dhe nuk kanë shanse për kualifikim të mëtejshëm profesional gjatë kohës së burgut. Një ish-e burgosur flet për kushtet e burgimit, të cilat madje edhe vet qeveria i konsideron si skandal. Dhuna fizike, sulmet ndër të burgosurit ose ndaj personelit të shërbimit janë realitet i së përditshmes në burg.

Francesca Fattore ka qenë për gati katër vjet pas hekurave për shkak të tregtisë me drogë. Një pjesë të dënimit ajo e ka kaluar në burgun e grave në afërsi të Londrës. Vetëm një herë në ditë lejohej ajo të dilte nga qelia. „Ishte një kaos i plotë. Njerëzit vinin aty nga nivele të ndryshme. Në momentin, kur qelitë mbusheshin me shumë persona, të gjithë silleshin si kafshë."

Francesca Fattore, rrëfen më tej, se njeriu në kushte të tilla ndihet i braktisur. Nëse nuk je i ambjentuar me vetminë, atëherë kjo situatë të bëhet e tmerrshme. Ke kohë gjatë gjithë ditës dhe të vijnë në kokë mendime nga më të ndryshmet.

Qeveria e vetëdijshme për problemin

Krahas lirimeve të parakohshme të të burgosurve qeveria po mendon edhe masa të tjera. Ministrja britanike e Drejtësisë e mbron qeverinë. Ajo është në këtë post që nga korriku 2024 dhe e ka trashëguar këtë krizë nga qeveria paraardhëse. „Kjo qeveri do të ndërtojë burgje. Qeveria konservatore e pati premtuar këtë, por nuk bëri asnjë hap konkret. Por ne nuk mund ta zgjdihim problemin vetëm me hapjen e burgjeve të reja. Ne duhet t'i inkurajojmë të burgosurit, që të shkëputen nga kriminaliteti. Ne duhet të përdorim kulaçin dhe kërbaçin."

Burgu në PentonvilleFotografi: Victoria Jones/empics/picture alliance

Për shkak të masave të kursimit të qeverisë paraardhëse, shumë pak të burgosur kualifikohen për jetën profesionale pas burgut. Sipas të dhënave zyrtare, cilësia e kualifikimeve vitet e fundit ka qenë gjithnjë në rënie. Vetëm pak të burgosur gjejnë një punë.

Pak shpresë për rehabilitim dhe dalje nga krimi

Rrjeti i kafeterive, Redemption Roasters, është një ndër të paktët punëdhënës që u jep një shans të burgosurve në Britani. Kafeja e kësaj firme piqet në burg, atje të burgosurit kualifikohen si baristë. Vetëm pak përqind e tyre i rikthehen rrugës së mbrapshtë brenda një viti – ndërkohë që në mbarë vendin kuota është mbi 30 përqind. Qeveria laburiste do që t'i zgjerojë programe të tilla.

Ndërsa Francesca Fattore tani shpreson të fitojë para përmes YouTube-it. Kanali i saj, që i kushtohet ndihmës për të burgosurat, ka arritur sukseset e para. Ajo bën thirrje që ato që nuk kanë kryer krime të rënda, të dënohen me punë vullnetare. Por më e rëndësishmja është, sipas saj, gjetja e një pune. "Edhe ne e meritojmë të na jepet një shans. Nëse më punësojnë, unë do të punoja dhjetëfish më shumë. Së pari, sepse e vlerësoj dhe jam mirënjohëse. Së dyti, sepse dua të jap provë që ka qenë vendimi i duhur për të më punësuar mua."

Ajo vet ka pasur fat, na thotë Francesca Fattore: Në burg ajo ka përfituar nga një terapi, që e ndihmoi të largohet nga skena e drogës. Për të përballuar krizën në burg, të dënuarve duhet t'u jepet shumë më tepër mbështetje, thotë ajo.