1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Britani e Madhe: Ndryshimi i klimës si lëndë mësimore

Andreas Stamm
15 Janar 2020

Një rajon në veri të Anglisë do të jetë ndër të parët në botë, që do të ketë në çdo shkollë një mësues për klimën. Në njërën nga shkollat lënda e shkencës është orientuar tërësisht tek problemi i ngrohjes së Tokës.

Deutschland Klimaprotest |  Friday Climate Action Day
Proteste në mbrojtje të klimësFotografi: Reuters/F. Bimmer

Në një shkollë në Haxon në veri të Anglisë tashmë ka nisur punën mësuesja e parë për çështjet e ndryshimit të klimës. Në një orë mësimi me klasën e gjashtë, mësuesja Meryl Batchelder zhvillon një eksperiment me nxënësit: Sikur shkolla përfshihet nga zjarri? Këtë synon t'u ilustrojë ajo nxënësve për t'ua bërë më të kuptueshme, se çfarë e dallon energjinë e biomasës nga ajo e parafinës. Rezultati është, se vetëm biomasa është neutrale sa i përket CO2, përgjigjet nxënësja Bella. E gjithë lënda e mësimit të shkencës është e orientuar rreth ndryshimit të klimës, sepse në rast të kundërt planeti ynë mund të digjet.

Meryl Batchelder, mësuese në shkollën Corbridge Middle thotë, se „në fakt eksperimenti nuk u intereson edhe aq nxënësve, por ata e kuptojnë më mirë problemin, kur ua bën të qartë, se mënyra e përfitimit të energjisë është vendimtare për mbijetesën tonë."

Smogu - problemi kryesor i metropoleveFotografi: Reuters/A. Fadnavis

Nxënësit mjaft të sensibilizuar

Meryl Batchelder është mësuesja e parë në Angli për ndryshimin e klimës, e certifikuar prej OKB-së. Për këtë ajo ka kryer një kurs online prej 20 orësh. Qëllimi është: që të krijohet vetëdija tek të rinjtë si bazë në luftën kundër ndryshimit të klimës. "Ne kemi tani valë të nxehti përgjatë gjithë verës, ndryshe nga përpara. Kjo ndryshon mënyrën se si jetojmë ne."

Nxënësit janë mjaft të sensibilizuar, njëri prej tyre thekson: "Eshtë e ardhmja jonë dhe e  fëmijëve tanë, jo të njerëzve si Boris Johnson. Ndaj ne duhet të kemi më shumë të drejtë bashkëvendosjeje."

Zjarret në Australi shihen si pasojë e ndryshimit të klimësFotografi: Imago/B. Xuefei

Edhe një nxënëse tjetër e ka të qartë, se edhe me hapa të vegjël kushdo mund të kontribuojë në dobi të planetit: „Gjithkush mund të bëjë gjëra të vogla si të fikësh dritën kur largohesh i fundit, apo të ngasësh makinë elektrike."

Në bazë të kësaj nisme çdo shkollë në rajon duhet të ketë një mësues për ndryshimin e klimës. Rajoni verior i Anglisë tashmë e ka ndërmarrë këtë hap. Bindja e eprorëve, thotë mësuesja Meryl Batchelder ishte e lehtë. Të gjithë e ndjejnë se sa shpejt ndryshon natyra. Në shtëpi ajo prej kohësh përdor energjinë diellore, përpiqet t'i prodhojë vet ushqimet. Para 30 vjetësh kur ajo dëgjoi për herë të parë për ndryshimin e klimës ishte e bindur: "Isha shumë e shqetësuar, por mendoja se qeveria do të na mbronte, pasi dëshmitë shkencore ishin parashtruar. Ndërsa sot 30 vjet më vonë në fakt nuk ka ndryshuar asgjë." Tani Meryl Batchelder e ka marrë vet çështjen në dorë si mësuese për ndryshimin e klimës në veriun ende idilik të Anglisë.