Britanikë ju lutem qëndroni! - Letër e deputetëve të BE
14 Janar 2019"Ne ju lutemi që për interesin e gjeneratës së ardhshme të rimendoni daljen nga BE", thuhet në një letër të eurodeputetëve, që publikohet të hënën në Britainnë e Madhe. "Çdo vendim britanik për të qëndruar në BE do të përshëndetej prej nesh, dhe ne do të punojmë së bashku për të reformuar dhe përmirësuar Bashkimin Europian." Më tej eurodeputetët shkruajnë se "e kanë vlerësuar jashtëzakonisht ndikimin e politikanëve dhe qytetarëve britanikë në 40 vitet e fundit. Do të na mungojë aftësia e dija e kolegëve britanikë."
Një nga nënshkruesit e kësaj letre, politikani gjerman i CDU-së, Peter Liese u shpreh për grupin mediatik gjerman, Funke Mediengruppe se "ne duam të japim një sinjal për popullsinë, dhe me këtë edhe Dhomës së Ulët e të bëjmë të qartë - nëse britanikët vendosin të qëndrojnë, ata janë përzemërsisht të mirëseardhur." Eurodeputeti konservator gjerman shton se "zemra dhe dera jonë është e hapur."
Parlamenti britanik voton të martën (15.01.) për marrëveshjen e Brexit të arritur me shumë vështirësi nga kryeministrja Theresa May dhe BE. Refuzimi i kësaj marrëveshjeje në parlament konsiderohet mjaft i mundur. Pika qendrore e kontestuar është si mund të mënjanohen kontrollet mes provincës së Irlandës së Veriut dhe vendit anëtar të BE, Irlandës, kjo edhe për të penguar rindezjen e konfliktit në Irlandën e Veriut.
May: Ndalimi i Brexit - më me gjasë se një largim pa marrëveshje
Nga ana e saj kryeministrja britanike, Theresa May sheh si skenar më të mundshëm ndalimin e Brexit se sa një dalje pa marrëveshje. Këtë qëndrim ajo pritet ta mbrojë të hënën në mbrëmje (14.01) në një fjalim para punëtorëve të një fabrike në Stoke-on-Trent, një qytet që ka votuar me shumicë për Brexit. "Ka disa në Westminster që duan ta vonojnë apo ndalojnë Brexitin dhe do të përdorin çdo mjet për të ndaluar këtë" thuhet në fjalimin e publikuar.
Ndërkohë BE sipas informacioneve të ndryshme po përgatitet për një shtyrje të daljes së Britanisë së Madhe deri në korrik. "The Guardian" shkruan, se Brexiti i planifikuar më 29 Mars nuk duket realist në Bruksel, për shkak të rezervave të mëdha në parlament. Pritet që javët e ardhshme të vijë një kërkesë nga Londra për një shtyrje "teknike" të procesit të daljes nga BE.
la/wa/cgn (rtr, afp, dpa)