1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bruksel: Asnjë ujdi mes negociatorëve Bislimi dhe Petkoviq

18 Shtator 2024

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq zhvilluan takime të ndara në Bruksel me të dërguarin e BE për dialogun, Miroslav Lajçak. Mospajtimet Kosovë Serbi ishin të thella.

I dërguari i BE, Miroslav Lajçak në takim me delegacionin kosovar, 18.09.2024, tavolina me anëtarë të delegacionit, dritaret me xhama të mëdhenj, nës një televizor
I dërguari i BE, Miroslav Lajçak në takim me delegacionin kosovar, 18.09.2024Fotografi: Office of the EU emissary for Kosovo-Serbia dialogue Miroslav Lajcak

I ngarkuari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak nuk arriti t'i bindë kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë që të ulen së bashku në një takim tre palësh. Lajçak, takoi ndaras në Bruksel kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe atë të Serbisë, Petar Petkoviq, por që të dy kishin mospajtime për temat e diskutimit. "Shpreh keqardhje që nuk arrita t'i adresoj çështjet më të rëndësishme në një takim trepalësh. Unë jam në dispozicion të palëve dhe ne do të vazhdojmë në javët në vijim", shkroi Lajcak në X.

Pse dështoi takimi trepalësh?

Kryenegociatori i Kosovës Besnik Bislimi, i cili takoi dy herë Lajçakun në Bruksel, tha se takimi me z. Petkoviq dështoi sepse sipas tij, "Serbia e kushtëzoi agjendën e takimit me kërkesa të veta dhe të papranueshme për Kosovën”. "Ftesa ka qenë shumë e qartë e zotit Lajçak që së pari të ketë takim bilateral dhe kanë qenë të propozuara temat apo agjenda e takimit bilateral, pastaj është thënë që në takimin trilateral do të diskutohet rruga përpara në marrëveshjen e normalizimit dhe mund të vendosen edhe tema të tjera nëse ka dakordim mes dy palëve. Ne jemi pajtuar me këtë ftesë, e kemi konfirmuar edhe pjesëmarrjen në takimin trilateral, por, si duket Serbia pastaj ka refuzuar të hyjë me atë agjendë dhe ka kërkuar futjen e temave të saj, të cilat janë për konsum politik, çka ne nuk kemi qenë dakord”, tha Bislimi.

Në takimin me Lajçakun, "temë kryesore ka qenë rruga përpara në zbatimin e Marrëveshjes Bazë dhe aneksit të implementimit në Ohër”, ka theksuar Bislimi. Kosova dhe Serbia u pajtuan në vitin 2023 për këtë marrëveshje, por që nuk është bërë asnjë hap  për zbatimin e saj.

I dërguari i BE, Miroslav Lajçak në takim me delegacionin serb, 18.09.2024Fotografi: Office of the EU emissary for Kosovo-Serbia dialogue Miroslav Lajcak

Kërkesat e palës serbe

Pala serbe ndërkaq insiston që tema e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe të jetë pjesë e dialogut, por, sipas Petkoviq, pala kosovare po e refuzon një gjë të tillë. "Çfarë normalizimi është ky, nëse ju nuk dëshironi të flisni për çështjen kyçe siç është Asociacioni i Komunave me shumicë serbe. Një çështje kyçe është gjithashtu edhe se si po jetojnë serbët në Kosovë. Lajcakut i dorëzova një listë të serbëve të arrestuar”, që Petkoviq, që sipas tij, janë "të burgosur politikë". Kryengociatori i Serbisë, tha se me Mirosllav Lajçak, ka biseduar edhe për kërkesat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës.

Javën e kaluar presidenti i Serbisë,  kërkoi rikthimin e gjendjes së mëparshme në veri të Kosovës, përfshirë mbajtjen e zgjedhjeve të reja lokale, formimin e drejtorisë rajonale të policisë dhe kthimin e gjykatësve dhe prokurorëve serbë në vendet e tyre të punës. Bashkimi Evropian tha se "mirëpret thirrjet e presidentit serb Vuçiq që serbët e Kosovës, të marrin pjesë në zgjedhje dhe të riintegrohen në të gjitha institucionet e Kosovës”, nga të cilat janë larguar në vitin 2022.

Fotografi: Darko Vojinovic/AP/picture alliance

Kurti kundërshton Vuçiq - pjesë e një fushate agresive

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, nga ana e tij, thotë se "ato kërkesat e tij,{lexo Vuçiq} masat e tij që bëhen nga një dëshpërim dhe paraqesin joracionalitet, nuk janë aspak paqësore, por përkundrazi pjesë e fushatës agresive për konflikte të reja që padyshim se nuk kanë vend as në Kosovë as në rajonin tonë”, tha kryeministri i Kosovës Albin Kurti. Edhe presidentja Vjosa Osmani, thotë se Vuçiq, "dëshiron që tash para perëndimit të duket kinse po kontribuon për diçka pozitive, por në fakt në prapaskenë Vuçiqi vazhdimisht punon vetëm për destabilizim të gjithë rajonit tonë dhe rikthim të rajonit tonë në vitet e 90-ta”.

Kosova dhe Serbia nisën dialogun në vitin 2011, por normalizimi i  marrëdhënieve ka shënuar pak përparim. Një marrëveshje për normalizim u arrit edhe vitin e shkuar, por ajo nuk ka filluar të zbatohet. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk janë takuar më prej një viti duke akuzuar njëri-tjetrin për qasje jokonstruktive dhe destabilizuese. Një takim ndërmjet kryenegociatorëve pritet sërish në dhjetor, por jo takim në nivel liderësh Kurti-Vuçiq

 

Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë