BE diskuton për Brexitin, klimën dhe Coronën
16 Tetor 2020Negociatori i BE Michel Barnier tha se tani i takon Londrës që "të marrë hapat e nevojshëm për të bërë të mundur marrëveshjen". Ne duam një marrëveshje të drejtë, por jo me çdo çmim, tha ai. Kancelarja gjermane Angela Merkel u shpreh në të njëjtën mënyrë. Negociatori britanik David Frost reagoi i zhgënjyer dhe njoftoi se deklarata zyrtare nga Kryeministri Boris Johnson do të bëhet gjatë ditës së sotme (16.10). Johnson pritet të thotë nëse do t'i ndërpresë negociatat.
Përmes një deklarate, politikanët e mbledhur në samit kërkojnë lëshime nga Londra, veçanërisht në lidhje me pikat më të rëndësishme të marrëveshjes: peshkimit, kushtet e konkurrencës dhe të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve. Sidomos Franca kërkon që peshkatarët e BE të vazhdojnë të peshkojnë në ujërat britanike. "Në asnjë rrethanë peshkatarët tanë nuk duhet të bien viktima të Brexit", tha Presidenti Emmanuel Macron.
Zhgënjim tek pala britanike
Negociatori britanik, Frost, tha se është i zhgënjyer me deklaratën e samitit dhe u befasua që aty nuk u fol më për përpjekje intensive. Gjithashtu është e habitshme që vetëm nga Britania e Madhe kërkohet të bëjë lëshime. "Kjo është një qasje e pazakontë ndaj negociatave", shkroi Frost në Twitter.
Merkel kishte thënë më parë: "Ne duam një marrëveshje, por jo me çdo çmim. Ne duhet të arrijmë një marrëveshje të drejtë nga e cila të dy palët mund të përfitojnë. Pra e gjithë përpjekja ia vlen."
Objektiv tepër ambicioz dhe drastik për klimën
Krerët e shteteve dhe qeverive të BE diskutuan në samit edhe për objektivin tepër ambicioz dhe drastik lidhur me klimën. Komisioni i BE ka propozuar që deri në vitin 2030 gazrat serë në BE të reduktohen dhe të jenë të paktën 55 përqind nën nivelin e vitit 1990. Deri tani synimi për vitin 2030 ka qenë një reduktim prej 40 për qind.
Para samitit, njëmbëdhjetë nga 27 shtetet e mbështetën këtë objektiv në mënyrë të qartë në një deklaratë. Kancelarja Merkel sinjalizoi përsëri mbështetjen gjermane dhe angazhimin e Gjermanisë për arritjen e kltij synimi.
Disa shtete të BE-së janë ende skeptikë. Si Polonia, sistemi energjetik i së cilës varet shumë nga qymyri. Edhe kryeministri çek Andrej Babis tha se vendi i tij nuk do të mund të arrijë një ulje kaq të fortë të gazrave serë. Por ai nuk është në thelb kundër objektivit të përgjithshëm prej 55 përqind nëse vendet e tjera arrijnë nivele më të larta redukimi të emetimit të këtyre gazrave.
Koordinim më i mirë për luftimin e Coronës
Në samit do të diskutohet me detaje edhe për një koordinim më të ngushtë mes vendeve të BE-së ndër të tjera për ndjekjen e kontakteve dhe rregullat e karantinës për të kufizuar përhapjen e virusit.