1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bujqësia sërish tërheqëse në Greqi

Panagiotis Kouparanis / Aida Cama23 Tetor 2012

Bujqësia e përbuzur për një kohë të gjatë është bërë sërish tërheqëse në Greqi. Edhe për eksportin. Megjithatë, produktet bujqësore greke po e gjejnë me vështirësi rrugën e tyre për në supermarketet gjermane.

Fotografi: picture-alliance/dpa

Asnjë vend tjetër evropian nuk i ka rritur eksportet në gjysmën e parë të vitit 2012 sa i ka rritur Greqia. Megjithatë, bilanci grek i tregtisë së jashtme vazhdon të mbetet negativ megjithë plusin prej 12 përqindëshit. Dhe jo vetëm për këtë duhet bërë përpjekje për rritjen e eksporteve greke. Edhe për shkak të uljes së fuqisë blerëse brenda Greqisë duhet rritur përqëndrimi tek eksportet. Shumë këtu ofron bujqësia.

Që prej fillimit të viteve 1980-të eksportet greke janë përgjysmuar. Eksportet modeste greke kanë mbetur më pak se një e katërta. Sipas të dhënave të Zyrës gjermane të Statistikave në vitin 2011 importet nga Greqia u rritën 13,5 përqind për medikamentet ndërkohë që djathi i bardhë, uliri dhe vaji i ullirit u rritën me 7,5 përqind. Këtu mund të bëhet më shumë. Por për produktet agrare dhe ushqimore greke nuk është e lehtë të gjejnë rrugën për tu vendosur në vitrinat e supermarketeve gjermane.

Çmim i lartë, sasi e vogël

Për tu pranuar në zinxhirat e supermarketeve gjermane produktet greke duhet të garantojnë çmim të lirë dhe kualitet të lartë. Përveç kësaj produktet duhet të ofrohen në sasi të mëdha duke plotësuar të gjitha kushtet. Produktet greke duhet të përmirësohen, thotë Joachim Schalinski, i cili ka shkruar shumë artikuj për Greqinë në gazetën për industrinë ushqimore në Gjermani.

Në foto, Joachim SchalinskiFotografi: DW

"Po të shikoni verat greke ato janë shumë të shtrenjta. Ato janë të mira, por çmimi nuk përputhet. Unë nuk do të paguaja 18 euro për një shishe verë greke, vetëm sepse këtë e kërkojnë strukturat greke."

Problemi kryesor është, thotë Shalinski, fakti që prodhuesit agrarë grekë nuk bashkëpunojnë me njëri tjetrin, ata prodhojnë vetëm për tregun grek dhe janë mbështetur tek subvencionet e BE-së, të cilat japin para për shkatërrimin e kulturave të caktuara agrare.

Frymë e re biznesi për bujqësinë

Rritja edhe më tej e papunësisë që prej fillimit të recesionit katër vjet më parë ka bërë që gjithnjë e më shumë grekë të largohen nga qytetet për të ngritur një jetë të re në fshat. Në këtë periudhë numri i të punësuarve në bujqësi është rritur me shtatë përqind. Në mes të fshatarëve të rinj ka edhe shumë akademikë, që orientohen në prodhime biologjike, që merren me produkte të caktuara agrare, që kultivojnë kërmij apo kërpudha, apo mbledhin kërpudha derri. Mbase bujqit e rinj zhvillojnë një frymë të re sipërmarrjeje, e cila është e nevojshme për të pasur sukses në tregun e huaj.

Por, fillimisht duhet gatëishmëria për të bashkëpunuar, mendon Petros Michelidakis, drejtor i përfaqësisë në Athinë të Panairit të Dyseldorfit. Ndërmarrjet e vogla bujqësore greke me strukturë të vogël dhe kostot që kërkojnë zhvillimin e një strategjie marketingu për jashtë vendit, mund të mbahen vetëm nëse bëhen bashkë disa ndërmarrje agrare. "Fillimisht duhen bërë studime të tregut që synohet të arrihet, madhësia e tij dhe nëse produktet që ofrohen janë të përshtatshme. Pastaj bujqit grekë duhet të ngrenë format e veta të organizimit, në mënyrë që prodhimi që duan të eksportojnë të furnizohet komform tregut dhe në sasinë dhe standartet e nevojshme“, thotë Michelidakis.

Në foto, Petros MichelidakisFotografi: DW

Imazh i ri

Ata duhet të bien dakord për të zhvilluar disa "Branding", për të tregtuar pjeshkë nga rajoni Veria, mollë nga Pilio, ose Trahana. Në periudhën e globalizimit prodhimet greke do të kishin shanse në tregjet jashtë vendit, nëse janë të ndryshme nga produktet e tjera, thotë eksperti i produkteve ushqimorë Joachim Schalinski: "Edhe tek konsumatorët gjermanë ne do të kishim një simpati më të madhe për ofertat greke nëse tek ato do të vihej në dispozicion më shumë autenticitet dhe cilësi e lartë. Por kjo nuk ndodh patjetër.“

Nëse për konsumatorët jashtë vendit duhet të argumentohet pse një produkt grek më i shtrenjtë është, atëherë grekët do të kishin shanse si ofrues i produkteve të veçanta që nuk ekzistojnë në treg, thotë Joachim Schalinski.

Atëherë zinxhirat e supermarketeve që bëjnë konkurencë me njëri tjetrin do të ishin të detyruara të ofronin produkte të reja dhe interesantë.