1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Buka gjermane kërkon vulën e Unesco-s

Jennifer Fraczek/Lindita Arapi25 Shkurt 2014

Bukëpjekësit gjermanë thonë se Gjermania ka një kulturë të pasur të bukës. Ata duan që buka gjermane të shpallet vlerë jomateriale e trashëgimisë së kulturës botërore. Por rruga deri aty nuk është e lehtë.

Brot und Korn
Fotografi: Fotolia/Grecaud Paul

Gjermanët e duan bukën që gatitet në Gjermani, këtë ata e kuptojnë, kur janë jashtë vendit. Ankesat për bukën e bardhë të jugut kanë po aq traditë sa mjeshtëria e prodhimit të bukës gjermane. Por kur kthehen në vendlindje, rruga nuk i çon tek dyqanet tradicionale të bukës, por tek supermarketet që ofrojnë bukën me çmim të leverdisshëm. Pikërisht kjo ofertë ka dobësuar shitësit tradicionalë. Vit për vit mbyllen 300 deri në 500 dyqane.

Bukëpjekësit tradicionalë në përballjen e tyre me konkurrencën kanë vrarë mendjen se si të vlerësojnë zanatin e tyre, bukën që prodhohet tradicionalisht, më saktë shumëllojshmërinë e saj. Peter Backer, president i Qendrës së Bukëpjekësve mjeshtër në Gjermani thotë se "asnjë vend në botë nuk ka aq shumë llojshmëri bukësh si Gjermania".

Karavanët e krishtindlindjeve dhe tango janë nën protektorat

Fotografi: Melitta Abber/UNESCO

Titulli "trashëgimi jomateriale e kulturës" jepet nga Unesco, një kategori që u fut në vitin 2003 si shtesë e titullit "trashëgimi (materiale) e kulturës botërore. Iniciatorë kanë qenë vendet e Afrikës dhe Azisë, që kulturën e tyre nuk e shihnin të përfaqësuar sa duhet në trashëgiminë kulturore botërore. Pjesë e trashëgimisë kulturore botërore jomateriale janë kërcimet, zakonet dhe mjeshtëri zanatesh të ndryshme. Ato përfaqësojnë pjesën e gjallë të kulturës dhe mbrojtja e tyre ndihmon të mos vdesë dija tradicionale shoqërore. Këto vlera kulturore paraqiten në tre lista, më e rëndësishmja është "lista përfaqësuese".

281 vlera janë listuar aty, ndër to edhe tangoja argjentinase, apo gjuha e fërshëllimit "el Silbo" në ishullin spanjoll "La gomera"-

Buka konkurron me birrën dhe "shërimin me baktere"

Gjermania e ka ratifikuar marrëveshjen për ruajtjen e trashëgimisë kulturore jomateriale në vitin 2013. Grupe të ndryshme interesi dhe personave të caktuar iu bë thirrje për të propozuar deri në fund të nëntorit kandidatët. 128 vlera kulturore jomateriale u përmendën. Sipas propozimeve krahas bukës duhej marrë nën mbrojtje edhe birra, por edhe terapia mikrobiologjike "shërim me baktere" dhe një traditë rrëfimi gojor nga landi i Tyringenit. Çdo vend mund të zgjedhë deri në dy kandidatë nga këto 128 propozime.

Dieter OffenhäußerFotografi: UNESCO

3000 receta bukësh

Lidhur me shanset e suksesit për bukën gjermane që të shpallet trashëgimi jomatariale e kulturës botërore, zëdhënësi i Unesco-s, Dieter Offenhäuser thotë: "Që buka gjermane është e shkëlqyer dhe që ajo gëzon reputacion të lartë jashtë Gjermanisë, kjo shihet në atë që shumë dyqane bukësh jashtë marrin emrin "Bukë tradicionale gjermane". Çështja që shtrohet është se sa do të bindë ekspertët kjo shumëllojshmëri teknikash të zanatit, traditash dhe zakonesh në mënyrë që ajo të shpallet trashëgimi jomateriale botërore".

Peter Becker, president i Qendrës së Bukëpjekësve mjeshtër në Gjermani është i bindur që buka gjermane i plotëson kushtet. Buka ka përcaktuar dukshëm kulturën në Gjermani. Prodhimi i thjeshtë dhe vënia në dispozicion gjatë gjithë vitit kanë çuar në ngulitjen e njerëzve dhe krijimin e qyteteve. Fakti që ka kaq shumë lloje bukësh lidhet edhe me kushtet klimaterike. Në Gjermani mund të kultivohen të gjitha llojet e drithërave. Shumëllojshmëria mund të përkthehet edhe në shifra: "Ne i jemi lutur firmave tona që ta na dërgojnë recetat e tyre. Gjithsej kemi 3000 lloj recetash buke", me emërtime nga më të ndryshmet."

Çfarë sjell etiketa e Unesco-s

Fotografi: picture-alliance/dpa

Numri i vlerave jomateriale të kulturës botërore është rritur më shpejt se ai i vlerave materiale kulturore, që ndërkohë arrijnë shifrën 1000. Unesco gjithmonë është konfrontuar me akuzën se e jep vend e pa vend këtë titull. Por Dieter Offenhäuser thotë se me trashëgiminë kulturore jomateriale edhe në të ardhmen duhet pasur parasysh që përzgjedhja të mos jetë interesante vetëm për shkencëtarët, por edhe e kuptueshme për publikun e gjerë.

Nuk dihet se sa do t'i ndihmonte ky titull bukëpjekësit gjermanë. Peter Becker mendon se titull do të rriste krenarinë e bukëpjekësve mjeshtër për zanatin e tyre, dhe që klientët të shkojnë më shumë në dyqanë tradicionale buke. Në të gjithë botën Gjermania njihet për kulturën e bukës. Peter Becker: "Ne jemi gati të dorëzojmë atë, për të cilën na ka zili e gjithë bota."

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW