1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

030510 Kroatien Pressefreiheit

8 Maj 2010

Kur flitet për lirinë e shtypit në Kroaci, vëzhguesve u vete mendja automatikisht tek atentati ndaj Ivo Pukanicit, pronarit të revistës "Nacional". Më 24 tetor 2008, ai u e vra me një bombë të fshehur nën veturën e tij.

Është e vështirë të thuash se vrasja Ivo Pukanicit ishte atentat ndaj lirisë së shtypit në Kroaci.
Është e vështirë të thuash se vrasja Ivo Pukanicit ishte atentat ndaj lirisë së shtypit në Kroaci.Fotografi: AP

Gjatë hetimeve megjithatë u krijua përshtypja se atentati kishte të bënte më pak me lirinë e shtypit se sa me përfshirjen e viktimës në struktura mafioze. Megjithatë, vëzhguesit e shohin lirinë e shtypit në Kroaci në një gjendje të keqe.

Megjithëse atë e përmendin shpesh si shembull për gazetarinë investigative në Kroaci, botuesi i gazetave Ivo Pukanic shpesh ka qenë shumë më pranë elitave politike të vendit, se sa me gazetarinë. Kështu, gjatë procesit gjyqësor kundër atentatorëve të tij kanë dalë në dritë mesazhe sms, të cilat Pukanici ua dërgonte rregullisht shumë politikanëve të lartë dhe ministrave, si dhe Prokurorit të përgjithshëm. Këtu me sa duket ekzistonte një rrjet i stabilizuar marrjesh dhe dhëniesh.

Tomislav Klauski, gazetar i portalit kroat të internetit, "Index.hr.": "Ivo Pukanic ishte më pak se të gjitha gazetar, shumë më tepër ai ishte një njeri, i cili lëvizte fijet pas perdeve të skenës politike. Ai i ka përdorur miqësitë dhe lidhjet e tij për të manipuluar skenën politike."

Gjendja e lirisë së shtypit nuk është e mirë

Prandaj e ke shumë të vështirë të thuash se vrasja e tij ishte një atentat ndaj lirisë së shtypit në Kroaci. Por situata e lirisë së shtypit në Kroaci është gjithçka tjetër, po jo e trëndafiltë, thotë Klauski: "Që kur në pushtet erdhi më 2004 sërish partia konservatore HDZ, gjendja në mediet e Kroacisë është keqësuar vazhdimisht. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për presion politik. Shumë më tepër kjo është rrjedhojë e rrethanave politike dhe e sjelljes së pronarëve. Gazetarët janë ata që kanë më pak faj për këtë gjendje."

Bulevardizimi i mediave në KroaciFotografi: DW/ Pirolic

Një pjesë e madhe e medieve në Kroaci, si mediet e shtypit, ashtu edhe mediet elektronike, sot nuk punojnë për publikun, por për partitë në pushtet dhe për industrinë e reklamave. Ato nuk jetojnë nga shitja e gazetave të tyre, por nga shitja e hapësirës për publicitet.

Varësitë e pashëndetshme

Në këtë mënyrë lindin varësi të pashëndetshme, thekson Klauski: "Ky është burimi i të gjitha problemeve. Në këtë mënyrë heshtet për shembull për gjëra që nuk shkojnë, si për probleme politike, ashtu edhe për probleme ekonomike. Ato degë të ekonomisë që paguajnë më shumë reklama, ato sulmohen më pak nga të gjitha- si për shembull ofruesit e shërbimeve telefonike dhe të internetit ose bankat."

Jo rrallë sipërmarrjet kërkojnë, si këmbim për shitjen e reklamave një raportim miqësor për to, ai që shkruan në mënyrë kritike, ai nuk merr reklama. Dhe këtë nuk mundet dhe nuk duan ta lejojnë shumica e pronarëve, thotë Klauski.

Një mënyrë tjerër e ndikimit ndaj shtypit është përcjellja e qëllimshme e informacioneve, thotë Zeljka Antunovic nga socialdemokratët opozitarë. "Informacione të rëndësishme u përcillen vetëm gazetarëve të zgjedhur, vetëkuptohet në shkëmbim të shpërblimeve."

Tema dhe persona të caktuar nuk preken

Në rrethana të tilla, gazetarët nuk guxojnë të merren fare me tema dhe persona të caktuar. Bëhen përpjekje për të mos dëmtuar njerëz që janë shumë të fuqishëm - politikisht ose ekonomikisht. Rezultati është "bulevardizimi" i përgjithshëm i medieve, "personalitete të njohura" dhe pritjet paraqiten si ngjarje të rëndësishme shoqërore.

Këtë e pati kritikuar edhe ish-presidenti i Kroacisë, Stipe Mesic: "Unë i qortoj pronarët e mediave private që sytë u shohin vetëm përfitimin. Përgjegjësinë shoqërore ata e kanë lënë krejtësisht pas dore. Veçanërisht shqetësuese kjo është për sa u përket medieve publike. Edhe ato e kanë bërë të tyrin bulevardizimin, i cili dominon në tregun kroat të medieve".

Një pjesë e madhe e medieve në Kroaci punojnë për partitë në pushtet dhe për industrinë e reklamave.Fotografi: DW

Ndodhur ngushtë midis politikës dhe pronarëve të varur nga reklamat, për gazetarinë kritike nuk mbetet vend. Raportimi kritik dhe i guximshëm është spostuar në skaj të tregut medial, ku ka më shumë pavarësi dhe më pak publik.

Shkaku kryesor për mungesën e profesionalitetit të gazetarëve nuk është mungesa e shkollimit të tyre ose aftësia e gazetarëve, por në radhë të parë varësia ekonomike e gazetarëve. Vendet e punës të tyre janë të kërcënuara si të drejtat e tyre, shumë pushohen nga puna, redaksitë mbyllen. Gazetarët e shohin veten në këtë situatë nën presion që të heqin dorë nga raportimi kritik. Kështu që mediet sot në Kroaci janë të lira, por gazetarët jo.

Autor: Tatjana Mautner/ Auron Dodi

Redaktoi: Aida Cama