Bullgaria bllokon punimet e "South Stream"
9 Qershor 2014
Bullgaria do të vazhdojë me ndërtimin e gazsjellësit rus South Stream, vetëm pas dritës së gjelbër nga BE. Projekti do të rifillojë, kur BE të mos ketë më rezerva ndaj tij, bëri të ditur kryetari i qeverisë bullgare Plamen Oresharski në Sofje të dielën në mbrëmje. Komisioni Europian i kishte kërkuar Bullgarisë javën e shkuar të ndalonte punimet për gazsjellësin e kontestuar. Fillimisht duhet të sqarohet nëse ndërtimi i gazsjellësit nga megakoncerni rus, Gazprom është në harmoni me ligjet europiane. Pas konsultimeve me BE-në do të vendoset për hapat e ardhshëm. Me 13 qershor në Bullgari priten ekspertë të BE-së.
Amerikanët kundër
Sipas rregulloreve europiane është e papranueshmem që një furnizues me gaz të ketë në të njëjtën kohë edhe monopolin mbi gazsjellësin. Brukseli kishte nisur madje procedimet gjyqësore ndaj Bullgarisë për shkak të gazsjellësit South Stream. Në sfond qëndrojnë mosmarrëveshjet mes BE-së dhe Rusisë për shkak të konfliktit në Ukrainë dhe sanksionet amerikane e europiane ndaj Moskës.
Të dielën në mbrëmje pas një takimi me senatorë amerikanë, kreu i qeverisë bullgare Oresharski u shpreh se "ai ka dhënë urdhër që të bllokohen të gjitha punimet". Edhe pala amerikane ka shprehur shqetësimet e saj lidhur me dhënien e tenderit të ndërtimit të gazsjellësit një konsorciumi rus "Stroyttransgaz", i cili është i prekur nga sanksionet amerikane për shkak të konfliktit në Ukrainë.
Gazsjellësi anashkalon Ukrainën
Gazsjellësi rreth 2.400km i gjatë do të ndërtohej nën drejtimin e megakoncernit Gazprom. Ai do të kalonte nga Rusia përmes Detit të Zi dhe në Bullgari do të prekte sërish tokën. Nga ky vend përmes linjave të reja gazsjellësi do të kalonte përmes Greqisë e Italisë, ndërsa një linjë tjetër do të kalonte përmes Serbisë, Hungarisë, Sllovenisë deri në Austri. Me këtë anashkalohej Ukraina si vend tranzit.
Qeveria e Bullgarisë, anëtares më të varfër të BE-së synon realizimin e plotë të projektit, me qëllim të shkëputjes së furnizimit me gaz rus nga zhvillimet në Ukrainë. Bullgaria, prej shtatë vjetësh anëtare e BE-së, është tërësisht e varur nga gazi rus. Konflikti mes Rusisë dhe Ukrainës në vitin 2009 e goditi rëndë këtë vend, duke bërë që të bllokoheshin furnizimet me gaz nga Rusia, si pasojë qindra mijëra bullgarë kaluan netë ngrice.