1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bullgaria do të lejojë fluturimin e Putinit për në Budapest

21 Tetor 2025

Bullgaria, vend anëtar i BE-së, sinjalizoi, se do të lejojë fluturimin e presidentit rus Vladimir Putin përmes hapësirës së saj ajrore drejt Budapestit, ku do të zvhillohet takimi me presidentin e SHBA-së, Donald Trump.

Fotografi me portretet në profil të Donald Trump, president i SHBA-së dhe Vladimir Putin, president i Rusisë.
Ende nuk ka një datë, se kur do të takohet së shpejti Trump dhe Putin në Budapest, por ministrat e Jashtëm Rubio dhe Lavrov kanë vendosur kontaktin për të bërë përgatitjet.Fotografi: ZED

"Nëse bëhen përpjekje për arritjen e paqes, dhe nëse kushti për këtë është, që të ketë një takim, atëherë është logjike që të mundësohet zhvillimi i këtij takimi ashtu siç është e udhës", është shprehur ministri i Jashtëm bullgar Georg Georgiev, sipas një njoftimi të radios shtetërore në Sofje në kuadrin e takimit të këshillit të ministrave të BE-së në Luksemburg. 

Një itinerar i mundshëm fluturimi nga Moska për në Budapest kalon mbi Detin e Zi, mbi Bullgari dhe Serbi. Hapësira ajrore e Bullgarisë si vend anëtar në BE pas fillimit të luftës sulmuese të Rusisë ndaj Ukrainës është e mbyllur për avionët rusë. Itinerare të tjera të mundshme janë në veri përmes Bjellorusisë dhe Polonisë ose Detit Baltik, Gjermanisë dhe Çekisë.

Ministri i Jasht​​​​​​​​​​ëm bullgar Georg GeorgievFotografi: BGNES

Lavrov dhe Rubio përgatisin takimin e presidentëve

Ministrat e Jashtëm të Rusisë dhe SHBA-së, Sergej Lavrov dhe Marco Rubio, kanë telefonuar për të përgatitur takimin e mundshëm të presidentëve lidhur me luftën në Ukrainë. Këtë e bënë të ditur Ministritë e Jashtme në Moskë dhe në Uashington. Sipas një njoftimi nga Moska janë biseduar hapa konkrete, për të vënë në jetë ato për çfarë është rënë dakord gjatë telefonatës të enjten (16.10.2025) e kaluar ndërmjet presidentëve Vladimir Putindhe Donald Trump. 

Lavrov dhe Rubio gjatë takimit në Alaskë në gusht 2025Fotografi: Julia Demaree Nikhinson/AP Photo/picture alliance

Një zëdhënës i Rubios tha në Uashington, se qëllimi konkret është një "zgjidhje e qendrueshme për luftën ruso-ukrainase", sikurse synon presidenti Trump. Pas telefonatës me Putinin, Trump deklaroi, se së shpejti do të takohet me kreun e Kremlinit në kryeqytetin hungarez, Budapest. Deri tani ende nuk është përcaktuar një datë. Paraprakisht është planifikuar një takim i ministrave të jashtëm, për të përgatitur samitin e dytë Trump-Putin.Të dy presidentët u takuan për herë të parë në mes të gushtit në shtetin federal të SHBA-së, Alaskë.

 

 

dpa/ard