1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bundestagu duhet të vendosë sërish për mandatin e Bundesvehrit në Afganistan

Bernd Gräßler29 Gusht 2006

Në Gjermani qarkullojnë spekullime sipas të cilave në të ardhmen ushtarët gjermanë duhet të dislokohen edhe në jug të Afganistanit. Kjo mundësi u hodh sot poshtë nga Berlini zyrtar

Ushtar gjermanë në Afganistan
Ushtar gjermanë në AfganistanFotografi: AP
Gjermania nuk planifikon të dërgojë ushtarë në jug të Afganistanit prej nga njoftohet vazhdimisht për luftime të përgjakshme. Zëdhënësi i qeverisë Thomas Steg sqaroi sot se, nga njëra anë nuk ka kërkesa për një gjë të tillë dhe nga ana tjetër qeveria federale nuk do të arrinte të fitonte shumicën politike për marrjen e një vendimi të tillë në parlament. Kontigjenti gjerman i Trupës Ndërkombëtare Mbrojtëse për Afganistanin ISAF do të vazhdojë edhe më tej të përqëndrohet në veri, shtoi zëdhënësi i qeverisë gjermane. Para tre muajsh Gjermania pat marrë përsipër përgjegjësinë për tërë veriun dhe pjesën më të madhe të ushtarëve të saj, rreth 2800 syresh i pat zhvendosur nga kryqyteti Kabul në qytetin afgano-verior Masar-i Sharif. Ministri gjerman i mbrojtjes Franc Jozef Jung deklaroi për kanalin televiziv të lajmeve N 24 se njëherë përnjëherë nuk do të ndryshoj agjë: "Ne jemi ngarkuar që të kontribuojmë këtu në veri, konkretisht në Masar-i Sharif, në Kunush dhe Faizabad. Dhe në këtë drejtim nuk ka ndryshuar asgjë", tha ministri Jung. Nën komandën e gjeneralit gjerman Markus Knajp në veri të Afganistanit përveç gjermanëve veprojnë edhe rreth 1200 ushtarë nga 13 kombe të ndryshme, para së gjithash norvegjezë, suedezë dhe holloandezë. Në Masar-i Sharif është ngritur kampi më i madh fushor gjerman jashtë vendit. Qindra ushtarë të Bundesvehrit mbështesin ekipet rajonale të rindërtimit në Kundush dhe Faizabad. Në të vërtetë në një vendim të Bundestagut nga shtatori i vitit 2005 thuhet se ushtarët gjerman duhet të jenë në gjendje që të mbështesin operacionet e ISAF-it edhe në rajonet tjera të vendit. Por një mision i tillë duhet të përkufizohet si në kohë ashtu dhe në masë. Përveç kësaj në këtë rast më parë duhet të informohet parlamenti. Parlamenti gjerman do të vendosë në tetor për një rizgjatje të misionit gjerman në Afganistan. Sipas revistës "Spiegel" në qeverinë gjermane është duke u rritur shqetësimi se Bundestagu mund të vështirësoëj punën për shkak të sigurisë së ushtarëve në Afganistan. Disa deputetë po ashtu janë të pakënaqur me informimin për gjendjen e vëretët të sigurisë në Afganistan. Kjo për faktin se edhe në veri ku për një kohë të gjatë sundonte qetësia kohëve të fundit janë shpeshtuar sulmet ndaj trupave të ISAF-it. Deri më tani që prej fillimit të misionit jetën kanë humbur 18 ushtarë gjermanë, gjashtë prej tyre si pasojë e sulmeve. Ndërkaq ministria gjermane e mbrojtjes përgënjeshtroi njoftimet sipas të cilave janë duke u fshehur lajmet mbi sulmet ndaj ushtarëve gjermanë.