1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bundestagu gjerman debaton për politikën evropiane ndaj refugjatëve

Mathias Bölinger / Pandeli Pani 18 Janar 2014

Për herë të parë parë pas katastrofës së Lampeduzës Bundestagu gjerman debatoi për politikën evropiane ndaj refugjatëve.

Fotografi: picture-alliance/dpa

Bundestagu gjerman debatoi të premten (17.01) për politikën evropiane ndaj refugjatëve. Në debate u vu re që edhe deputetët konservatorë ishin dakord me kërkesën e partisë E Majta për të diskutuar rreth politikës evropiane ndaj refugjatëve. Me sa duket pamjet e 3 tetorit 2013, kur në brigjet e ishullit italian Lampedusa u mbyt një anije me refugjatë nga Somalia gjë që u shkaktoi vdekjen më shumë se 100 vetëve, kanë tronditur jo vetëm teleshikuesit në gjithë Evropën, por i bashkojnë edhe politikanët e kampeve të ndryshme. Papa kërkoi asokohe nga evropianët më shumë humanizëm. Bundestagu gjerman debatoi për herë të parë që prej kësaj katastrofe për politikën evropiane ndaj refugjatëve.

Fotografi: AFP/Getty Images

Tone mirëkuptimi

Partia E Majta u hodh në sulm kundër politikës së Bashkimit Evropian dhe të qeverisë gjermane. "Të paskrupullt, çnjerëzore dhe të turpshme", e quajti deputetja Ulla Jelpke politikën ndaj refugjatëve. Por në vend të zemërimit për deklarata të tilla në parlament u dëgjua e shumta ndonjë paralajmërim i butë si ai i deputetit të CDU-së Frank Heinrich, që kërkesa të tilla të mos formulohen në formë polemike, që mund të interpretohen si lojë politike populiste. Kolegu i tij Stephan Mayer e siguroi partinë e Majta se nëse është e nevojshme që të merret vendim për t'i dërguar një apel parlamentit italian për të tërhequr ligjet kufizuese të epokës Berluskonit, ai do të votonte pro kësaj kërkese.

Sistemi i Dublinit nuk mund të justifikohet më

Megjithatë partitë gjermane janë shumë larg në qëndrimet e tyre në lidhje me politikën ndaj refugjatëve. Partia E Majta bën thirrje për t'i dhënë fund misionit kufitar Frontex në Mesdhe. Refugjatët duhet të kenë të drejtë të zgjedhin në kuadër të BE-së se ku duan ta bëjnë kërkesën për azil. Deri tani ata duhet ta bëjnë këtë kërkesë në vendin ku hyjnë për herë të parë në territorin e BE-së. Kjo është vendosur në marrëveshjet e Dublinit për politikën e përbashkët ndaj refugjatëve. "Sistemi i Dublinit nuk mund të justifikohet më", thotë deputetja Louise Amtsberg nga Partia e Gjelbër. Edhe SPD-ja dëshiron t'i ndryshojë marrëveshjet dhe angazhohet për një kuotë, sipas së cilës refugjatët mund të shpërndahen proporcionalisht mes vendeve të BE-së.

Një model i tillë do t'i lehtësonte vende si Italia dhe Greqia, ku hyjnë shumica e refugjatëve, dhe Gjermania nuk do të përballet me një barrë shtesë, tha deputeti socialdemokrat Rüdiger Veit. Ai kritikoi se reforma e sistemit të Dublinit qe bllokuar në të kaluarën kryesisht nga Gjermania dhe u bëri thirrje të gjithë anëtarëve të qeverisë për t'u angazhuar për reformimin.

Fotografi: picture-alliance/dpa

Luftë bandave të trafikantëve

"Asnjë vend në Bashkimin Evropian nuk pranon më shumë refugjatë sa Republika Federale e Gjermanisë", e justifikoi politikën e Gjermanisë deputeti i CSU-së Stephan Mayer. CDU dhe CSU nuk duan ndryshime në marrëveshjen e Dublinit dhe mendojnë se Italia dhe Greqia duhet të përmirësojnë kushtet në kampet e refugjatëve, sepse "në një vend modern perëndimor ato nuk janë të denja për të strehuar aty refugjatë", kritikoi ai. Ai kërkoi nga BE-ja që të rrisë përpjekjet në luftën kundër kontrabandistëve dhe trafikantëve, sepse ata janë përgjegjësit e vërtetë për vdekjen e njerëzve në Lampedusa.

Kjo është edhe linja zyrtare e qeverisë gjermane, e cila deklaroi se në politikën evropiane për punët e brendshme dhe refugjatët nuk do të ketë një herë për një herë ndonjë katalog për nisma të reja ligjore.