1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjashtë grupe parlamentare, gjashtë vëzhgime

25 Tetor 2017

Parlamenti i sapozgjedhur nisi punën. Me gjashtë grupe parlamentare, më ngushtë në sallë nuk bëhet. Një koment nga Jens Thurau me vëzhgime nga seanca e parë e Bundestagut.

Bundestagssitzung Berlin
Fotografi: Reuters/F.Bensch

Vëzhgimi numër një: është më ngushtë dhe tepër plot në sallë, në Bundestagun e ri. Shumë më tepër se më parë, deputetët reagojnë ndaj njëri-tjetrit. Ngushtica në Parlament, për të cilën u ankuan më parë shumë vetë, mund të rezultojë në fund si fat.

Vëzhgimi numër dy: tani flitet troç. Që në fillim. Presidenti nga mosha i Bundestagut Solms i FDP dëshiron që Bundestagu të bëhet sërish qendra e debateve, dhe kjo qendër të mos jenë mediet sociale me teprimet e tyre. Përgjegjësi: kjo është fjala që përdor ai shumë. Oratorë të tjerë bëjnë të njëjtën gjë. Hapur ata thonë se shumë diskutime, që i kanë ngacmuar së fundi njerëzit, janë zhvilluar kudo, por jo në sallën plenare të Bundestagut.

Fotografi: Reuters/F. Bensch

Urra, tani kemi një opozitë...

Vëzhgimi numër tre: Urra, sërish ekziston një opozitë. Pas kohës paralizuese të Koalicionit të Madh qeveritar me shumicat gjigande të tij dhe me pafuqinë e më të paktëve, të cilët nuk qenë në qeveri. Tani, Carsten Schneider i SPD e akuzon kancelaren se është fajtore për forcimin e AfD. Dhe kërkon që kancelarja t'u përgjigjet katër herë në vit pyetjeve të deputetëve. Dhe të mos e bëjë këtë vetëm në intervista televizive të përgatitura me kujdes, përmbajtjen dhe momentin e të cilave e përcakton ajo. Kjo kërkesë u shty për ta diskutuar më vonë, mbase ishte pak provokuese që të kërkosh një gjë të tillë që në seancën e parë pasi për katër vjet me radhë ke qendruar në krah të po kësaj kancelareje në bankën e qeverisë. Po ka mjaft mundësi që në të ardhmen të vendoset të bëhet kështu. Dhe do të ishte mirë.

...por a thua i pëlqen kjo Angela Merkelit?

Vëzhgimi numër katër: Kancelarja. Ajo nuk zuri vend në bankën e qeverisë, natyrisht që nuk mund ta bënte këtë në mbledhjen konstituese të parlamentit. Por kishte diçka simbolike si rrinte ulur ajo në radhët e CDU-së dhe heshtte. Zor se kjo mund të vazhdojë edhe më tej kështu, me deklaratat qeveritare në shumicën të mërzitshme, me taktikën që politikën tënde të mirëfilltë ta shpjegojnë me dozat e duhura shokët e partisë. Kancelarja duhet të pozicionohet më shumë se tani. A do ta bëjë dot? Do ta shohim.Tokë e re kjo është gjithsesi për atë e cila që prej dymbëdhjetë vjetësh në mjaft raste ka qeverisur si të thuash e fshehur. Schäuble vendos kornizën e duhur.

Fotografi: Reuters/H. Hanschke

Vëzhgimi numër pesë: Wolfgang Schäuble, Presidenti i ri i Bundestagut. Ai flet për shanse të reja, por edhe për kufij, të cilat atëherë duhet të shpjegohen qartë. Flet për atë që interesat e veçuara nuk duhet "të teprohen". Pra pajtim i interesave. Dhe në fund, thotë Schäuble, do të vendosë një shumicë, e cila pastaj nuk lejohet të denoncohet. Së fundi ka pasur përçmime dhe poshtërime, tha Schäuble, edhe një mungesë të sjelljes së civilizuar në bashkëjetesë. Të gjitha këto i tha qartë të drejtuara drejt AfD-së. Dhe ai thekson se Gjermania të gjitha zgjidhjet duhet t'i kërkojë brenda kornizës ndërkombëtare, që nuk lejohet të mbyllet në vete, që duhet ta gjejë veten në komunitetin ndërkombëtar.

...dhe pa dyshim, AfD është e qartë, është e pranishme

Dhe jo, nuk e harrova, por e lashë qëllimisht në fund, vëzhgimi numër gjashtë: AfD është e pranishme. Nuk ka sukses me kandidatin për zëvendëspresident të Bundestagut. Siç pritej. Mbështet për rendet e ditës njeherë SPD dhe njëherë të Majtën. Do të flasë me tone të ashpra, kjo parti populiste e djathtë, kjo është e sigurtë. Por grupet e tjera parlamentare duket se janë përgatitur për këtë. Do të jetë një Bundestag tjetër. Më zbavitës, të shpresojmë, dhe një parlament që të arrijë atë që e kërkuan kaq shumë vetë në seancën konstituuese: që t'i vërë në lëvizje njerëzit dhe të diskutojë me ta, t'i tërheqë ata këtu, në (adresën e Bundestagut) Platz der Republik 1, 11011 Berlin.