1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bursantët kosovarë në universitetet turke

18 Qershor 2011

Turqia ka vite që përmes ambasadës së saj në Prishtinë u mundëson një numri të caktuar të të rinjve kosovarë që të vazhdojnë me bursa studimet në universitetet turke.

Studentë kosovarë në Turqi.
Studentë kosovarë në Turqi.Fotografi: DW

Qeveria turke përmes ambasadës së saj në kryeqytetin e Kosovës shpall çdo vit një konkurs ku fton maturantët e interesuar që të marrin pjesë në të ashtuquajturin „Provimi i Republikës Turke“ (turqisht shkurt TCS Sinavi) dhe kandidatët më të mirë fitojnë një bursë, e cila mbulon të gjitha shpenzimet e banimit dhe shkollimit në një prej universiteteve turke.

Programi i qeverisë turke, nga i cili ka vite që përfitojnë shumë të rinjë kosovarë është në të vërtetë një ndihmë që shteti turk e ndan në ato vende që konsiderohen si vende të afërta apo vende mike të Turqisë. Këtë vit sipas ambasadës turke në Prishtinë kjo bursë është fituar nga 110 kosovarë, 60 të përkatësisë turke ndërsa 50 të tjerë të përkatësisë shqiptare dhe të komuniteteve të tjera. Ky grup nga fillimi i vitit të ardhshëm shkollor i bashkangjitet kontigjenteve të tjera të të rinjve kosovarë, që tashmë sa vite studiojnë në Turqi.

Emel Kani është një turke e re nga Mitrovica. Ajo është studente e vitit të tretë në Universitetin Ege të Izmirit. Si shumë të rinj e të reja tjera edhe ajo ka shfrytëzuar mbështetjen e përzemërt të shtetit turk:

Studentja kosovare Emel Kani.Fotografi: DW

„Ky është viti i tretë që po mbaron që kam ardh në Turqi. Studioj menaxhment, në Universitetin Ege në Izmir. Unë jam turke e Kosovës, i jam nënshtruar një provimi në Kosovë dhe pas atij provimi jam pranuar që të studioj këtu në Turqi. Këtu ka romë të Kosovës, boshnjakë e edhe shqiptarë që përfitojnë nga ky program. Në këtë mes ka vetëm një dallim: ne turqit e Kosovës duhet t`i nënshtrohemi provimit në Kosovë ndërsa pjesëtarët e komuniteteve të tjera duhet të vijnë në Turqi, të ndjekin një vit kursin për mësimin e gjuhës turke e pastaj t'i nështrohen provimit për pranim ku përcaktohet edhe drejtimi i studimeve. Por pasi të kenë mësuar një vit gjuhën që është obligative është e sigurtë që të gjitha ata studentë që vijnë për të studiuar këtu edhe e fitojnë një vend në një drejtim të caktuar për të studiuar.”

Emeli ka lindur dhe është rritur në Mitrovicë. Mësimet në shkollën fillore dhe të mesme ajo i ka ndjekur në gjuhën turke gjë që nuk ka mundur ta bëjë edhe në Universitetin e Prishtinës. Megjithatë kjo nuk është arsyeja e vetme përse ajo ka zgjedhur pikërisht Turqinë që të studioj:

„Unë gjithmonë mendoj se është më mirë të studiosh jashtë vendit, jeta studentore është më e mirë dhe e shohim si është të studiosh jashtë shtetit tënd, pastaj është më e lehtë deri tek gjetja e një vendi të punës. Po ashtu unë e kam zgjedhur Turqinë sepse edhe më parë i kam ndjekur mësimet në gjuhën turke si në shkollën fillore ashtu dhe në atë të mesme. Një arsye tjetër është se më ka pëlqyer edhe sistemi i arsimit në Turqi.“

Edhe për Almir Miftarin ky është viti i tretë që si përfitues i bursës turke studion në Universitetin Ege në Izmir. Almiri është boshnjak i Prizrenit prandaj kishte edhe një arsye më shumë se Emeli që studimet t'i vazhdojë në Turqi:

Studenti nga Kosova Almir Miftari.Fotografi: DW

“Për boshnjakët është pak më vështirë që të studiojmë në vendet ku mund të studiohet në gjuhën boshnjake si për shembull në Novi Pazar. Që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës ky univeristet nuk i njeh diplomat e Kosovës. Prandaj unë kisha vendosur që të studioj diku jashtë Kosovës dhe Turqia ishte mundësia e parë më e mirë. Këtu nuk kemi asnjë problem dhe të gjitha kushtet i kemi shumë të mira si të banimit, si të shkollimit, nuk kemi asnjë problem. Thjesht jemi trajtuar njëlloj sikurse studentët turq, vendas të këtij shteti.”

Grupet e të rinjve kosovarë priten shumë mirë në universitetet turke, sqaron Emeli madje nga kolegët e tyre vendas shihen si të privilegjuar në Universitet:

„Trajtimi është shumë i mirë, nuk bëjnë fare dallime, jemi shumë të afërt me njëri tjetrin por ka raste që studentët vendas ankohen, dhe më të drejtë, se nga Kosova po arrijmë më lehtë deri tek sigurimi i vendeve të mira për studime ndërkohë që ata vetë e kanë shumë më të vështirë. Në këtë pikë ndonjëherë vërehet pakënaqësi se ne nga Kosova më lehtë po i sigurojmë këto vende dhe drejtime studimi duke i zënë vendet e tyre.“

Nga ana tjetër kontaktet mes studentëve kosovarë në Turqi janë shumë të mira, ata ruajnë lidhjet dhe e ndihmojnë njëri-tjetrin pavarësisht se prej nga cilit rajon apo çfarë përkatësie i përkasin.

„Në këtë pikë nuk ka asnjë dallim, ne kosovarët jemi gjithnjë bashkë dhe deri tani nuk kemi pasur kurrfarë problemi, nuk ka dallime se kush është boshnjak, turk, shqiptar apo rom, jemi të gjithë një. Të gjithë që jemi këtu e flasim edhe gjuhën shqipe dhe i ndihmojmë shumë njëri-tjetrit për ndonjë fjalë apo ndonjë lëndë që na duhet në gjuhën turke", thotë Emeli.

Ngashëm me Emelin shprehet edhe Almiri: “Dy vitet e para e kemi kaluar shumë mirë me njëri tjetrin sepse kemi pasur më shumë kohë, këtë vit jam përqëndruar më shumë në libra kështu që shumë rrallë po shihemi ata provime, ne provime por kur kemi ndonjë festë ne takohemi të gjithë se bashku dhe e kalojmë shumë mirë.”


Autor: Esat Ahmeti
Redaktoi: E. Xhani