Busek: "Evropa Juglindore është padyshim në Evropë."
23 Maj 2006
Zoti Busek ju qysh prej katër vjetësh jeni koordinator i posaçëm i Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore, që u themelua në vitin 1999 për të kontribuar në qetësimin e rajonit pas katër luftrave në ish-Jugosllavi. Çfarë mund të ofroni ju në këtë funksion?
Erhard Busek: "Pikënisja e paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore ishte mëse e qartë, pra kontributi për stabilitetin e përgjithshëm në rajon pas luftrave e konkretisht pas marrëveshjes së Dejtonit për Bosnje-Hercegovinën dhe fundit të luftës në Kosovë. Krahas elementit të luftës natyrisht, që një komponente e rëndësishme ishte edhe harta e re. Janë krijuar shtete të reja, e në këtë mënyrë edhe kufinj të rinj, gjë që sjell probleme të reja, por plus është edhe perspektiva evropiane. Pakti i Stabilitetit ka një perspektivë shumë të qartë: të gjitha vendet e rajonit duhet të bëhen antare të BE-së.
Ndërkohë ka ndryshuar krejtësisht axhenda. Ne fillimisht kishim në plan të parë masat për periudhën e pasluftës si: kthimi i refugjatëve, heqja e minave, mbledhja e armëve etj. Sot ne jemi përqëndruar tek zhvillimi i situatës ekonomike dhe sociale, përveç kësaj është e rëndësishme që të gjitha zgjedhjet në nivel kombëtar janë zhvilluar në mënyrë korrekte. Mund të themi se në këtë periudhë është arritur demokracia, që ka qenë edhe një ndër qëllimet e Paktit të Stabilitetit.
Sa i përket punës së Paktit të Stabilitetit në praktikë dhe mënyrës se si funksion kjo strukturë, prej nga i merr porositë dhe si vihen projektet në zbatim, koordinatori Busek thekson:
Erhard Busek: Në Paktin e Stabilitetit është ankoruar tryeza rajonale, që mblidhet dy herë në vit dhe në të cilën janë të përfaqësuar të gjithë pjesëmarrësit. Në këtë tryezë merren vendimet. Thënë më shkoqur: ne çdo vit përcaktojmë pikërëndesat, ose objektivat e përbashkëta në marrëveshje me BE-në. Ndër këto pikërëndesa janë: bashkëpunimi parlamentar, lufta kundër krimit të organizuar, marrëveshja e përbashkët e tregtisë së lirë për rajonin si dhe ulja e varfërisë. Ndërsa gjatë vitit 2007 do t´i kushtojmë vëmendje çështjeve të arsimit. Këto inciativa i konceptojmë ne, e them hapur këtë, sepse në këtë mënyrë përpiqemi të jemi një element depërtues dhe të propozojmë në rajon, se ç´drejtim duhet të marrë bashkëpunimi rajonal. Qëllimi është që rajoni më pas t´i marrë vet frenat në dorë."
I pyetur lidhur me ecurinë e bashkëpunimit dhe rrezikun që mund të ekzistojë për përplasje interesash mes vendeve aspirante të rajonit për antarësim në BE dhe fqinjëve të tyre tashmë antare të bllokut si Sllovenia, Hungaria, Bullgaria, Moladvia etj, Busek vlerëson, se është e kuptueshme që ka një farë konkurrence midis këtyre vendeve, por ai e quan këtë pozitive:
Erhard Busek: Natyrisht që ka një sërë problemesh historike me të cilat duhet të merremi intensivisht. Por qysh në fillim qëllimi që i kishim vënë vetes ishte puna bindëse dhe miqësore për nxitjen e bashkëpunimit në rajon. Ndaj vërej si pozitive që kjo tashmë është kuptuar. Në këtë rast kemi të bëjmë me një treg që përbëhet prej 55 milionë njerëzve që në sfondin e zhvillimeve të sotme globale nuk është shumë. Por nga ana tjetër secili prej këtyre vendeve e kupton, që nuk mund të joshë investime duke thënë: "ejani në vendin tim, ne kemi dy apo tre milionë konsumatorë", kjo do të ishte qesharake. Pra duhet të theksojmë herë pas here në këto vende, se "perspektiva juaj është në BE dhe duhet të mësoni që të merreni vesh dhe të bashkëjetoni me njëri-tjetrin.
Një nga zhvillimet më aktuale në Rajon është vota pro pavarësisë në Mal të Zi. I pyetur nëse me shkëputjen nga Serbia Mali i Zi do të mund të afrohet më shpejtë në BE?,
Erhard Busek: Eshtë e vështirë ta parashikosh, nëse do të antarësohet më shpejt. Por një gjë është e qartë, tani Mali i Zi shpëton nga barra që ka pasur prej Serbisë. Mali i Zi gjithmonë është distancuar ndaj bisedimeve për Kosovën si dhe ndaj çështjes nëse Mlladiçi do të dorëzohet në Hagë ose jo. Pra ky aspekt nuk është më aktual për Malin e Zi.
Sa i përket aftësisë për mbijetesë të Malit të Zi, Busek mendon, se kjo do të jetë në varësi të vet malazezëve. Ata kanë tani shansin dhe vendi ka një pozitë të mirë gjeografike në bregdet. Gjithçka sipas tij do të varet nga ajo që do të bëjnë ata që janë përgjegjës për këtë vend. I pyetur mbi influencën që mund të ketë ky ndryshim në Beograd dhe se si mund ta pranojë Serbia këtë, Busek thekson:
Erhard Busek: "Kjo ishte pothuajse e parashikuar, nëse do të përmbushen kushtet atëherë do të pranohet edhe rezultati. Eshtë e vështirë të thuash, se çfarë influence mund të ketë kjo në politikën e brendëshme të Serbisë, sepse situata në Beograd është aktualisht mjaft e paqëndrueshme. Por për Serbinë çështja kritike është Kosova dhe jo Mali i Zi.
Ndërkohë po vazhdojnë bisedimeve për statusin e Kosovës, nëse ka ka shanse për marrëveshje midis palëve dhe ç´koncept ka BE-ja për zgjidhjen e këtij problemi, Erhard Busek përgjigjet:
Erhard Busek: Së pari më duhet të them, se Kosova është çështje e OKB-së. Kjo organizatë është ngarkuar me administrimin. Me këtë çështje merret edhe grupi i kontaktit ku marrin pjesë edhe ShBA, Rusia dhe BE-ja. Pra përgjegjësia zgjerohet disi më shumë. Por gjithnjë e më shumë po kristalizohet, ajo që në bisedat që kam pasur e ka bërë të qartë edhe Marti Ahtisari, se rezultati me siguri që nuk do të jetë një rezultat i bisedimeve mes Beogradit dhe Prishtinës, por i një grupi negociator, të cilit s´i mbetet gjë tjetër veçse propozimet t´ia paraqesë OKB-së dhe kjo duhet të vendosë. Tek e fundit OKB-ja ka edhe përgjegjësi për Kosovën."
Si njohës i mirë i rajonit Erhard Busek ka qëndrimin e tij lidhur me të ardhmen e Kosovës dhe statusin që duhet të ketë ajo mbi bazën e së drejtës ndërkombëtare. Lidhur me këtë ai thekson, se rezultati i bisedimeve do të jetë një plan me disa etapa që do të shkojnë drejt mëvetësisë:
Erhard Busek: Personalisht besoj, se s´ka alternativë veç pavarësisë. Serbia e ka lënë pasodre shansin për çdo lloj zgjidhjeje tjetër. Sigurisht që do të kishte shanse për rivendosjen e autonomisë, që u shfuqizua prej Millosheviçit. Në këtë drejtim s´është ndërmarrë asgjë. Në mënyrë disi të vrazhdë mund të them, se nëse do t´i bësh dëm Serbisë ktheji Kosovën, sepse Serbia nuk do të ishte në gjendje ta përballojë vetë këtë problem as në aspketin politik dhe as sa i përket sigurisë e aq më pak ekonomikisht. Kjo duhet kuptuar gradualisht, por përshtypja ime është, se këtë duhet ta kuptojnë së pari politikanët."
I pyetur nëse një Kosovë si entitet autonom mund të mbijetojë ekonomikisht dhe se si mund të jetë perspektiva e saj, Erhard Busek thekson:
Erhard Busek: Unë nuk e besoj këtë. Unë nuk jam dakord me mendimin se diçka nuk është në gjendje të mbijetojë, siç e themi ne evropianët fare çlirët. Me kujtohet, që askohe thonim për Sllovakinë që u shkëput nga Çekia, se një vend i tillë s´është në gjendje të mbijetojë. Sot në disa drejtime Sllovakia është më mirë se Çekia. Edhe për Slloveninë u tha, se "jeni vetëm dy milionë dhe s´jeni në gjendje të mbijetoni". Por ndërkohë të ardhurat për frymë në Slloveni janë më të larta se në Portugali apo në Greqi. Unë besoj në talentin e shqiptarëve për ekonomi dhe biznes. Ata janë shumë mirë sa u përket ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Nga ana tjetër ne nuk duhet të harrojmë vështirësitë që ka përballuar ky rajon, duke përfshirë këtu edhe luftën me të gjitha pasojat e saj.
Edhe sa i përket Kosovës vazhdimisht theksohet perspektiva evropiane, formulim që përdoret si një fjalë magjike për të ardhmen e Kosovës. Parë nga perspektiva evropiane: sa kuptimplotë është që ky rajon, këto vende të afrohen në BE? Mos kemi të bëjmë më shumë me një barrë nisur nga mungesa e stabilitetit që ka në këtë rajon? Kësaj pyetjeje koordinatori i Paktit të Stabilitetit, Erhard Busek i përgjigjet:
Erhard Busek: Së pari, integrimi evropian është një kontribut për stabilitetin. Nuk duhet të harrojmë, që asokohe Spanja, Portugalia dhe Greqia u pranuan në BE, kjo nuk u bë për arësye ekonomike. Atëherë as që bëhej fjalë për integrimin e këtyre vendeve për arësye ekonomike, por synohej që në këto vende të vendosej stabiliteti demokratik pas diktaturave të Frankos në Spanjë, Salazarit në Portugali dhe diktaturës në Greqi. Pra kemi të bëjmë edhe me aspektin politik, e kjo është pozitive.
E dyta, ekonomia krijon realitetin. Ekonomia evropiane investon në masë të gjerë në Evropën Juglindore. Kuota e zhvillimit atje është shumë më e lartë se në vendet e BE-së, kjo pasi zhvillimi ka nisur nga një nivel relativisht i ulët. E kjo shihet si një perspektivë për të ardhmen. Unë i këshilloj disa sipërmarrës që të investojnë në këtë rajon. Investime ka për shembull në fushën e energjetikës. E-ON është angazhuar në rajon, koncerni Siemens e të tjera ndërmarrje me emër. Aktive janë edhe disa ndërmarrje ndërtimi e këto investime hapin edhe fronte pune.
Argumenti i tretë është: nëse ne duam të kontribuojmë në stabilizimin e këtyre vendeve dhe në rritjen e nivelit social dhe ekonomik, reduktojmë problemin e emigracionit nga këto vende. Këto probleme ne mund t´i vemë më mirë nën kontroll, nëse gjejmë rrugë për integrimin.
Erhard Busek pyetjes, nëse mund ta përballojë BE-ja një numër të madh antarësh duke përfshirë këtu edhe vendet e Ballkanit, i përgjigjet me bindjen e plotë, se:
"Evropa Juglindore është padyshim në Evropë."