1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bush në Gjermani: Shkëmbime komplimentesh dhe puthje

Monika Ditrich13 Korrik 2006

Presidenti amerikan, Xhorxh Bush dhe kancelarja gjermane Angela Merkel flasin për Iranin dhe Lindjen e Mesme

Bush takohet me Merkel-in
Bush takohet me Merkel-inFotografi: AP

Dielli shkëlqente dhe të 1000 të ftuarit nisën brohoritjet kur presidenti amerikan, Xhorxh Bush mbërriti në Tregun e Vjetër të Stralsund-it. Angela Merkel e përshëndeti presidentin me një përqafim të përzemërt dhe një puthje të vogël në faqe.

Por edhe presidenti amerikan e mbuloi Angela Merkelin me komplimente:"Unë jam shumë krenar ta quaj Angela Merkel-in një mike. Amerikanët dhe gjermanët vlerësojnë tek personalitetet drejtuese të njëjtat cilësi karakteri. Angela Merkel ka një vizion realist dhe një zemër plot thjeshtësi. Ajo është e gatshme të marrë vendime të vështira, dhe e vlerëson mjaft një partneritet të fortë. Dhe si shumë të tjerë në bashkësinë ndërkombëtare unë kam respekt për mënyrën e gjykimit dhe e vlerësoj opinionin e saj."

Por edhe Angela Merkel i sinjalizoi presidentit amerikan, që miqesia gjermano-amerikane zë tek ajo një vend të veçantë.

"Tani është një rast i mirë që t'ju falënderojmë për ndihmën e popullit amerikan dhe të qeverisë amerikane në lidhje me bashkimin e Gjermanisë. Ne e dimë se i detyrohemi shumë Shteteve të Bashkuara, për atë që ne sot mund të jetojmë në liri dhe paqe."

Pas shkëmbimit të toneve miqësore, Budh dhe Merkel u tërhoqën për të filluar bisedimet politike. Në axhendën e bisedimeve ishin planifikuar konsultime për krizën e re mes Izraelit dhe Libanit, samiti në prag i G8-s, situata në Sudan, Kongo si edhe Korenë e veriut.

Në krye qëndroi sigurisht konflikti me Iranin. Kancelarja Merkel shprehu keqardhjen e saj, që udhëheqja në Teheran nuk ka reaguar deri më tani ndaj ofertës së pesë fuqive me të drejtë vetoje dhe Bashkimit Europian. Prandaj është e drejtë që Këshilli i Sigurimit do të trajtojë sërish këtë temë, dhe po qe se Irani nuk heq dorë nga pasurimi i uraniumit, duhen gjetur rrugë të tjera, tha Merkel:"Dera për bisedime nuk është e mbyllur. Por Irani duhet ta dijë, se ata që kanë shpërndarë ofertën janë të gatshëm të veprojnë së bashku dhe këtë ta bëjnë të qartë edhe përmes një rezolute të Këshillit të Sigurimit."

Presidenti Bush falënderoi qeverinë gjermane për përpjekjet në konfliktin atomik me Iranin. Në të gjitha çështjet ndërkombëtare jemi të interesuar që problemet t'i zgjidhim së bashku."

"Është e rëndësishme që Europa të flasë me një zë. Dhe është e rëndësishme për mua dhe Angela Merkelin të bashkëpunojmë me Rusinë. Ne duhet ta inkurajojmë presidetin Vladimir Putin që së bashku t'i dalim përballë Iranit dhe t'ja bëjmë të qartë, se ne nuk po bëjmë shaka, se bota është e bashkuar dhe këmbëngul në atë që Irani të mos ketë bombën atomike."


Edhe në situatën në Lindjen e Mesme, Merkel dhe Bush ishin të një mendimi. Izraeli reagon me sulme ushtarake kundrejt rrëmbimit të tre ushtarëve të tij, tha Merkel. Shkaku dhe pasoja nuk duhen ngatërruar. Ndërsa presidenti Bush u shpreh, se është e drejta e Izraelit të mbrojë vendin e tij.

"Ka grupe terroristësh që duan të pengojnë procesin e paqes. Hisbollahu radikal islamik nuk e do paqen, edhe krahu ushtarak i Hamasit nuk do paqe. Por ata që ndodhen mes nesh dhe që e duan paqen duhen të bashkëpunojnë me Izraelin, me presidentin palestinez Abaz, dhe të tjerët me qëllim të arritjes së paqes."

Duhet përmendur se vizita e Bushit u shoqërua edhe nga protesta të aktivistëve për të drejtat e njeriut dhe për paqen, të cilët kritikuan politikën e Bushit. Por protesta të tilla nuk shkuan deri në veshët e Bushit, sepse rajoni i Stralsund-it ishte izoluar hermetikisht për vizitën e tij. Brenda në qytet dyqanet qëndruan të mbyllura. Qytetarët duhet të kontrolloheshin kur donin të futeshin në banesat e tyre.

12.500 policë janë vënë në dispozicion me qëllim të sigurimit të vizitës së presidentit amerikan, Xhorxh Bush në Lindje të Gjermanisë.

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW