1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Buxheti 2014-2020

9 Nëntor 2012

Negociatat rreth buxhetit të BE për vitet 2014-2020 do të nisin së shpejti, me Mbretërinë e Bashkuar, që po krijon rrëmujën më të madhe. Të gjitha janë në shënjestër. Kush paguan dhe kush përfiton më tepër?

Kontributet janë të gjitha në shënjestër
Kontributet janë të gjitha në shënjestërFotografi: picture alliance/dpa

Buxheti i përbashkët i këtij viti i BE për 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian është 129 miliardë euro (165 miliardë dollarë). Ai do të përdoret për të subvencionuar sektorin evropian të agrikulturës, ndihmat strukturore dhe rajonale, programet në fushat e shkencës, hulumtimeve dhe kulturës, si dhe industrisë. Përveç këtyre, ai duhet të mbulojë shpenzimet për institucionet ndërkombëtare si Komisioni Evropian, gjykatat, Parlamentin Evropian dhe një sërë organizatash të vogla. Rreth 80% e fondeve buxhetore do t´u shkojnë vendeve anëtare.

Kontributet nga 27 vendet anëtare mbushin arkën e BE-së, bashkë me të ardhurat nga detyrimet doganore dhe një pjesë nga taksat mbi vlerën e shtuar. Tashmë kontributet e vendeve anëtare përbëjnë një pjesë gjithnjë e në rritje të të ardhurave të BE-së, ndërkohë që të ashtuquajturat burimet kapitale nga të ardhurat doganore janë në rënie.

Rishpërndarja e të varfërve dhe të pasurve

Vendet anëtare janë të ndara në dy kampe gjatë negociatave për buxhetin. Janë 12 kontribues neto dhe 15 marrës neto. Kontribuesit neto marrin më pak para nga Brukseli, krahasuar me paratë që ata japin për arkën e përbashkët. Marrësit neto kanë më tepër grante dhe përfitime seç i japin Brukselit. Sipas Komisionit Evropian, kontributorët më të mëdhenj neto përfshijnë Gjermaninë (me 9 miliardë euro), Francën (6.4 miliardë), Italinë (5.9 miliardë), Britaninë e Madhe (5.6 miliardë), dhe Hollandën (2.2 miliardë). Marrësit më të mëdhenj neto janë Polonia (11 miliardë), Greqia (4.6 miliardë), Hungaria (4.4 miliardë), Spanja (2.9 miliardë) dhe Portugalia (2.9 miliardë). Gjithsesi, nëse kjo përllogaritet individualisht për çdo qytetar të BE-së, atëherë panorama ndryshon: danezët janë ata që paguajnë më shumë në arkën e BE-së me 150 euro secili, ndërsa Hungaria merr pagesat më të mëdha, 442 euro për frymë nga ndihmat e Brukselit.

Kontributet janë të gjitha në shënjestërFotografi: picture-alliance/dpa

Kontribuesit neto duan të bëjnë shkurtime

Aksionet e riorganizimit të sistemit të shpërndarjes janë shkaktarë të një konflikti të përhershëm brenda Bashkimit Evropian. Që nga vitet 1980, buxheti shumëvjeçar është negociuar mes vendeve anëtare me të ardhura dhe shpenzime të parashikuara brenda një kornize 7-vjeçare. Aktualisht, liderët e BE-së po negociojnë buxhetin e viteve 2014-2020 me Komisionin Evropian, i cili bën thirrje për një bilion euro për periudhën 7-vjeçare, duke nisur nga 2014.

Kontribuesit neto, duke përfshirë edhe Gjermaninë, thonë se kjo shifër është shumë e lartë dhe duan të shohin mundësinë e një reduktimi në sugjerimet e Komisionit me 100 miliardë euro. Kryeministri britanik, David Cameron dëshiron të shkojë edhe më tej, dhe t´a reduktojë shumën me 200 miliardë. Por pavarësisht shumave prej miliarda eurosh, buxheti i zakonshëm është minimal, krahasuar me ecurinë e përgjithshme ekonomike: ai përfshin vetëm afro 1% të aktivitetit ekonomik në total të Bashkimit Evropian.

Shumë shtete përfitojnë ulje

Në vitin 1985, Britania e Madhe ishte në gjendje të përfitonte një ulje të kontributeve të saj, sepse kishte shumë pak të ardhura nga agrikultura. Që atëherë, kontributorë të tjerë neto kanë përfituar ulje, duke përfshirë Gjermaninë. Por ulja e Mbretërisë së Bashkuar është formalisht më madhorja, ulje të cilën duhet t´a kompensojnë shtetet e tjera. Ja përse shkurtimet, të cilat kryeministrja Margaret Thatcher i shprehu me fjalët "Më ktheni paratë e mia", janë vazhdimisht temë e debatit.

Fondet e shpëtimit për shtetet që marrin borxhe nuk dalin nga buxheti aksioner i BE-së. Deri tani, vetëm një shumë e vogël e huave për Greqinë janë marrë nga fondet e BE-së. Objekti Evropian i Stabilitetit Financiar dhe Mekanizmi Evropian i Stabilitetit financohen veçmas nga kombet e eurozonës. Përveç kësaj, ekziston një fond i veçantë ndihme për zhvillimin në BE, me pagesa të strukturuara pak më ndryshe sesa buxheti i përgjithshëm i Bashkimit Evropian.

Autor: Bernd Riegert/ Elona Elezi

Redaktoi: Auron Dodi

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW