1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

CDU/CSU: Mocion në Bundestag për Ballkanin Perëndimor

22 Qershor 2022

Në prag të samitit BE-Ballkani Perëndimor, të enjten, 23.06. në Bruksel, deputetët e CDU/CSU kërkojnë nga qeveria gjermane hapa konkrete për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në BE

Deutschland | Debatte über Impfpflicht im Bundestag
Fotografi: Michael Kappeler/dpa/picture alliance

Një ditë para samitit BE-Balkan partia më e madhe opozitare gjermane po e rrit presionin ndaj qeverisë mbi Ballkanin Perëndimor.  Grupi parlamentar i Unionit Kristiandemokrat e Kristiansocial (CDU/CSU) në Bundestag ka paraqitur një mocion në parlamentin gjerman i cili diskutohet sot, 22.06, në plenum. Deputetët gjermanë i bëjnë thirrje qeverisë gjermane që të arrijë në BE një perspektivë "të shpejtë, të qartë, të besueshme dhe progres të prekshëm” për anëtarësimin e Shqipërisë, Bosnjë- Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë " në BE.

Deputetët opozitarë kërkojnë gjithashtu që me vendet kandidate të miratohen hapa të ndërmjetëm për t'i afruar ato edhe më ngushtë me BE-në. Konkretisht, ata sugjerjonë anëtarësimin e asociiuar pa të drejtë vote në politikat e përbashkëta të jashtme, të sigurisë dhe mbrojtjes si dhe në tregun e brendshëm të BE—së, në këmbim të reformave dhe zbatimit të kritereve të Kopenhagës dhe progresit në sundimin e ligjit. 

Abraham: Duhet të fitojmë motivimin e duhur në Ballkanin Perëndimor

00:26

This browser does not support the video element.

Angazhim për njohjen e Kosovës

Deputetët kërkojnë në mocionin e tyre që qeveria gjermane të ndikojë që shtetet anëtare të BE-së që nuk e njohin Kosovën ta njohin atë. Deputetët sugjerojnë që qeveria gjermane ta argumentojë këtë me situatën e re të sigurisë të krijuar pas agresionit rus në Ukrainë. Më tej deputetët kërkojnë edhe angazhimin e diplomacisë gjermane për anëtarësimin sa më shpejt që është e mundur të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, dhe si hap i parë në Këshillin e Evropës. 

Veç të tjerash, deputetët kërkojnë refuzim të vendosur të ndryshimit të kufijve në vendet e Ballkanit Perëndimor, perspektivën e anëtarësimit të tyre në NATO, rritjen e luftës kundër korrupsionit, vazhdimin e "Procesit të Berlinit" për bashkëpunimin dhe zhvillimin rajonal dhe reforma brenda BE-së që sigurojnë kapacitetin e tij absorbues në të ardhmen.

Rrezik për paqen brenda BE-së

"Agresioni rus kundër Ukrainës ka nxjerrë në pah cënueshmërinë e kufijve në zemër të Evropës",  argumentojnë deputetë në kërkesën e tyre si edhe faktin që konfliktet e ngrira mund të përshkallëzohen dhe përhapen shpejt. "Konflikte të tilla rrezikojnë stabilitetin dhe interesat e paqes të BE-së".

Pavarësisht progresit të madh në dekadat e fundit, Ballkani Perëndimor mbetet një rajon i paqendrueshëm, me krim të organizuar, korrupsion dhe gjyqësor të dobët. 

Në kërkesën e tyre deputetët vënë në dukje edhe ekzistencën e problemeve ndëretnike dhe ndërfetare. "Është në interesin e vetë BE-së që gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor – Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia – të cilat nuk janë ende anëtare të BE-së, por janë të rrethuara drejtpërdrejt vetëm nga shtetet anëtare të BE-së, të  arrijnë stabilitet afatgjatë, sundim ligji, zgjidhje paqësore të mosmarrëveshjeve, struktura solide demokratike dhe prosperitet ekonomik.” Në këtë mënyrë, synimi duhet të mbetet që në të ardhmen të kemi Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, shkruajnë deputetët.

Mocioni me titull, “Ripërtëritja e perspektivës së BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor me politikë të përkushtuar”, pas një debati 40-minutësh, pritet të kalojë për konsultim te komisionet përgjegjëse të punëve të jashtme.