1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

CDU kërkon vendim të shpejtë për centralet bërthamore

4 Gusht 2022

Kryetari i CDU-së Friedrich Merz ka bërë thirrje për një vendim të shpejtë të Bundestagut për mbajtjen e centraleve bërthamore gjermane.

Markus Söder dhe Friedrich Merz qëndrojnë pas mikrofonave. Pas tyre, kulla ftohëse e termocentralit bërthamor Isar 2.
Friedrich Merz (CDU) dhe Markus Söder (CSU) gjatë vizitës në Isar 2.Fotografi: Frank Hoermann/SVEN SIMON/picture alliance

Vazhdimi i funksionimit të tre termocentraleve të mbetura bërthamore gjermane është teknikisht, personalisht dhe ligjërisht i mundur. Tani duhet vendosur nëse është edhe politikisht e mundur, tha kryetari i CDU-së Friedrich Merz pas një vizite në termocentralin bërthamor Isar 2 në Bavari. Merzi theksoi se nuk kemi të bëjmë me një kthim parimor në energjinë bërthamore.

CDU/CSU janë gati të bëjnë shpejt ndryshimet përkatëse legjislative. Ato besojnë se ndryshimet legjislative të nevojshme për të zgjatur jetëgjatësinë e termocentraleve duhet të miratohen nga Bundestagu para fundit të gushtit. Duke marrë parasysh kohën që duhet për të porositur shufra të reja katodike, është e kuptueshme pse është kaq e rëndësishme të merren vendimet në gusht, tha Merzi. "Në shtator gjendja bëhet kritike, në Krishtlindje është e pamundur”.

Fotografi: Armin Weigel/dpaZpicture alliance

Shefi i CSU-së, Markus Söder, i cili shoqëronte Merz-in, kërkoi që termocentralet bërthamore të mos vazhdojnë të funksionojnë vetëm për tre muaj në vitin e ri, por të paktën deri në vitin 2024. "Gjermania është në një emergjencë energjetike," tha Söder-i. Në dimër, duhet të llogaritet jo vetëm mungesa e gazit, por edhe e energjisë elektrike. Söder-i tha në drejtim të qeverisë federale: "Është koha për të vepruar dhe jo për t'u qarë apo për të marrë me taktika".

Sipas legjislacionit aktual, tre termocentralet e fundit gjermane "Isar 2" në Bavari, "Neckarwestheim 2" në Baden-Württemberg dhe "Emsland" në Saksoninë e Ulët do të mbyllen në fund të vitit.

Në pranverë, pas një verifikimi, qeveria gjermane refuzoi mbajtjen në punë të reaktorëve bërthamorë. Megjithatë, ajo nisi një test të dytë stresi për sektorin e energjisë. Rezultatet paraqiten brenda disa javësh. Verifikimi do të fokusohet në sigurinë e furnizimit në dimër, në rast mungese energjie në vendet fqinje dhe me një fokus të veçantë në Bavari.

aud (dpa, dlf)