1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

CEBIT përfundon në Hanover

Peter Filip21 Mars 2007

Panairi më i madh i kompjuterave në botë, CEBIT përfundon sot në Hanover. Rreth 6100 ekspozues nga 77 vende prezantuan në CEBIT produktet e tyre. Me këtë vazhdoi rënia e numrit të ekspozuesve, e vërejtur edhe vitet e tjera. Vitin e ardhshëm, CEBIT-i do të reformohet rrënjësisht dhe do të shkurtohet me një ditë.

Vizionet për të ardhmen në CEBIT
Vizionet për të ardhmen në CEBITFotografi: CeBIT

Fjala "inovacion" u shkrua me gërma të mëdha në CEBIT-in e vitit 2007, si qe bërë natyrisht edhe në panairet e shkuara në Hanover. Të paktën në fjalime publike. Kancelarja madje dëshiron që të startojë një "ofensivë inovacionesh", dhe ekspozuesit të marrin mendjen me atribute si "e përparuar", "udhërrëfyese" ose pikërisht edhe "inovative". Por duke kaluar nëpër panair konstaton se kaq shumë gjëra të reja, inovative dhe udhërrëfyese sikur nuk të zë syri, dhe se shumë ekspozues mjaftohen me ofrimin e verës së vjetër në shishe të reja. Dua të them: teknikë e njohur në paketime moderne dhe me ndryshime margjinale teknike në dobi të një lehtësie më të madhe në përdorim.

Kjo vlen për të gjithë ekspozuesit në CEBIT, por ndoshta dicka më shumë për Gjermanët. Neve me sa duket na pëlqen roli, që na bën pararendës dhe pararoja në teknologjinë moderne. Dhe harrojmë se duket që koha e shpikësve të mëdhenj me sa duket ka kaluar. Sot nuk shpiken më automjete dhe as kompjutera. Dhe nëse një teknologji e re shpiket në Gjermani, janë të tjerët që i fitojnë paratë me të.

MP3 është ndoshta shembulli më i njohur për këtë: komprimimi i skedave elektronike audio pa humbur kualiteti u shpik nga Frauenhofer-Institut, një institut në Gjermani, dhe këtë teknologji e gjen sot në cdo player muzike. Por prodhuesit e kësaj teknologjie ndodhen në SHBA dhe në Lindjen e Largët dhe jo në Gjermani.

Prandaj ka të drejtë, shefja e Alkatelit, Patricia Ruso, kur paralajmëron në fillim të CEBIT-it: inovacioni është më shumë se sa vetëm ide. Këtu bëhet fjalë për burimet e nevojshme dhe partnerë, të cilët të jenë të gatshëm t'i vënë në jetë këto ide. Kjo duket se vlen vecanërisht për Gjermaninë. Sektorë të tërë teknologjikë janë të prekura nga ky aspekt. Nëse në vitet e pasluftës ne qeshnim me japonezët, të cilët gjoja dinin vetëm të imitonin dhe të kopjonin, tani konstatojmw se kjo mbajtje e hundës përpjetë prej kohësh është bërë pa kuptim: japonezët ishin të parët që na kaluan, pastaj disa nga ish-shtetet tigër dhe tani duhet të jetë radha e Kinës.

Por edhe në kreativitet Gjermania duket se nuk ka shumë c'të ofrojë: kështu një studim i mikrosoftit e quan Suedinë kombin me kreativ, SHBA vinë në vend të katërt, Gjermania vetëm në vend të dhjetë. Tri pozicione pas Islandës.

Shkaqet për këtë mund të jenë të natyrave të ndryshme. Mungesa e gatishmërisë për t'u hyrë rreziqeve nga ana e ekonomisë gjermane me siguri që është një prej shkaqeve. Nuk është e lehtë t'i bindësh firmat gjermane për investime në një produkt të ri. Dhe shpikësit arrijnë vetëm rrallë që të gjejnë donatorë për një koncept të ri. Këtë duhet ta bëjë shteti, dëgjon të thuhet. Pa pranuar që shteti në vende të tjera, p.sh. në SHBA nuk angazhohet. Atje janë fondacione, firma ose donatorë privatë ata që ndihmojnë për vënien në jetë të ideve. Shteti mund të përmirësojë mundësitë për shkollim, inovacioni i vërtetë mbetet cështje e individëve.