1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Chrysler - Fiat: fuzionim në ambient të vështirë

Claus Ulrich/ Auron Dodi3 Janar 2014

Hapje pompoze e vitit automibilistik 2014: Fiati blen krejtësisht Chrysler-in. Me këtë hap koncerni italian rritet në një mënyrë të konsiderueshme, pa u bërë një lojtar i vërtetë global.

Fotografi: picture-alliance/AP

Gëzimi i shefit të FIAT-it nuk njihte kufi. Tani do të jetë e mundur që të zbatohet versioni italian i një prodhuesi global automjetesh, shprehej Sergio Marchione pas bërjes së njohur të blerjes së plotë të bijës amerikane, Chrysler. Kjo marrëveshje "do të hyjë në librat e historisë".

"Vlerësime të tilla duhet të bëhen me kujdes", mendon nga ana tjetër eksperti i automobilëve Ferdinand Dudenhöffer nga universiteti Duisburg-Essen në bisedë me DW. "Ne e mbajmë mend të gjithë fuzionimin e Daimler-it dhe Chryslerit, kjo ishte e ashtuquajtura "martesë në qiell", e cila pastaj përfundoi keq."

Daimleri dështoi

Që në vitin 1998 koncerni gjerman Daimler u përpoq që të arrinte me blerjen e prodhuesit të tretë amerikan të automobilëve përparësi vendimtare në luftën e konkurrencës. Por fuzionimi dështoi keqas dhe u kthye në një gropë prej miliardash euro për Daimlerin. Në vitin 2007 shvabianët e shitën më në fund sërish Chryslerin - me humbje të mëdha.

Blerësi ishte investuesi ndërkombëtar Cerberus, i cili në vitin 2009, gjatë krizës ekonomike, organizoi falimentimin e Chryslerit. Ashtu si General Motors, që ka numrin një në tregun amerikan, edhe Chryslerin e shpëtuan atëherë paratë e taksapaguesve amerikanë.

Bast me rrezik të madh

Në vitin 2009 u angazhuan italianët. Megjithë parashikimet ogurzeza, ata e ringritën në këmbë bijën e tyre amerikane me njohuritë teknologjike, që sollën, duke u bërë në fund zotërues i paketës më të madhe të aksioneve, me 58,5 përqind. Pjesën tjetër të aksioneve e mbante sindikata amerikane e automobilëve, UAW.

Tani këto aksione po i blen për tri miliardë euro gjithashtu Fiati, transaksioni duhet të ketë përfunduar deri në 20 janar.

Chrysleri blihet krejtësisht nga FiatiFotografi: picture-alliance/dpa

Tregu kinez vendimtar

Fiati i shet automjetet e tij para së gjithash në Evropë dhe në Amerikën Latine. Tregu brazilian është për italianët po kaq i rëndësishëm sa evropiani, por në të dyja rajonet prej krizave biznesi ecën keq. Përkundrazi, Chrysleri është i fortë para së gjithash në Amerikën e Veriut dhe në katërmujorin e fundit të 2013-ës i rriti atje fitimet me 20 përqind, sepse në SHBA tregu i automobilëve ka disa kohë që po lulëzon sërish. Veçanërisht janë kamionët e mëdhenj Pickup- Tracks, që shiten shumë mirë.

Por pikërisht këto automjete rustikale gjigande janë pak të kërkuara në pjesën tjetër të botës. "Si Chrysleri, por mbi të gjitha Fiati kanë në ofertë produkte krejt të kapërcyera nga koha", kujton Duddenhöffer. Kësaj i shtohet: në tregun e rëndësishëm kinez, as Fiati, as Chrysleri nuk luajnë ndonjë rol. Por pikërisht atje - për këtë janë të të njëjtit mendim të gjithë ekspertët - është tregu më i rëndësishëm i industrisë ndërkombëtare të automjeteve.