1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Comeback politik - Ehud Barak kryetar i ri i partisë së punës në Izrael

Peter Philipp13 Qershor 2007

65 vjeçari fitoi kundrejt ish-gjeneralit Ami Ajalon në luftën për kryesimin e partisë së punës. Pritet që ish-shefi i shtabit të përgjithshëm Barak të zëvendësojë tani kryetarin e partisë, Amir Perez edhe në postin e ministrit të mbrojtjes në qeverinë e koalicionit.

Ehud Barak
Ehud BarakFotografi: AP

Ehud Barak tani duhet t'i udhëheqë socialdemokratët në Izrael për t´i nxjerrë nga bataku, ku kanë rënë ata më së voni qysh pas vrasjes së Itaxhak Rabinit përpara 12 vjetësh. Një kryetar partie pas tjetrit kanë pasuar, e qysh nga ajo kohë numërohen shtatë syresh në vitet e fundit, gjendja në parti është bërë gjithnjë e më dëshpëruese. Kësisoj ajo si partnerja më e re e koalicionit të kryeministrit konservator të pafat Olmert, as që merret seriozisht, e kurrësesi ajo s´mund të merret seriozisht si parti e paqes.

Barak duhet tani të rifitojë besimin e humbur. E pasigurtë është, nëse do të arrihet kjo. Gjenerali me dekorimin më të lartë në Izrael ndonëse është garant ndaj eksperimenteve të rrezikshme, ai në periudhën e qeverisjes, më e shkurtra kjo në historinë e Izraelit, nuk e ka shfrytëzuar këtë: Baraku donte të çonte përpara marrëveshjet e Oslos me palestinezët, por në vend të kësaj dështuan bisedimet mes tij dhe Jaser Arafatit e ish-presidentit të SHBA-ve, Bill Klinton, pak pas kësaj shpërtheu intifada, kryengritja palestineze, së cilës nuk i bënë dot ballë as Baraku dhe as paraardhësi i tij Sharon.

Pas një shkëputjeje si biznesmen i sukseshëm tani Baraku kthehet në skenën politike. Zyrtarisht ai e ka pranuar publikisht, se ka bërë gabime dhe ka premtuar përmirësimin e tyre. Me këtë ai ka parasysh në radhë të parë tendencën e tij për vendime të vetmuara, prepotencën si dhe kokëfortësinë e tij. Gjëra këto, që gjatë karrierës ushtarake, ndoshta e kanë ndihmuar gjatë aksioneve të komandove, por në politik kanë qenë të dëmshme.

Baraku tani duhet ta ndryshojë qëndrimin, ai duhet të ketë ide edhe për plane konkrete për paqen. Sepse kryeministrit Olmert i mungojnë të tilla plane. Ky i fundit vazhdon të jetë i goditur rëndë nga pasojat e luftës së Libanit verën e shkuar dhe mbetet vetëm çështje kohe, derisa të zhvillohen zgjedhje të reja. Ndërsa Barakut do t´i duhet të përballet me kundërshtarin e vjetër dhe udhëheqësin e partisë Likud, Benjamin Netanjahu, por njëkohësisht edhe me Olmertin e pasardhësin e tij.

Udhëheqësi i ri dhe i vjetër i partisë së punës si i vetmi ka pretenduar të ketë shanse kundër Netanjahut. Tani atij do t´i duhet ta dëshmojë këtë. Jo vetëm me fjalë, por edhe me ide e koncepte bindëse. Në sfondin e shkallëzimit në territoret palestineze kjo nuk do të jetë një detyrë e lehtë dhe Baraku duhet që t´i rezistojë joshjes për të treguar gjoksin duke u parashtruar palestinezëve kërkesa që këta nuk i plotësojnë dot.

E vështirë për pozicionin e Barakut do të jetë edhe, se fillimisht atij i duhet të vazhdojë koalicionin me Olmertin dhe natyrisht që do t´i duhet të marrë përgjegjësi për politikën e këtij koalicioni, e kjo jo vetëm për hapat që do të ndërmerren në të ardhmen, por edhe për të gjithë barrën që ka mbi vete tani kjo qeveri.