1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qëndrimi i qeverisë rumune mundëson proceset evropiane në Kosovë

Robert Schwartz / Vilma Filaj-Ballvora22 Maj 2013

Në një intervistë ekskluzive për DW ministri i Jashtëm i Rumanisë, Titus Corlatean shprehet për zhvillimet politike në rajonin e Evropës Juglindore si dhe dialogun Beograd-Prishtinë.

Fotografi: picture-alliance/dpa

Lidhur me qëndrimin e Rumanisë ndaj dialogut që po zhvillohet mes Beogradit dhe Prishtinës, kreu i diplomacisë rumune thekson: "Rumania i përshëndet këto përpjekje të rëndësishme politike. Marrëveshja mes Beogradit dhe Prishtinës flet për një guxim të jashtëzakonshëm politik. Kjo marrëveshje mundëson normalizimin e marrëdhënieve në mbarë rajonin dhe është një hap historik, qëllimi i të cilit duhet të jetë integrimi në BE i të gjithë rajonit ballkanik. Ne në Rumani e njohim shumë mirë historinë e trazuar dhe shpesh të përgjakshme të Ballkanit. Perspektiva e stabilitetit, demokratizimit dhe e antarësimit të përbashkët në BE është qenësore jo vetëm për rajonin, por për të gjithë Evropën. Në këtë frymë e kuptojmë ne marrëveshjen mes Beogradit dhe Prishtinës. Kjo është edhe arsyeja, përse Rumania e thotë qartë: ne më 28 qershor, në takimin zyrtar të radhës të Këshillit Evropian, do të kërkojmë një datë konkrete për fillimin e bisedimeve të antarësimit me Serbinë. Këtu ne shtojmë një element mjaft të rëndësishëm: duke marrë parasysh kriteret politike të antarësimit, kryesisht sa ka të bëjë me minoritetin rumun, pavarësisht nëse ai quhet rumun apo vllah.

Corlatean: Qëndrimi i qeverisë rumune është konstruktiv

Nga ana tjetër Rumania – e në radhë të parë qeveria aktuale – në muajt e fundit ka mbajtur një qëndrim konstruktiv, që mundëson zhvillimin e proceseve evropiane në Kosovë. Ne duhet të gjejmë një zgjidhje për harmonizimin e qëndrimit të shteteve anëtare – duke përfshirë këtu edhe qëndrimin e atyre vendeve, që deri më sot nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, për të mundësuar kështu fillimin e bisedimeve për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Kosovën. (...) Këto janë hapa të rëndësishme, përmes të cilave afatmesëm arrihet qëllimi, i cili po ta krahasojmë, është po aq i rëndësishëm sa edhe projekti, që pas Luftës së Dytë Botërore në Perëndim të kontinentit çoi në Evropën e bashkuar: një projekt paqeje ky i bazuar në një projekt politik. Nëse ne vazhdojmë të punojmë me ambicje në këtë drejtim, ne në Evropën Juglindore, në Ballkan, do të mund të realizojmë një rajon evropian brenda BE-së, i cili të ofrojë në radhë të parë paqe, marrëdhënie të mira fqinjësie, stabilitet dhe mirëqenie."