1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Corona: Shumica e gjermanëve për detyrimin për vaksinim

6 Nëntor 2021

Infektimet në Gjermani po rriten me shpejtësi, ngre alarmin Instituti Robert Koch. Disa spitale shohin madje rrezikun e mbingarkesës. Sipas një sondazhi të ARD-së, shumica e gjermanëve mbështesin detyrimin për vaksinim.

Maskenpflicht in den Niederlande
Fotografi: Robin Utrecht/picture alliance

Corona është kthyer sërish në shqetësim në Gjermani, pasi ditët e fundit vihet re një rritje e ndjeshme e infektimeve. Të premten u regjistrua një vlerë rekord prej 37.120 infektimesh të reja në ditë, e paregjistruar më parë gjatë pandemisë, të shtunën në mëngjes, RKI bën të ditur mbi 34.000 infektime në ditë e rritje të incidencës. 142 vetë ndërruan jetë me ose nga virusi të shtunën. Instituti Robert Koch e shikon këtë zhvillim si mjaft shqetësues. Megjithatë vetëm çdo i katërti gjerman ka frikë se infektohet. Kjo del sipas një sondazhi të ARD që mat trendin në Gjermani, Deutschlandtrend, të kryer nga Instituti infratest-dimap. Sondazhi është përfaqësues, për të janë pyetur rrteh 1329 persona me të drejtë vote.

Por më shumë se infektimi gjermanët janë të shqetësuar për infektimet e fëmijëve deri tani të pavaksinuar, 57% e të anketuarve e shprehin këtë shqetësim. Po ashtu një shumicë gjermanësh janë të shqetësuar, se për shkak të rritjes së infektimeve, sërish jeta publike mund të kufizohet në javët e ardhshme. Sipas RKI vërehet një përhapje e vatrave të infektimit tek qendrat e kujdesit për të moshuarit. Së fundmi ministrat e Shëndetësisë së landeve vendosën zgjerimin e detyrimit për testim në qendrat e kujdesit për të moshuarit, edhe për të vaksinuarit e të shëruarit.

Fotografi: picture alliance/dpa

Kuota e vaksinimit mbetet në një nivel

Në zonat veçanërisht të prekura nga shtimi i infektimeve spitalet kanë shtuar alarmin. Vërtet që është rritur numri i personave të vaksinuar plotësisht dhe që megjithatë infektohen, por shumica e pacientëve në trajtimin intensiv janë të pavaksinuar. Për shkak të rritjes së ngadaltë të kuotës së vaksinimit gjen mbështetje të madhe detyrimi për vaksinim për disa profesione, si në shëndetësi apo kujdesin për të moshuarit. Edhe mbështetja për një detyrim të përgjithshëm të vaksinimit është rritur nga 46% në 57% tek të anketuarit.

Lokdaun të lehtë për të pavaksinuarit

Pas ashpërsimit të rregullave për të pavaksinuarit në Austri, edhe Gjermania debaton për zgjerimin e kufizimeve për të pavaksinuarit, ndalimin e vizitave në restorante, qendra sportive, klube, evente, etj. Presidenti i Dhomës së Mjekëve, Klaus Reinhardt kërkoi të ndalohet hyrja për të pavaksinuarit në restorante, kinema etj. Duket se për ata që nuk duan të vaksinohen në Gjermani muajt e ardhshëm nuk do të jenë të lehtë. Saksonia si landi i parë për shkak të rritjes së infektimeve vendosi nga e hëna masivisht rregullin e lejimit të hyrjes në restorante, evente etj., vetëm për personat e vaksinuar dhe të shëruar. Por për rregulla më të ashpra kundër Coronës shprehen vetëm 29% e të anketuarve.

Krahas shqetësimit për Coronën, mbrojtja e klimës është një nga temat që i preokupon gjermanët. Dy të tretat e gjermanëve janë të mendimit, se Gjermania duhet të bëjë më shumë për mbrojtjen e klimës. 83% e të anketuarve shohin nevojën e angazhimit më të madh të bashkësisë ndërkombëtare. Ndërkohë Angela Merkel mbetet politikanja më e preferuar në Gjermani sipas sondazhit të ARD me 69% mbështetje tek të anketuarit.